Policia po eleminon dëshmitarët e drogës

Policia po eliminon dëshmitarët e drogës. Vrasja e 36-vjeçarit Besnik Pudja para një jave në Shëngjergj u raportua nga policia si “vetëvrasje”. Por u zbulua se ai ishte vrarë dhe hidhen dyshime se mund të jetë vrarë nga vetë policia për të fshehur prodhimin dhe trafikimin e drogës. Nuk është rasti i parë që vriten dëshmitarë të drogës, deri tani ka shkuar në gjashtë numri i të vrarëve.
Petrit Pudja, babai i 36-vjeçarit Besnik Pudja, që u gjet i vrarë në Shëngjergj një javë më parë, shprehet se djalin ia kanë vrarë në një kapanon me hashash, por po tentohet të fshihet e vërteta, duke thënë ai ka vrarë veten. Petrit Pudja tregon për mediat se, pasi ia kanë vrarë djalin, kanë fshehur provat dhe kanë pastruar gjithçka në magazinë, duke e hequr drogën nga vendi ku ai u gjet i vrarë. “Unë di t’ju them vetëm kaq. Djali im nuk kishte asnjë arsye për të vrarë veten. Ai një natë para se të vritej më mori në telefon shumë i qetë dhe më tha se nesër (atë ditë që u vra), do të vinte në shtëpi. Vendi ku është gjetur i vrarë djali im nuk është stan, është një kapanon droge”, tregon Petrit Pudja.
“Djali im punonte në Shëngjergj verën që kaloi. Nuk kam dijeni për kultivimin e kanabisit. Nuk i njoh personat që kanë ndaluar. Djali kishte marrë plumb në anën e majtë të kokë, por ai nuk e përdorte fare dorën e majtë. Djali është vrarë në darkë, para mesnate dhe ngjarja është marrë vesh të nesërmen në drekë. Ashtu siç nuk është gjetur as celulari i tij, ashtu nuk u gjet as droga, mbase as shumë e shumë prova të tjera”, rrëfen babai.
Ndërsa motra e viktimës shprehet se, i vëllai ishte punëtor hashashi dhe vrasja e tij lidhet me faktin se ai kishte nisur të fliste rreth punës që bënte. “E vranë, sepse filloi të fliste. Po tregonte gjëra që nuk duhej t’i thoshte. Ai ishte i punësuar atje”, thotë ajo.
Ndërsa xhaxhai i 36-vjeçari, M. Pudja thotë se, kur ka shkuar në vendngjarje ka parë nipin e tij të shtrirë në tokë, dhe të pranishmit aty i kanë thënë se ishte vetëvrarë. Por ai e mohon këtë fakt, duke thënë se ka dyshime se, Besniku është vrarë diku tjetër dhe më pas e kanë sjellë në magazinë. Sipas tij, më pas autorët kanë fshehur provat dhe kanë pastruar gjithçka, duke e hequr drogën nga vendi ku ai u gjet i vrarë. Familjarët bëjnë apel që të zbardhet ngjarja, dhe autorët të vihen para përgjegjësisë. Më poshtë intervista e dhënë për “News24”.

Babai
-Ku punonte djali juaj?
Djali im ka qenë pa punë. Ishte punëtor atje, se nuk ka patur asnjë lloj aktiviteti tjetër.
-Ka patur konflikte djali juaj me personat të cilët e kishin punësuar?
Nuk kam dijeni për këtë.
-Prej sa kohësh punonte?
Këtë verë.
-Si shkonte në Shëngjergj?
Me furgonat e linjës.
-Policia ka ndaluar sot dy persona dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim. Sipas policisë personi i shpallur në kërkim ka kultivuar kanabis në bashkëpunim me djalin tuaj. Sa të vërteta janë këto?
S’kam dijeni për këtë punë. Unë as jam marrë ndonjëherë me këtë punë.
-Po personat që janë ndaluar i njihni?
Nuk i njoh fare, as nuk e di kush janë.
-Keni pasur mundësi të shihni trupin e djalit tuaj të pajetë?
Kur ka ardhur këtu e kam parë. Vetëm nga fytyra, i kishte dalë plumbi këtej.
-Hyrja e plumbit ishte në anën e majtë, djali juaj nuk e ka përdorur dorën e majtë apo jo?
Djali nuk e përdorte fare dorën e majtë.

