Policia zbulon parcelën me kanabis, autorët zhduken

Një parcelë me kanabis është gjendur në fshatin Shkozë të Gjegjanit, në zonën e Pukës. Forcat speciale RENEA kanë zbarkuar në terren pas informacioneve të marra për kultivimin e lëndëve narkotike në këtë zonë.

Pas disa orësh monitorimi nga helikopteri, efektivët e RENEA-s evidentuan në një terren të thepisur malor në zonën e quajtur “Qafa e Helmit”, një parcelë me fidanë dhe bimë narkotike.

Ata kanë zbritur me litar në një zonë mes shkurresh derisa kanë arritur në vendin ku ishte kultivuar bima narkotike. Në kuadër të këtij operacioni, Policia njofton se nuk është arrestuar asnjë person, teksa po punohet për identifikimin e përgjegjësve.

Një aksion të tillë të RENEA-s, e ka denoncuar një ditë më parë Partia Demokratike. Përmes një deklarate, ato thonë se në pranga është vendosur oficeri i Policisë Gjyqësore, Kastriot Bicukaj. Ai është liruar më pas pasi është kushëriri i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Fran Tuci.

Operacioni

Policia e Shtetit njoftoi dje se po vijojnë kontrollet dhe operacionet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë kuadër, u finalizua dje operacioni policor antidrogë i koduar “Qafa e Helmit”, i drejtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Policia tha se operacioni u zhvillua në një terren shumë të vështirë në zonën e Gjegjanit të rrethit Pukë.

Në operacion morën pjesë Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, forcat speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, FNSH-ja dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Për gjetjen e vendit të kultivimit forcat speciale RENEA kanë kryer disa orë kontrolle në një zonë malore.

Në vijim të kontrolleve dhe të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në vendin e quajtur “Qafa e Helmit”, në zonën e fshatit Shkozë, Njësia Administrative Gjegjan, Pukë, Shkodër, kishte të kultivuara bimë narkotike kanabis sativa dhe fidanë narkotikë në tokë dhe në kubikë, është organizuar operacioni policor i koduar “Qafa e Helmit”.

“Pas disa orësh monitorim me helikopter u bë i mundur identifikimi i vendit ku ishin kultivuar bimët narkotike kanabis sativa, një terren malor i thepisur dhe i pyllëzuar, çka ka vënë në vështirësi dhe rrezik jetën e forcave speciale RENEA, të cilët kanë zbritur me litar nën një zonë mes shkurreve për të shkuar në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike në tokë dhe në kubikë.

Nga grupi hetimor vijojnë veprimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e personave të përshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të vërtetuar nëse ka pasur implikim ose jo nga ana e inspektorëve të Policisë së zonës, pavarësisht terrenit malor të vështirë”, tha zyrtarisht Policia.

Artikulli paraprakZjarret përfshijnë pyjet në Thirrë dhe në malin e Rrunës në Kukës
Artikulli tjetërVendi nën pushtetin e flakëve, Rama me ministrat me pushime!