Nga Rigels Seliman
Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali në një akt të paharrueshëm, vendosi të bëjë një udhëtim në Vatikan. Në vend që të merret me hallet e përditshme të shqiptarëve, ajo zgjodhi të takohet me Papën, ndoshta për t’i kërkuar ndihmë për “mëkatet e saj politike”. Po, po zonja Spiropali u takua me Papën dhe shpresoj të jetë “rrëfyer” tek ai për bëmat e Rilidjes. E pra, në një vend si Shqipëria, ku korrupsioni ka marrë formën e një kulture, një takim i tillë duket më shumë si një shaka e rëndë.
Sigurisht, ndoshta Papa do t’i ketë dhënë disa këshilla për të drejtat e njeriut dhe transparencën, por kush e di se sa “përmendore” do të sjellë ajo në kthim? Një vizitë që duket sikur ka si qëllim më shumë të justifikojë një mazhorancë të diskredituar, sesa të ndihmojë vërtet popullin.
Nga ana tjetër, kemi edhe kryeministrin Edi Ramën, i cili me një krenari të paimagjinueshme vendosi të shfaqet në New York, mes VIP-ave të NBA-së, duke parë ndeshje basketbolli, ku një biletë thuhet se kushton qindra dollarë. Në rreshtin e parë, ai i dha një frymëmarrje të re konceptit të liderit “popullor”. Kjo duket sikur e ka përfshirë në një farë mënyre, duke e bërë të harrojë se drejton një vend të varfër, me qytetarë që vuajnë për bukën e gojës.
Rama dhe ekipi i tij, ndoshta, mendojnë se çdo takim elektoral jashtë vendit është një mundësi për t’u shfaqur, pa e kuptuar absurditetin e situatës, pasi shqiptarët po paguajnë për “luksin” e udhëtimeve dhe takimeve të tij. Kjo sjell një pyetje të thjeshtë: a e dinë ata (qeveritarët” se çdo biletë e blerë është e paguar me taksat e popullit?
E gjithë kjo situatë krijon një kontradiktë të pashpjegueshme: liderët e Shqipërisë që shpenzojnë para të qytetarëve për t’u shfaqur si yje në skena ndërkombëtare, ndërsa në shtëpi vazhdojnë të drejtojnë një vend të mbushur me probleme të thella sociale dhe ekonomike.
Dhe kur kryetarja e Parlamentit do të kthehet nga Vatikan, ndoshta ajo do të sjellë me vete një “përrallë” të re mbi etikën dhe moralin, por në fakt, shqiptarët janë të lodhur nga fjalët boshe. Ajo që do të dëshironim është veprimi, jo fjalët.
Më në fund, ndërsa ne e shohim këtë spektakël të politikës shqiptare, na mbetet vetëm të pyesim: A do të vazhdojmë të paguajmë për këtë cirk, apo do të kërkojmë një shfaqje më të denjshme? Ironia e situatës është se liderët tanë duket se mendojnë se çdo vizitë e tyre është një mundësi për të hyrë në histori, kur në të vërtetë, ata po krijojnë një të kaluar të turpshme dhe do të mbahen mend si “pushtues”, pasi në këto 30 e kusur vite demokraci kanë mbjellë vetëm krim, korrupsion, shpopullim dhe varfëri ekstreme.