Dana Milbank, “Washington Post”
Marrëdhënia e çuditshme e Donald Trumpit me të vërtetën ka arritur tashmë në pikën më kulmore. Kandidati republikan për President postoi në Twitter gjatë fundjavës së shkuar se rivalja e tij Hillary Clinton po përpiqej të sabotonte debatet presidenciale duke i caktuar ato në të njëjtat orare me ndeshjet e futbollit. Në fakt, e vërteta është që komisioni dypalësh i debateve, i pavaruar nga partitë politike apo kandidatët presidencialë, i ka publikuar datat dhe oraret e debateve që më 23 shtator të vitit 2015.
Më pas, kandidati republikan tha se kishte marrë një letër nga Liga Kombëtare e Futbollit në të cilën shkruhej: “Kjo është qesharake!”, edhe pse Liga ka deklaruar se nuk ka nisur kurrë ndonjë letër të tillë në adresë të Trumpit. Gjatë një interviste epike për reporterin George Stephanopoulos të “ABC News”, Trump tha se Vladimir Putin i Rusisë “nuk ka për t’u futur në Ukrainë”, në një kohë kur Rusia ka hyrë në Ukrainë që në vitin 2014.
Trump pretendoi më pas se nuk ka asnjë marrëdhënie me Putinin. “Nuk e kam takuar kurrë… nuk kam folur kurrë me të në telefon”, tha ai. Ndërkohë, në vitin 2013 Trump ka thënë se kishte marrëdhënie me Putinin dhe në vitin 2014 ka deklaruar se ka folur drejtpërdrejt me të në telefon, madje se Presidenti rus ishte treguar tepër i sjellshëm.
Trump deklaroi se ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Michael Bloomberg, i cili e kritikoi ashpër gjatë Konventës Kombëtare Demokratike, nuk e njihte aspak, por gjatë një interviste të mëparshme në muajin janar për “CBS”, vetë kandidati republikan ka thënë se ai dhe Bloomberg njiheshin mirë.
Trumpi akuzoi se autori i fjalimeve të Hillary-t kishte përgatitur fjalimin e mbajtur në Konventën Demokratike nga babai i një ushtari amerikan mysliman që kishte humbur jetën në Irak, por e vërteta është që Khizr Khan ka folur pa asnjë letër shënimesh në dorë. Kandidati republikan madje deklaroi se nënës së ushtarit “nuk i është lejuar të flasë” sepse ishte myslimane, por nëna tha se ishte tepër e hidhëruar për humbjen e djalit të saj dhe nuk mund të fliste dot. Kur iu kërkua që të përgjigjej ndaj akuzës së Khanit, i cili tha se Trump nuk ka sakrifikuar kurrë asgjë, kandidati republikan citoi punën e tij në memorialin e Vietnamit në New York gjatë viteve 1980. As kjo nuk është e vërtetë sepse një raport i kohëve të fundit të “Washington Post” vërteton se Trump ka marrë pjesë vetëm në dy apo tri takime të rreth 20 mbledhjeve që janë mbajtur nga Komisioni i Memorialit, madje në një prej këtyre takimeve kishte marrë me vete një reporter të ngarkuar për të shkruar rreth pjesëmarrjes së tij.
Performanca falso e Trumpit është unike në llojin e saj. Nëse doni të dini a është e vërtetë diçka e thënë prej tij mund të hidhni një monedhë në ajër, por edhe kjo metodë do të rezultonte mbivlerësim për sinqeritetin e tij. Politikanët njihen botërisht se gënjejnë, edhe Clinton thotë gjëra të pavërteta, por sipas Glenn Kessler, vërtetuesi i fakteve të “Washington Post”, gjatë gjashtë viteve të karrierës së tij nuk ka njohur kurrë një politikan të krahasueshëm me Donald Trumpin kur bëhet fjalë për gënjeshtra.
Kessler thotë se deklaratat e politikanëve vlerësohen me 4 (vlerësimi më i keq i mundshëm për vërtetësinë) rreth 15 deri në 20 për qind të rasteve. 15 për qind e deklaratave të Hillary Clinton janë vlerësuar me 4. Donald Trump është vlerësuar si “Pinok” në 65 për qind të rasteve.
“PolitiFact”, një tjetër vlerësues i vërtetësisë së fakteve, ka vlerësuar 28 për qind të deklaratave të Clinton si të pavërteta dhe 2 për qind të tyre si “gënjeshtra të tmerrshme”, vlerësimi më i dobët i mundshëm. Nga ana tjetër, 70 për qind e fjalëve të nxjerra nga Trump kanë qenë gënjeshtra dhe 17 për qind e tyre kanë qenë “të tmerrshme”.
Gazetarët e kanë të vështirë t’i quajnë “gënjeshtra” këto fakte të pavërteta që thuhen nga politikanët, pasi nuk dinë çfarë të fajësojnë, injorancën apo keqdashjen. Në rastin e Trumpit, ekziston edhe një mundësi e tretë akoma më alarmante: ai mund të jetë i paaftë për të dalluar diferencën ndërmjet faktit dhe trillimit.
“Gënjeshtra është pjesë e pandashme e natyrës së tij”, thotë Tony Schwartz. “Ai, më shumë se kushdo tjetër që kam njohur, ka aftësinë e çuditshme për të bindur veten se çfarëdo që thotë në një moment të caktuar është e vërtetë ose disi e vërtetë, nuk ka se si të jetë ndryshe”.
Gjatë muajit mars, “Politico” analizoi të gjitha fjalët e thëna nga Donald Trump gjatë një jave dhe arriti në rezultatin se ai thoshte mesatarisht një gënjeshtër çdo pesë minuta. Ai shpik fakte të pavërteta gjatë gjithë kohës duke thënë se: myslimanët kanë festuar në New Jersey kur u rrëzua Qendra Tregtare Botërore, se gjeneralët amerikanë kanë ekzekutuar të burgosur myslimanë me plumba të lyer me gjak derri, se emigracioni është në nivelin më të lartë të historisë amerikane, se Shtetet e Bashkuara kanë taksat më të larta në botë apo se papunësia “mund” të ketë arritur në 42 për qind.
Për çdo rast që Donald Trump ka vendosur të gënjejë ekzistojnë prova të shkruara, audio apo filmike që vërtetojnë të kundërtën. E njëjta gjë vlen për rastin kur refuzoi fuqimisht se e ka quajtur senatorin John McCain “dështak”, apo se ka përdorur fjalët më vulgare për të sharë senatoron Ted Cruz gjatë një mitingu. Në çdo rast, Trump duhet ta dijë me siguri se një kërkim i thjeshtë në internet vërteton se është gënjeshtar. Kjo tregon se ndoshta ai nuk mendon se është duke gënjyer dhe se nuk konsideron të vërtetën si diçka absolute, por si gjënë e fundit që mund të nxjerrë nga goja.