Shumë nga miliona qytetarë që janë larguar nga Siria po mendojnë tashmë nëse është e sigurt që të kthehen ose jo në shtëpitë e tyre.
Duke pasur parasysh shkatërrimin që ka pësuar vendi dhe frikën e dhunës së vazhdueshme, ata hezitojnë nëse vendimi për t’u kthyer në Siri është i mirë apo jo.
Mbi 6 milionë sirianë që janë larguar nga vendi i tyre që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011, shpresojnë se rënia e regjimit represiv të Bashar al-Assad do t’i lejojë ata të kthehen në shtëpi.
Rënia e Assadit shënon një pikë kthese në luftën civile, e cila filloi në mars 2011 kur ushtria hapi zjarr ndaj protestuesve të paarmatosur që kërkonin liri më të madhe dhe reforma politike, por kjo nuk do të thotë se konflikti ka përfunduar.
Rënia e papritur e Assadit ofron një ‘fije’ shprese për sirianët që jetojnë jashtë vendit, por kthimi në shtëpi nuk është një vendim i lehtë për ta.
Shumë prej tyre janë integruar në vendet ku jetojnë ose kanë frikë se do të shpërthejnë luftime të reja midis grupeve të ndryshme të ish-opozitës, të cilat do të përbënin një kërcënim të veçantë për pakicat. Përveç kësaj, shumë nuk kanë ku të kthehen.
Dilema e Evropës
Qëndrimi fillestar i Evropës në fillim të konfliktit ishte tregues i solidaritetit me forcat kundërshtare. BE ndërpreu të gjitha lidhjet diplomatike me Sirinë në vitin 2012 dhe mirëpriti miliona sirianë që u larguan nga vendi për shkak të luftës – nën sloganin e kancelares gjermane Angela Merkel “Ne mund ta bëjmë!”
Megjithatë, qëndrimi i Evropës ndaj imigracionit ka ndryshuar ndjeshëm si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel të BE-së, me partitë e ekstremit të djathtë që fitojnë ndikim në rritje në Bruksel.
Të hënën, Austria, Gjermania dhe Belgjika pezulluan të gjitha vendimet për kërkesat për azil nga sirianë për shkak të pasigurisë politike. Megjithatë, një tendencë më e përhershme e mohimit të mbrojtjes ndërkombëtare për qytetarët e vendit do të ngrejë sfida ligjore.
“Edhe nëse vendet e BE-së vendos që Siria është tani një vend i sigurt, duhet të bëhet një vlerësim individual i rrezikut”, tha Eva Singer, shefe e departamentit të azilit në Këshillin Danez për Refugjatët .
Megjithatë, Komisioni Evropian nuk ka dhënë kurrë dritën jeshile për të përcaktuar Sirinë si një vend të sigurt, por as nuk e ka hedhur poshtë opsionin, ndërkohë që është zotuar të ashpërsojë qëndrimin ndaj emigracionit.
Kujtojmë se të dielën, forcat amerikane kryen disa sulme ajrore në Siri kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik për të parandaluar avancimin e tyre.
Aleatët e Assadit, Teherani dhe Moska, që e mbajtën atë në pushtet në 13 vitet e fundit përmes përkrahjes ushtarake, po ashtu reaguan ndaj situatës së re të krijuar në Siri.
Për Teheranin, rënia e Assadit është një humbje e madhe për ndikimin e tij në rajon, pasi i pamundëson Iranit që të vazhdojë armatosjen e grupeve militante, në veçanti Hezbollahut në Liban.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se Irani ishte befasuar siç tha ai nga “dështimi” i ushtrisë siriane për t’iu kundërpërgjigjur ofensivës.
“Po përcjellim zhvillimet për të parandaluar çështjet që na interesojnë. Ato përfshijnë mundësinë e një lufte të re civile apo një lufte mes fiseve të ndryshme dhe shpërbërjen e Sirisë, apo kolapsin e plotë të saj, që do ta shndërronte atë në qendër dhe vendstrehim për terroristët”, deklaroi ai.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi të hënën se Presidenti rus Putin personalisht mori vendimin për t’i ofruar azil Assadit dhe familjes së tij dhe tha se Moska po bënë hapat për të siguruar bazat ushtarake ruse në Siri.
Siria ishte baza kryesore e Moskës në Lindjen e Mesme. Baza detare në Siri ishte pika kryesore në Detin e Mesdheut përmes të cilës Rusia dërgonte njësitë e kontraktuara ushtarake në Afrikë.
Në fjalimin e tij para banorëve të mbledhur në qendër të Damaskut të dielën, udhëheqësi i kryengritësve në Siri, Abu Mohammed al-Golani u premtoi atyre një kapitull të ri për rajonin, në të cilin Siria do të shndërrohej në “shembullin e një shteti islamik”.
Ekspertët dhe diplomatët paralajmërojnë se përçarjet ndërmjet grupeve të ndryshme në Siri mund të përshkallëzojë në një konflikt të hapur siç kishte ndodhur në Libi pas rënies së Gaddafit apo Sadamit në Irak, me ndikim të thellë në Liban, Turqi, Irak dhe Jordani.