“Politika duhet të ndahet nga krimi”, Basha: Aleanca e Ramës me Çyrbet ka bllokuar ligjin për vetting-un e politikanëve

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar ashpër lidhjet mes politikës dhe krimit, duke i cilësuar ato si pengesë për zhvillimin e vendit. Në një postim në rrjetet sociale, Basha tha se dosja “Çyrbja” dëshmoi sesi zgjedhjet e vitit 2021 u manipuluan nga bandat, të cilat, sipas tij, përcaktuan edhe listat e kandidatëve të Partisë Socialiste.

Ai shprehet më tej se kryeministri Edi Rama ka bllokuar ligjin për vetting-un në politikë, duke e quajtur këtë një përpjekje për të mbrojtur aleancën mes krimit dhe pushtetit. Basha theksoi se ndarja e politikës nga krimi dhe pastrimi i saj nga abuzuesit janë të domosdoshme për të siguruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Postimi i plotë i Bashës:

Lidhjet e politikës me krimin po bëhen ditë pas dite më të qarta, duke dëshmuar sesi pushteti merret përmes bandave dhe në këmbim i shërben atyre e jo qytetarëve.

Dosja “Çyrbja” dëshmoi sesi ndryshimi u pengua në vitin 2021 nga shkatërrimi i zgjedhjeve nga bandat, të cilat arritën të përcaktojnë renditjen e kandidatëve të tyre në listën e firmosur nga Edi Rama, madje se vetë mandati i tij është produk i krimit të organizuar.

Kjo aleancë mes krimit dhe politikës, e faktuar nga dosjet e SPAK, është edhe arsyeja pse Edi Rama mban peng prej më shumë se një viti ligjin për vetting-un në politikë.

Kjo pengesë artificiale për pamundësimin e vetting-ut në politikë, teksa koha e provon si të drejtë dhe të domosdoshëm, duhet të marrë fund.

Ndarja e politikës nga krimi, pastrimi i saj nga të gjithë ata që kanë abuzuar me taksat, pronat dhe besimin e shqiptarëve, është prioritet për të ardhmen e vendit.

Shqipëria meriton më shumë.

Exit mobile version