Politikisht korrektja është sovjetike

Natan Sharansky, 9 vite burg si hebre refusenik, në autobiografinë e tij heq një paralele midis “mendimit të grupit” të atëhershëm dhe të sotëm. “Im atë ndërtoi një jetë dyfishe për t’i shpëtuar represionit”.

Në vitet gjatë cilave Natan Sharansky organizonte një lëvizje hebraike rezistence ndaj represionit sovjetik, në shtyp sionizmi damkosej si “pornografi” dhe televizioni shtetëror rus i quante refusenik si ai “tregtarë shpirtërash”. KGB e arrestoi Sharansky me akuzën se ishte spiun. U dënua me 13 vjet burg. Jashtë gjykatës, dhjetëra hebrenj kënduan himnin e Izraelit, Hatikvah. Në burg, Sharansky u vu që të pastrojë banjot. Për festën e Chanukkah ndizte qirinj në shenjë proteste. Çdo herë ndëshkohej. Bënte greva të vëazhdueshme urie dhe, për të mos humbur aftësitë mendore, luante shah me veten, pa gurë, pa tabelë shahu. U sëmur rëndë, duke rrezikuar që të vdesë, dhe ju konfiskuan librat hebraisht. Nga New York, fizikani i madh Edward Teller do ta quajë një prej “martirëve”të ‘900. Në shkurtin e 1986 Sharansky u shkëmbye me spiunë të tjerë në duart e amerikanëve në urën Glinicke. Në Berlin. Kështu që nga liria e fjalës Sharansky diçka di.

“Im atë ishte besimplotë”, shkruan Sharansky në autobiografinë e tij “Never alone: Prison, politics and my people”, në një ekstrakt të botuar tek “Tablet”. “Komunistët kishin premtuar se do të lindëte një jetë e re plot barazi, pa kufizime edukative dhe, gjëja më e rëndësishme, me mundësi të barabarta për të gjithë. Kush nuk do ta kishte dashur?”. Një prej vëllezërve të babait kishte zbuluar sionizmin dhe kishte shkuar në Palestinën e atëhershme nën mandat. Babai i Sharansky “ishte entuziast për ndërtimin e një bote me drejtësi sociale dhe barazi më shumë në shtëpinë e tij. Qysh kur ishte fëmijë, im atë pëlqente të shpikte histori. Imagjino rrënqethjen kur në moshën 20 vjeçare ka parë miliona njerëz të shikonin një skenar që kishte shkruar. Natyrisht, për të pasur sukses në karrierën e tij si skenarist i është dashur të ndjekë disa rregulla. Skenarët e tij, ashtu siç çdo vepër tjetër arti, duhej të ndiqnin revolucionin bolshevik, duke e parë botën nëpërmjet syzeve të luftës dhe të shfrytëzimit të klasave. Bota e vjetër dhe vlerat e saj të prapambetura duhej të shkatërroheshin për të prodhuar drejtësinë. Sot një vizion i ngjashëm mund të quhet “Critical Class Theory””.

Këtu Sharansky i jep goditjen e parë proliferimit të “teorive kritikë” në universitetet tona, duke i krahasuar me ortodoksinë sovjetike. “Gjithçka duhej t’i shërbente ideologjisë komuniste: çdo institucion, çdo mjet, çdo formë arti. Lenini e kishte vlerësuar jashtëzakonisht potencialin e propagandës së filmave, duke deklaruar: “Për ne kinemaja është më e rëndësishmja e arteve”. Termi “politikisht korrekt”, sot kaq popullor, është shfaqur në fundvitet ‘20, për të përshkruar nevojën e korrigjimit të mendimit të disa “devijacionistëve” dhe për t’ja përshatur vijës së partisë komuniste. Çdo personazh pozitiv me origjinë borgjeze në fund duhej ta kontrollonte privilegjin e tij, ta dënonte të kaluarën e tij prej shtypësi dhe të merrte publikisht përsipër përgjegjësinë e mëkateve të veta”.

Në fillim, besimtarët e vërtetë që mbështesnin objektivat fisnike të revolucionit i pranuan lehtësisht këto kufizime. “Por me Terrorin e Kuq, sulmet në rritje ndaj fesë, nacionalizmit dhe pronësisë private kanë shkatërruar iluzionet e pjesës më të madhe të njërzve. Numri i besimtarëve vazhdonte të pakësohej, ndërsa frika vazhdonte të përhapej. Megjithatë, në mes të zhgënjimit, askush nuk dëshironte të sakrifikonte ëndërrat e veta personale. Dëshiroje ende ta shikoje punën tëndë të realizuar. Për të ndodhur që historitë e tua të miratoheshin dhe për të reduktuar rrezikun e refuzimit – ose ekspozimit – im atë e ka kaluar në sitë shtypin zyrar sovjetik në kërkim heronjsh të miratuar paraprakisht”.

Por një gazetë lokale botoi një artikull lidhur me origjinën borgjeze të skenaristit të ri dhe “lidhjet sioniste” të tij, për shkak të atij vëllai që ishte transferuar në Jeruzalem. “Kështu im atë u fshi. Duke pasur frikë për jetën e tij, im atë u arratis nga industria kinematografike, nga Odessa, dhe nga bota e tij e dashur krijuese, në vitin 1929. Duke arritur në një qendër të errët industriale ukrainase, që sot është e njohur si Donjeck, kaloi pjesën tjetër të karrierës prej shkrimtari si gazetar, duke celebruar proletarët që ndërtonin botën e re sovjetike në një seri revistash industriale”.