Xhaxhai
Kur na kanë lajmëruar unë kam shkuar atje. E kam gjetur të shtrirë aty, pa njeri te koka. Ata që ishin atje më përpara thanë që është i vetëvrarë. Dhe na thanë të lajmëronim policinë që është i vetëvrarë. Unë i thashë, jo nuk e marr këtë përgjegjësi përsipër. Edhe kur kam marrë policinë në telefon më ka dalë Policia e Elbasanit, dhe jo e Tiranës, dhe më thanë kemi njoftim që është i vetëvrarë. I thashë që nuk di gjë është i vetëvrarë apo i vrarë, vetëm se e shoh të vrarë.
-Çfarë patë aty?
Aty ishte kapanon i madh, i mbuluar, jo stan. Se ato kanë lajmëruar që është stan bagëtish, por nuk është stan. Brenda i kishin hequr të gjitha ato çfarë kanë patur aty. Se çfarë kanë patur unë nuk e di, se s’kam qenë ndonjëherë aty. Më pas ka ardhur policia.
-Pranë trupit të pajetë është gjetur një kuti me duhan dhe arma në fund të këmbëve?
Duart i ka patur të vendosura para gjoksit. I drejtuar. Dhe kjo më bërë habi, se një i vetëvrarë nuk mund të ishte aq i drejtuar, apo duart në pozicion. Dhe për mendimin tim, ai nuk është i vrarë aty në vend, ai mund të jetë sjellë aty. Nuk e di, këto janë hamendjet e mia.
-Pak më përpara thatë se në momentin kur ka ndodhur vrasja djali ka qenë i shoqëruar me persona të tjerë. A e dini se cilët ishin këta persona?
Unë kam dëgjuar vetëm që rrinte me një Visi, që i kam dëgjuar vetëm emrin, mbiemrin nuk ia di. Të tjerët nuk i njoh. Duhet të zbardhet e vërteta, se si është, për çfarë u vra. Cila ishte puna për të cilën u vra, dhe të dalin personat që mund të kenë qenë aty. Se ato që janë ndaluar e dinë shumë mirë ngjarjen.

Rama dhe Tahiri fshehën vrasjen për drogën

Partia Demokratike deklaroi dje se, Rama dhe Tahiri fshehën vrasjen për drogën në Shëngjergj të Tiranës. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa nëpërmjet një deklarate për shtyp tha, se Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e thellojnë edhe më shumë inkriminimin në kanabizimin e vendit, duke mohuar edhe pasojat më ekstreme që vijnë nga droga: vrasjet dhe ekzekutimet mafioze.
“Jo vetëm i mohojnë, por i fshehin, i paraqesin si vetvrasje, ose për motive të tjera. Kështu bënë me vrasjen një javë më parë të 36-vjeçarit Besnik Pudja në Shëngjergj. Në mënyrë kriminale, me urdhërin e Ramës e Tahirit për të mohuar drogën, ekzekutimi i Pudjes u paraqit si vetëvrasje”, deklaroi Zhupa.
Më tej zëdhënësja tha se, Partia Demokratike e denoncoi menjëherë si rast, por nuk pati reagim nga Tahiri dhe Rama. Prokuroria, ndërkohë ka nisur hetimin për vrasje për hesapet e drogës. Vetë babai i viktimës e ka denoncuar në media se djali i tij është ekzekutuar. Kjo është viktima e 8 në këto 3 muaj me motiv drogën dhe parcelat me kanabis. Këto janë pasojat e kanabizimit të vendit; konflikti, hasmëria, vrasjet, u shpreh zëdhënësja Zhupa.
Shoqëria po destabilizohet, droga ka pushtuar edhe shkollat tona. “I vetmi i pashqetësuar për këtë është Edi Rama. Eshtë i pashqetësuar se nuk i interesojnë qytetarët, shkollat, fëmijët, rendi dhe siguria. I interesojnë vetëm paratë e drogës që do t’i përdorë për të blerë e mbajtur pushtetin. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë gjendje, s’mund ta lejojnë këtë katastrofë. Shqipëria pa Edi Ramën do të jetë më mirë. Familja, shkolla, rendi, e ardhmja do të jenë më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi zëdhënësja e PD.

Policia pranon drogën në Shëngjergj, por jo vrasjen

Një javë më parë, policia tha se një person është gjetur i pajetë në një stan në fshatin Shëngjergj të Tiranës. Policia do të deklaronte se, bëhet fjalë për një vetëvrasje. Ndërkohë, PD akuzoi policinë se po fsheh krimin, pasi bëhet fjalë për vrasje për drogën, ndërsa dje babai i viktimës deklaroi se i biri është vrarë në kapanonin e drogës dhe janë zhdukur të gjitha provat. Po dje, Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar disa persona për ngjarjen dhe gjithashtu pranon se viktima ishte kultivues droge.
“Më datë 13.10.2016 është bërë ndalimi i Alges Liçit, 19 vjeç dhe Dritan Buzos, 30 vjeç,  i dënuar më parë. Eshtë bërë shpallja në kërkim e shtetasit, H. D., 47 vjeç”, thotë policia. Ndërsa vijon, “këta dy shtetas dyshohet të kenë qenë të pranishëm në ngjarjen ku dyshohet se ka vrarë veten shtetasi Besnik Pudja. Nga hetimet e kryera këta dy shtetas kanë patur dijeni për ngjarjen dhe janë përpjekur për ta fshehur. Në atë ngjarje, dyshohet se shtetasi Alges Liçi ka mbetur i plagosur në krah nga predha, e cila ka dalë nga arma që ka sjellë vdekjen e shtetasit Besnik Pudja”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa personi i shpallur në kërkim dyshohet se në bashkëpunim me viktimën Besnik Pudja kanë kultivuar “kanabis sativa”, vijon më tej njoftimi. Akuzat ndaj tyre janë moskallzim krimi dhe kultivim i bimëve narkotike.
Më datë 12 tetor, Enkelejd Alibeaj deklaroi nga selia e PD se, ngjarja në Shëngjergj të Tiranës nuk ishte vetëvrasje, por vrasje. Një ekzekutim mafioz për hesapet e drogës, i 8-ti në muajt e fundit. Po kur ekzekutimet ndodhin për parcelat me kanabis, ato nuk raportohen ose paraqiten si vetvrasje. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë armiqtë e policisë, tradhëtarët e burrave dhe grave në uniformë”, tha ai.

Prokuroria, tjetër operacion për shkatërrimin e parcelave me kanabis

Prokuroria ka ndërmarrë një tjetër operacion për shkatërrimin e parcelave me kanabis, këtë radhë në Krujë. Gjatë operacionit janë arrestuar 4 trafikantë, të cilët akuzohen se rekrutonin gra për parcelat me lëndë narkotike. Në bazë të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Krujës, këta persona dyshohet se janë organizatorë dhe sigurues punëtorësh për kultivimin dhe shitjen e lëndës narkotike kanabis sativa. Gjatë ndërhyrjes policore, e cila ka vepruar me urdhër të Prokurorisë së Krujës, është bërë e mundur zbulimi i disa parcelave me rreth 5000 bimë kanabis, si edhe janë arrestuar si persona të dyshuar si organizatorë, Edmond Kadiu, Elton Babai.
Ndërkohë, si person që siguronte punëtorët është prangosur Elton Baroka, ndërsa si shofer i furgonit që transportonte punëtorët në parcela, Idajet Gashi. Sipas organit të akuzës, të arrestuarit janë të gjithë banorë të Fushë-Krujës.
Në bazë të të dhënave hetimore të deritanishme, rezulton se, Prokuroria e Krujës ka regjistruar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/2 i K.Penal. Ky procedim u regjistrua mbi bazën e informacioneve, të cilat bënin fjalë se shtetasit Edmond Kadiu dhe Elton Babai, banorë të Fushë-Krujës kishin financuar mbjelljen e një sasie bimësh narkotike të llojit kanabis sativa në zonën që përfshin Njësia Administrative Bubq e Bashkisë Krujë.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasit Edmond Kadiu dhe Elton Babai kanë financuar mbjelljen e bimëve narkotike dhe në këtë veprimtari kriminale kanë angazhuar edhe shtetasit Elton Baroka dhe Idajet Gashi.
Këta të fundit, sipas porosive të dhëna nga dy organizatorët merreshin me grumbullimin e personave që punonin për përpunimin e lëndës së përfituar nga bimët narkotike. Në këtë kuadër, u shoqëruan edhe 16 (gjashtëmbëdhjetë) persona të tjerë, kryesisht gra, të cilët kishin punuar për disa ditë në parcelën ku ishin kultivuar kanabis. Nga pyetja e tyre doli qartë veprimtaria kriminale e personave të arrestuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Edmond Kadiu u sekuestruan 3.000.000 (tre milionë) lekë të reja dhe një automjet BMW të tipit X6, po kështu u sekuestrua një atumjet tip “Benz” CLS i prodhimit të viteve të fundit në pronësi të shtetasit Elton Babai, si dhe furgoni që transportonte punëtorët për në parcelat me kanabis. Nga kqyrja e parcelës rezultoi që në të ishin kultivuar mbi 5-6 mijë bimë të tipit kanabis sativa, të cilat ishin në fazën e pjekjes.

Exit mobile version