Politico: Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?

Shqipëria nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Europian para vitit 2025 dhe shanset që kjo të ndodhë pas këtij viti janë 80 për qind. Kështu parashikon në një analizë revista e bashkimit europian, “Politico”.
Në argumentet e analizës së titulluar “Gara e anëtarësimit në BE”, thuhet se vendi ynë ka treguar aftësi për të ofruar reforma bipartizane, kryesisht ka shmangur luftërat jugosllave të viteve 1990, gjë që e ka lejuar të distancohet nga problemet e kandidatëve të tjerë rajonalë.
Negociatat formale nuk kanë filluar ende. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, teksa Komisioni Evropian ka kritikuar edhe politizimin e gjykatave të Shqipërisë. Sipas portalit të BE, vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin veten si të rrënjosura në Evropë dhe paralajmërojnë se BE-ja do të dëmtojë veten nëse nuk përshpejton anëtarësimin.
“Politico” ka cituar edhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, sipas të cilit “për sa kohë do të jetë e qartë se askush nuk di të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt, po aq do të ekzistojë rreziku që ky vakum të plotësohet nga Rusia”.
Kurse kryenegociatorja e Serbisë për anëtarësim, Tanja Mishçeviç, tha se, “sistemi Shengen nuk mund të funksionojë, dhe bashkimi i energjisë nuk mund të përfundojë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Politico” thekson se, unioni nuk ka oreks për zgjerim dhe se kjo epokë e artë ka përfunduar.
Anëtarësimi sipas saj për të gjitha vendet aspirante nuk do të ndodhë para vitit 2025 dhe se për disa vende, si përshembull Turqia kjo nuk do të ndodhë kurrë.
“Unë nuk do të vendos limite shpejtësie në rrugën europiane, secili kandidat e përcakton vetë këtë në bazë të meritës”, deklaron Komisioneri i Zgjerimit Jonanes Hahn, duke sugjeruar vendet kandidate të përqendrohen në përpjekjet për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe në luftën kundër korrupsionit.
Hahn nuk e ka fshehur as kundërshtinë e një pjese të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi planet e zgjerimin, gjë e cila mund të komplikojë edhe më shumë procesin. Megjithatë në renditje Shqipëria është në vendin e parë si kandidate me mundësi më të mira në rajon, si anëtare e NATO-s dhe vend me rol stabilizues në rajon.
Më pas radhitet Mali i Zi, i cili sipas Politicos nuk mund të anëtarësohet para vitit 2027, por shanset i ka me 90 për qind.
Serbia vjen në vendin e tretë me 80 për qind shanse në po të njëjtin vit, Bosnje Hercegovina gjithashtu parashikohet në 2027, por me 50 për qind mundësi.
Kosova radhitet në vendin e pestë me 30 për qind mundësi anëtarësimi në vitin 2027. Maqedonia duket e pozicionuar më keq, pas Kosovës, me një mundësi anëtarësimi në 2030, me 50 për qind shans. Më pas, radhitet Gjeorgjia, Ukraina, Turqia, etj.

Artikulli paraprakRashica shënon gol në fitoren e Vitesses
Artikulli tjetërRinovimi me Strakoshën, prioritet për Lazion