“Politikë e destinuar të dështojë”, presidenti i socialistëve europianë kritika të ashpra për Ramën: Ne nuk propozojmë modele të tilla, siç dëshiron ekstremi i djathtë

Zgjedhja e Shqipërisë për të pritur përkohësisht një pjesë të vogël të emigrantëve që mbërrijnë në Itali po shkakton një luftë të brendshme brenda Partisë Socialiste Evropiane.

Lëvizja e kryeministrit Edi Rama për të “shpëtuar” Giorgia Melonin u prit me jo pak shqetësim brenda familjes PSE, së cilës i përket edhe PSSH.

Presidenti i socialistëve europianë Stefan Loefven kritikoi hapur marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës, transmeton IlFattoQuotidiano.

Nga kongresi i Partisë Socialiste Europiane në Malaga të Spanjës, Loefven u distancua nga modeli i paraqitur, duke shtuar se marrëveshje të tilla i kërkon vetëm një qeveri e ekstremit të djathtë.

 

“Migracioni duhet të menaxhohet duke përdorur një kuadër progresiv. Ne duhet të promovojmë shtigje gjithëpërfshirëse , duhet të gjejmë mënyra për ta bërë atë një fitore për shoqëritë tona dhe për emigrantët, ky është modeli që propozojnë socialistët. Jo siç dëshiron qeveria e ekstremit të djathtë në Itali t’i transferojë kërkesat për azil Shqipërisë”, ka thënë Loefven.

 

Presidenti i Socialistëve po ashtu u shpreh se kjo politikë si shumë të tjera që janë angazhuar për migracionin, është e destinuar të dështojë.

“Migracioni – shtoi Loefven – ka ekzistuar për aq kohë sa ka ekzistuar njerëzimi dhe e djathta angazhohet në demagogji kur thotë se mund ta ndalojë, këto janë politika të destinuara të dështojnë”.

Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz, nga e njëjta konferencë, ka deklaruar se ishte i gatshëm të shqyrtonte marrëveshjen e Italisë dhe Shqipërisë, për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar nga italia në detin Mesdhe, në Shqipëri.

Exit mobile version