Megjithëse kanë kaluar më shume se tre javë nga grabitja e 10 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit, Policia e Tiranës nuk ka ende asnjë të dyshuar. Ndërsa, Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, policia akuzohet se ka prishur provat e super grabitjes. Një furgon tip “Ford” me ngjyrë të bardhë, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e grabitjes më 30 qershor në pistën e avionëve në Rinas, u gjet më 2 korrik i braktisur poshtë urës që po ndërtohet për Unazën e Madhe, te Pallati me Shigjeta.
Një patrullë shkoi pranë vendngjarjes dhe gjeti makinën të parkuar dhe me bllokazh ndezur. Por në vend që ta mbanin nën mbikëqyrje, pasi të dyshuarit mund të ndodheshin afër dhe të ktheheshin për të marrë mjetin, efektivët e policisë e dërguan atë në komisariat. Një veprim i tillë i ka hequr çdo mundësi grupit hetimor për të qenë sa më pranë identifikimit të autorëve, kjo pasi efektivët me veprimet e tyre kanë fshirë dhe gjurmët e gishtërinjve, të cilat do t’i shërbenin Policisë Shkencore.
Tashmë furgoni qëndron i sekuestruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjetja e kësaj prove që lidhet me grabitjen spektakolare, pritej të sillte të dhëna të vlefshme hetimore, por kjo nuk ka ndodhur për shkak se lëvizja e mjetit menjëherë pas kostatimit nga efektivët, ka prishur prova të rëndësishme. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, largimi i tij nga efektivët ka prishur provat, pasi në automjet gjenden gjurmë të efektivëve të policisë.
Policia, ditën kur u gjet furgoni njoftoi se, ai ishte një mjet i grabitur dhe që u braktis nga autorët, pasi pësoi një defekt. Efektivët e policisë nuk e mbajtën në vëzhgim mjetin për të parë kush e posedonte dhe nuk njoftuan ekspertët dhe efektivët e Policisë Gjyqësore për të bërë këqyrjen në vend të mjetit, por e larguan në mënyrë të papërshtatshme me karroatrec, duke prishur kështu prova të vlefshme hetimore.
Furgoni fillimisht u transportua në Komisariatin Nr.2 e më pas në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Burime nga policia thonë se, kjo ka ardhur nga një paaftësi e efektivëve, megjithatë dyshimet mbeten se kjo mund të jetë një lëvizje e qëllimshme e tyre. Furgoni u identifikua nga kamerat e bizneseve afër Aeroportit të Rinasit, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës fill pas grabitjes. Mjeti humbi nga kamerat në zonën e Laknasit. Nisur nga dyshimet se ky mjet udhëtonte pa targa, policia angazhoi gjithë shërbimet e saj për gjetjen e tij. Nga këqyrja e kamerave të qytetit mjeti u identifikua në Tiranë më 2 korrik në zonën e Tiranës së Re tek Pallati me Shigjeta.
Ekspertët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore mundën ta këqyrnin vetëm në oborrin e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Grupi hetimor ka këqyrur mjetin dhe ka identifikuar disa gjurmë të policëve që kanë bërë transportimin e tij me karrotrec, ndërsa për autorët e grabitjes nuk ka asnjë gjurmë dhe asnjë indicie.
Pasi dogjën makinën me të cilën u futën deri në pistën e avionëve në Aeroportin “Nënë Tereza”, 3 grabitësit u larguan nga vendngjarja me një furgon mallrash. Të paktën kështu rezultoi nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ku mjeti duket që largohet nga vendi, ku u dogj makina, të cilën e gjeti policia. Pas djegies së makinës që përdorën në pistën e avionëve, autorët mendohet se hipën në këtë furgon që u fiksua të largohet në drejtim të Laknasit dhe të humbasë gjurmët, i cili më pas u gjet tek Pallati me Shigjeta.
Deri tani nuk ka asnjë emër të dyshuari autorësh për ngjarjen, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka në dorë hetimin e çështjeve, dyshon se kemi të bëjmë me një grup profesionistësh që kanë kryer edhe dy grabitje të tjera. I njëjti furgon, thonë të njëjtat burime, dyshohet se është përdorur edhe në grabitjen e dhjetorit në Laknas, ku u grabitën 3,8 milionë euro. Sqarohet se karakteristikat e mjetit i ishin dhënë të gjitha komisariateve në Tiranës.
Ndërkohë, një ditë më parë Gjykata e Apelit në Tiranë, nuk ka pranuar t’i ndryshojë masat e sigurisë ndaj 4 të arrestuarve, punonjës të Aeroportit të Rinasit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata nuk pranoi të lirojë nga burgu shtetasit Arben Karafili, Bledar Blloshmi, Fadil Jonuzaj dhe Kujtim Piciri me arsyetimin se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë lehtësuese ndaj të dyshuarve që nga momenti i arrestimit. Të katër të dyshuarit ankimuan vendimin e Gjykatës së Krujës që i caktoi masat e sigurisë “arrest me burg”. Por dosja tashmë është transferuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, ku edhe janë caktuar masat e reja të sigurisë, atë të arrestit me burg.
R.POLISI