Politikanët që “non grata” po i rikthen në politikën aktive

Tom Doshi ka njoftuar se në zgjedhjet e 11 majit do të kandidojë për deputet me partinë e tij PSD. Rikthimi i Doshit në politikën aktive është një shembull tjetër se si “non grata”, që pritej të ishte fundi politik i disa politikanëve, në fakt rezulton krejt e kundërta, duke i rikthyer ndoshta më fuqishëm në pozitat që kanë pasur.

Kujtojmë se Tom Doshi u zgjodh deputet në vitin 2021, por ai e dorëzoi mandatin duke u tërhequr nga politika aktive, por jo nga ambiciet për të qenë pjesë e saj. Në zgjedhjet e kaluara vendore, pa artikuluar asnjëherë alternativën e saj politike, Partia Social-Demokrate e Tom Doshit arriti të dalë forcë e katërt në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke marrë plot 116 mandate këshilltarësh në rang kombëtar. Një analizë e rrjetit investigativ BIRN tregoi dy vjet më parë se PSD pësoi një rritje prej 2.4%. Nëse këto zgjedhje do të ishin parlamentare, Doshi do të siguronte 9 mandate deputetësh.

Rasti tjetër është ai i Sali Berishës, i cili u shpall non grata pak pas zgjedhjeve të vitit 2021. Me gjithë përpjekjet për ta mbajtur larg politikës dhe PD-së, tashmë ai drejton zyrtarisht partinë më të madhe në opozitë, duke qenë alternativa kryesore përballë qeverisë së Edi Ramës.

Vangjush Dako është një tjetër politikan që, pavarësisht se u shpall “non grata”, ka drejtuar zyrtarisht dhe nën rrogoz Partinë Socialiste në qarkun e Durrësit. Dy vitet e fundit ai nuk ka qenë pjesë e këtij drejtimi për shkak se ka qenë i dënuar në qelitë e burgut. Nuk dihet ende se ç’peshë do të ketë Dako në këto zgjedhje për PS në Durrës. Ndërkohë, Aqif Rakipi, një tjetër non grata nga SHBA, tashmë ka trashëgimtarin e tij biologjik dhe politik në radhët e PS-së dhe në parlament. Ornaldo Rakipi, djali i Aqif Rakipit, theu herësin në zgjedhjet e kaluara parlamentare duke u katapultuar mes fituesve. 27-vjeçari rezultoi si një nga kandidatët më të preferuar nga banorët e Vorës, Gërdecit, Marqinetit dhe një sërë fshatrash në rrethinat e Tiranës.

Duket qartë se shpallja “non grata” për politikanët shqiptarë nuk ka pasur pasoja dhe aq dramatike sa ka shkaktuar lajmi i mbërritur nga Uashingtoni. Sigurisht që mbetet e dyshimtë mënyra se si disa nga non gratat kanë mundur të rifitojnë “besimin” e qytetarëve për alternativën që përfaqësojnë. Por me gjasë, dekriminalizimi i politikës mbetet ende një ide e mirë, por pak e realizuar në kushtet e Shqipërisë./vna.al

Artikulli paraprakRreth 2 milionë qytetarë u drejtohen sot kutive të votimit në Kosovë, zgjedhjet e nënta parlamentare që pas përfundimit të luftës
Artikulli tjetërPragzgjedhjesh