Asnjë politikan amerikan, pavarësisht përkatësisë politike, nuk kishte shprehur asnjëherë kaq qartë atë që shumë në fakt shpesh e kanë kujtuar: Shtetet europiane duhet të financojnë aparatet e tyre të sigurisë me të paktën 2 për qind të PBB-së. Edhe vetë Obama, gjatë të dy mandateve, nuk ka lënë rast pa u ndalur mbi nevojën që të gjithë anëtarët e NATO-s t’ia mbështesin peshën ekonomike, atë “nuk mund ta bëjmë të vetëm” që sinjalizon krizën e sistemit të sigurisë të njohur deri më tani. Washington-i nuk mundet dhe nuk do më të mbushë boshllëqe të tilla dhe taksapaguesit e tij nuk e shohin me sy të mirë një Europë sa të papërgjegjshme, aq edhe të pasigurtë për shkak të kërcënimeve të shumta që rëndojnë mbi kufijtë e saj.
Robert Gates, sekretar i Mbrojtjes si me George W. Bush, ashtu edhe me Obamën, e parashtroi me saktësi ekstreme këtë koncept në diskutimin e tij të fundit përpara anëtarëve të Aleancës qysh në vitin 2011. Një diskutim i tillë, me kthjelltësinë e tij krejtësisht amerikane, mbetet akoma aktual, bile duket si një prej gurthemeleve mbi të cilat Donald Trump po ngre programin e politikës ndërkombëtare të tij.
Domethënë, nëse tensionet rreth rolit të NATO-s nuk janë të reja në klasën drejtuese dhe në opinionin publik amerikan, ata inkuadrohen në një spektër më të gjerë të debatit mbi vetë rolin e Shteteve të Bashkuara në votë. Pulsimet izolacioniste janë shfaqur gjithmonë në dialektikën politike të superfuqisë, duke u ngulitur, megjithëse në shkallë të ndryshme, midis radhëve si të demokratëve, ashtu edhe të republikanëve. Pulsime të tilla kanë shërbyer gjithmonë si kundëraltar për mitin ose konstatimin e ekspesionalitetit amerikan, vetëperceptimin si kalorës të lirë, të demokracisë dhe jo të fundit, të rendit që mbizotëron gjithmonë në sallën e butonave të Washington-it, por edhe mendjet e zemrat e qytetarëve amerikanë.
Zgjedhjet, që të martën e parë të nëntorit do të vënë Hillary Clinton përballë Donald Trump, ofrojnë një rast studimor paradigmatik të konfrontimit midis këtyre shtytjeve divergjente. Nga njëra anë, kandidatja demokrate mishëron një traditë të rrënjosur mirë në disa presidenca të fundit.
Qe pikërisht i shoqi Bill i pari që vuri në praktikë më 1999 në Kosovë atë interpretim në sens të kundërt të Nenit nr. 41 të Kartës së Kombeve të Bashkuara të njohur si “ndërhyrje humanitare”, e përqendruar mbi mundësinë për të ndërhyrë ushtarakisht në punët e brendshme të një shteti të tretë për të shmangur krime kundër njerëzimit. George W. Bush e çoi një doktrinë të tillë në konsekuencat më ekstreme të saj, duke aderuar në tezën neokonservatore të eksportimit të demokracisë. Sigurisht, duke parë kohërat, Hillary Clinton nuk do të deklamojë me zë të lartë aderimin e saj në një shkollë të tillë mendimi, edhe pse për të mos e përgënjeshtruar totalisht punën e banorit aktual të Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana tjetër e barrikadës, imobiliaristi më i famshëm i botës prezanton një vizion rrënjësisht të kundërt. Një vizion që, po ta shikosh mirë, përbën një evolucion eksponencial të politikës së jashtme obamiane. Një paradoks, sigurisht, por edhe për të njëzuar qasjen e tij ndaj politikës së jashtme, është një lajtmotiv tashmë i njohur për mbështetësit e Grand Old Party, i afërt me “Country first” e John McCain në garën e tij presidenciale të vitit 2012. Megjithëse duke i apeluar nocionit të zgjerimit të hapësirës demokratike, administrata Obama ka adoptuar një qasje të matur dhe me profil të ulët, duke inauguruar politikën e leading from behind dhe duke i zvogëluar përpjekjet ushtarake dhe ekonomike amerikane në zona të ndryshme të botës.
Krizat ndërkombëtare që kanë karakterizuar dy mandatet e tij tregojnë për një botë që, jetime e “rregullatorit të instancës së fundit”, bëhet më e paqëndrueshme dhe më e copëzuar. Aleatë dhe kundërshtarë e kuptojnë, duke tentuar që të përfitojnë nga tërheqja e Washington-it duke i përzier kartat e lojës dhe duke konceptuar skema gjithnjë e më të komplikuara në nivel rajonal. Tri shembuj mbi të gjithë: Lindja e Mesme, pothuajse tërësisht në flakë, po eksperimenton alkimi të reja në të cilat aleancat e konsoliduara u lënë vend miqësive të reja jokonvencionale.
Në Ukrainë, Moska e ka kuptuar e para se administrata Obama do ta kishte shumë, shumë të vështirë të mbronte përpara opinionit publik ndërhyrje të shënuara në mbështetje të qeverisë së Kievit (paragjykimi antirus i shumë mjediseve elitare amerikane nuk ngulitet me të njëjtën energji midis amerikanëve të thjeshtë). Në Lindjen e Largët, zgjedhja për ta bërë Paqësorin shtyllën e politikës së jashtme amerikane ka prodhuar një ashpërsim të disa kontestimeve afatgjata midis lojtarëve të kësaj zone, më shumë sesa një zbutje të tyre: edhe këtu, aleatët rajonalë të superfuqisë janë skeptikë ndaj interesit real të Shteteve të Bashkuara për t’i mbrojtur përpara agresivitetit të fqinjit të bezdisshëm kinez. E zënë midis dëshirës – apo nevojës – për ta bërë Pekinin një partner strategjik dhe doktrinës leading from behind ndaj vendeve mike të zonës, Amerika u dërgon atyre sinjale kontradiktore.
Pavarësisht afirmimeve parimore, ekziston një trait d’union i maskuar midis politikës së jashtme të Presidentit Obama, për mënyrën sesi është përdorur gjatë këtyre 8 viteve dhe qasjes së Trump, për mënyrën sesi është deklamuar gjatë fushatës elektorale në zhvillim. Gjithsesi, jo një qasje izolacioniste tout court: në diskutimin e tij për pranimin e kandidaturës, The Donald ka prekur telat patriotikë të delegatëve, duke ju kujtuar “poshtërimet” ndaj të cilave presidenca Obama kishte ekspozuar vendin dhe duke u ripremtuar që t’i shëndoshte. Njëkohësisht duke konfirmuar një impenjim konkret ndaj shpartallimit të ISIS-it: por kjo nuk duhet të habisë, pasi Trump ka shpalosur gjithmonë idenë se do ta luftojë çdo kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, brenda dhe jashtë kufijve të vendit.
Domethënë, një paradoks: në politikën ndërkombëtare, bota mund të asistojë në një kthesë më të fortë nëse nga kutitë do të dilte fituese Hillary Clinton, demokrate, sesa republikani Donald Trump. Por, përtej çdo rindërtimi teorik, problemi themelor ka të bëjë me interesin europian në tërësi dhe atë të çdo vendi të veçantë: në lojë është siguria e vendit dhe e kontinentit, në një moment historik në të cilin ajo është e kërcënuar ndjeshëm.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA