Nga Ermal Peçi
Gjatë gjithë ditës isha në dilemë për të analizuar ngjarjet politike të brendshme, të cilat nuk kanë fund apo të analizoja zgjedhjet për president në Maqedoninë e Veriut. Prevaloi faktori shqiptar mbi thashethemet e politikës dhe intrigave që luajnë kodoshët e politikës.
Ditën e djeshme në Maqedonin e Veriut u zhvilluan zgjedhjet për President, në garë përveç dy kandidatëve maqedonas, ishin Bujar Osmani i BDI-së dhe ArbenTaravari i koalicionit “Vlen”.
Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova e ka fituar bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut të mërkurën dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në raundin e dytë në muajin e ardhshëm. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Davkova, e cila vjen nga partia opozitare VMRO DPMNE – i fitoi 40.10% të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, i fitoi 19.93% të votave dhe më pas vjen Bujar Osmani me 13.36% të votave ndërsa Arben Taravari me 9.21% të votave. Pati një normalitet të ecurisë së zgjedhjeve dhe daljes së rezultatit ndryshe nga Shqipëria që rezultati futet në kalendat greke e kontestohet për katër vitet e ardhshme, pastaj çdo gjë tjetër shkoi për shqiptarët si mos më keq ose siç kanë qenë gjithmonë, të përçarë.
Historia është e destimuar të përsëritet për sa kohë ne nuk nxjerrim mësime prej saj dhe kjo është ajo çfarë ne pamë në Maqedoninë e Veriut.
Edhe pse rezultati nuk ishte fare pozitiv për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ata nisën deklaratatat se kush ishte fitues mes veti dhe kush ishte fajtor që ata nuk u bënë bashkë. Një shëmti e marrëzi politike, e cila duhet marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.
Kandidatja e VMRO-DPMNE dhe pse njihet si parti nacionaliste dhe disa prej tezave të saj duken të pamundura për t’u realituar krerët politikë shqiptarë duhet të reflektojnë. Nuk dua të hyj në rolin e megalomanit dhe të delirit që kap çdo gazetar e që mund të shkruajë, por dua të bëj një thirrje për faktorin politik shqiptar në Maqedonin e Veriut.
Garën nuk e keni mes veti, betejen politike nuk e keni mes veti, por bashkohuni drejt një vizioni dhe plani politiko- ekonomik për të sjellë një ofertë, e cila i përfshin të gjithë shqiptarët, por gjithashtu t’i përfshini në sistemin shtetëror ku nuk mund të shihet si një sistem punësimi vetëm për mbështetësit tuaj.
Lerini egot mënjanë, ju burrat që kemi dhënë për atdhe dhe po ashtu keni marrë, sot ju duhet të ngjallni shpresë dhe ta tregoni me vepra, e jo të krijoni mirazhe politike të riciklueshme ku shqiptarët zgjedhin t’ju braktisin dhe të marrin rrugët e emigrimit duke lënë tokat shqiptare bosh.