“Politika me fytyrë njerëzore”, Basha: Nuk ka bekim më të madh sesa të angazhohesh në jetën profesionale me njerëzit dhe për njerëzit

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin “Fit” në Neës24, foli për sfidat e krijimit të miqësive në politikë.

Ai theksoi se, përkundër angazhimit të tij politik, miqësitë e vërteta lindin nga interesa të përbashkëta që shkojnë përtej politikës, si letërsia, arti dhe kultura. Basha theksoi rëndësinë e ruajtjes së një marrëdhënieje të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë me njerëzit, duke shmangur trajtimin e tyre si faktorë politikë, dhe fokusin në ndihmën për të ndryshuar jetën e tyre për mirë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Ka qenë e vështirë të krijosh miqësi pasi je angazhuar në politikë dhe ke patur poste shumë të rëndësishme.

Lulzim Basha: Shpeshherë pikëpamjet e njëjta, apo të ngjashme për jetën, interesa të ngjashme, të lidhin me njerëzit edhe përtej interesave politike apo profesionale. Pra, këto mund të jenë interesa për ku di unë, për letërsinë, për artin, për kulturën, për hobi të ngjashëm apo të njëjtë. Dhe këto padiskutim krijojnë një kimi që shkon përtej interesave personale, apo në këtë rast, interesave politikë. Megjithatë e rëndësishme është të kuptosh që miqësia e vërtetë është ajo që nuk lidhet me interesin e përditshëm. Politika ta jep këtë shans, të dish të ndash mes miqësisë të vërtetë dhe natyrisht bashkëpunimit, mirësjelljes, por edhe si me thënë kolegjialitetit që po kështu është i rëndësishëm. Sepse duam, s’duam një pjesë të madhe të jetës e okupon profesioni dhe në rastin tim edhe politikëbërja, e parë në politikën në tërrësi. Ana tjetër e politikës është që je gjithmonë afër njerëzve. Dhe këtu pastaj ke një sfidë: ta mbash marrëdhënien me njerëzit sa më të sinqertë e të drejtpërdrejtë, sepse natyra e politikës që vendos gjithmonë sfida, objektiva për t’u arritur, mbart me vete dhe rrezikun e madh të robotizimit, të trajtimit të njerëzve si faktorë politikë dhe jo për atë që janë. Njerëz me halle, me shpresa, me dëshira, me objektiva, askush nuk është perfekt. Pra, duhet të mbetesh zemërgjerë, duhet të mbetesh me këmbë në tokë të kuptosh që me të vërtetë sfidat e arritjes së objektivave politike nganjëherë mund të duken, nganjëherë duken edhe si mallkim. Por nuk ka bekim më të madh sesa të angazhohesh në jetën profesionale me njerëzit dhe për njerëzit. Domethënë të zbulosh se çfarë i shqetëson, çfarë i motivon dhe të përpiqesh sado pak të ndryshosh jetën e tyre. Ose të paktën s’ua bën më të vështirë.

Artikulli paraprakBasha tregon për jetën e tij studentore, pasionin për të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si e kanë impaktuar rrugëtimin e tij profesional
Artikulli tjetërBasha flet për marrëdhënein që ka me vajzat e tij: Jam i bekuar