Policia zvarrit ekstradimin e Arben Frrokut nga Holanda

Kur po bëhet afërsisht një vit nga arrestimi i Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Dritan Lamajt, autoritetet shqiptare ende nuk dinë çfarë do të ndodhë me vëllanë e ish-deputetit dhe kreut kristiandemokrat. Zyrtarë të Prokurorisë thonë se, ekstradimi i këtij të dënuari mbetet në duart e Policisë. Policia nuk i ka përcjellë asnjë dokumentacion autoriteve holandeze për ekstradimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë, nuk dinë të japin një përgjigje të saktë mbi ecurinë e proceseve gjyqësore në Holandë ndaj Frrokut dhe gjendjen e dosjes së tij.
Frroku është arrestuar në fund të muajit prill të vitit të kaluar nga policia holandeze në Amsterdam, ndërsa lëvizte me një pasaportë të falsifikuar greke me emrin Renato Cepa. Fillimisht, ai iu nënshtrua një procesi gjyqësor në Holandë, bazuar në kërkesën e ekstradimit të autoriteteve shqiptare të Drejtësisë. Nga ana tjetër, Frroku kërkonte refuzimin e ekstradimit me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohej jeta.
Burimet thonë se, në të dy shkallët e para të gjyqësorit, Frroku humbi të drejtën për të mos u ekstraduar në Shqipëri. Por nga ana tjetër ndaj tij nisi edhe një hetim penal për akuzën e falsifikimit të dokumentave. Pikërisht ky proces duket se vonoi ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë.
Burime të Policisë së Shtetit thanë sem janë në pritje të konfirmimit të datës së ekstradimit. Por, nga ana tjetër nuk thuhet koha. Autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë thonë se nuk kanë të dhëna për informacione të reja, apo ndryshime të statusit të dosjes së Frrokut.
Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit 2015, një ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministria e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.
Rama dhe Tahiri i hapën rrugën Frrokut jo vetëm brenda kufijve, por në çdo pikë kufitare me shtetet e tjera. Arratisja e Frrokut ishte shpërblimi që Rama i bëri atij në këmbim të fitores që ai i siguroi PS-së në Pukë, në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Një ditë para se të arratisej, Frroku ka qëndruar me Ramën në një lokal në Pukë, ku prej ditësh ai bënte fushatë për fitoren e kandidatit të majtë.
Pas arratisjes, Prokuroria nisi hetimet dhe zbuloi se Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS ditën që u largua nga Shqipëria drejt Malit të Zi, ç’ka vërtetonte se ai ishte lejuar nga autoritetet shqiptare që të arratisej.

Exit mobile version