Çdo artikull që shkruante zgjaste jetën dyfishe. “Duke e ditur se çdo devijim nga vizioni ideologjik do të damkosej si “gënjeshtër borgjeze”, im atë u bë pjesë e një zinxhiri të madh montazhi që prodhonte versionin sovjetik të fake neës”.
Sharansky u lind 20 vite më pas, më 1948. “Çdo ditë ima atë shkonte në kërkim historishë interesante. Por, kur bëhej fjalë që t’i shkruante, imagjinata e tij duhej të reduktohej, goja t’i mbyllej, dora e tij të mbërthehej nga ngërçi, ndërsa prodhonte atë që kërkonte partia”.
Shumë kolegë i hidhnin paratë në vodka; vesi i babait qenë librat. “Pëlqentë të blinte libra, të lexonte klasikët, të hidhej në realitete alternative, ku imagjinata e tij mund të lundronte lirisht, pa një çmim për të paguar apo një vijë partie për të mbështetur. Fshehurazi, dëgjonte rregullisht “Voice of America”, BBC apo çdo kanal tjetër radiofonik perëndimor. Të qënit letrar në një det frike nënkuptonte që të preokupohej në mënyrë konstante se mos mbytej”.

Stalini kishte vrarë poetin Osip Mandelstam. Disa qenë vrarë, si poetja Marina Cvetaeva. Të tjerë jetonin përditë me frikën e arrestimit apo hijen e spastrimeve, si Anna Akhmatova. Të tjerë akoma, si romancieri Mikhail Bulgakov, kishin pranuar që librat e tyre të mbeteshin të pabotuar. “Libri i tij “Mësuesi dhe Margarita” nuk do ta shikonte dritën e botimit për dekada të tëra. Të tjerë akoma, si Boris Pasternak, kërkuan lexues tjetërkund dhe ja paguan çmimin në shtëpi. Por mësimi që kam nxjerrë nga shkrimtarët e gjeneratës së tim eti është se ata që i rezistuan mendimit të dyfishtë janë ata që vazhdojnë të na influencojnë”.

Në vitin 1962, gjatë periudhës së shkurtër të “shkrirjes” së Hrushovit, familja Sharansky qe entuziaste kur Aleksandr Solzhenicin botoi në revistën “Novy Mir” një tregim hidhur që përshkruante vuajtjen në gulag: “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit”. “Por askush nuk ishte krejtësisht i sigurtë se çfarë do të lejohej dhe çfarë jo, cila vijë e kuqe do të përshkonte nesër; për çfarë “makroagresioni” apo “mikroagresioni” mund të konsideroheshin fajtorë”.

Nëse në gjeneratat e para pas vitit 1917 zgjedhja kishte qenë midis të qënit besimtar dhe pasjes së një “mendimi të dyfishtë”, në gjeneratën e Natan Sharansky kishin mbetur pak besimtarë. “Fusha jote vizive duhej të ishte vërtet shumë e ngushtë për ta parë akoma shoqërinë në shkatërrim rreth teje si një lloj parajse komuniste. Kolegët e mi po zgjidhnin midis “mendimit të dyfishtë” dhe “mospajtimit”. Është e vërtetë, pasu partia është larguar nga politika e spastrimeve vrastare të Stalinit, mospajtimi zakonisht të kushtonte karrierën ose lirinë, jo jetën. Megjithatë, pak qenë të gatshëm që ta tejkalonin kufirin midis “mendimit të dyfishtë” dhe “mospajtimit””.

Megjithatë, ishte e vështirë të individualizohej se kush e kishte zgjedhur dyfishtësinë. “Kush vërente miliona qytetarë të marshonin besnikërisht në manifestimet e 1 majit, duke përshëndetur udhëheqësit e tyre, konkludonin se qemë të gjithë besimtarë të vërtetë. Megjithatë, policia sekrete e dinte sesa pak qenë të sinqertë. KGB e ka transformuar kështu jetën tonë të përditshme në një seri testimesh. Kishte sondazhe konstante, disa të fshehura, disa direkte, për të përcaktuar besnikërinë. Duhej të shikoje gjuhën, gjestet, reagimet, miqësitë, sepse “ata” të vëzhgonin gjithmonë”.
Më pas del në skenë Andrei Sakharov, shkencëtari numër një. “Në majin e 1968 ky shkencëtar i famshëm qarkulloi një manifest prej 10000 fjalësh që e shkatërroi jetën time të kënaqur. “Liria intelektualë është thelbësore për shoqërinë njerëzore”, deklaroi Sakharov. Duke denoncuar plot kurajo kontrollin e mendimit sovjetik, përqeshi “dogmatizmin e kalcifikuar të një oligarkie burokratike dhe armën e saj të preferuar, censurën ideologjike”. Sakharov kishte paralajmëruar se shkenca sovjetike ishte në rrezik pa “kërkimin e së vërtetës”. Imagjinonte “dy skiatorë që rrëshqisnin në dëborë”. Ndërsa skiatori sovjetik kishte filluar ta arrinte atë amerikan, mungesa jonë mbytëse e lirisë na bënte të rriteshim më ngadalë. Në atë kohë qenë të pakët ata që mund ta kuptonin thellësinë e kësaj kritike. Sakharov na ka ndihmuar të kuptojmë se kufizimet sovjetike ndaj mendimit qenë të thella. Shkencëtarët sovjetikë kalonin aq shumë kohë duke ruajtur shpatullat në pasqyrat e prapme sa që nuk mund të vraponin përpara dhe të arrinin bashkëmoshatarët e tyre perëndimorë. Sakharov po më paralajmëronte mua dhe bashkëmoshatarët e mi se nuk kishte asnjë vend ku mund t’i shpëtohej realitetit mbytës që kishte penguar punën e tim eti”.

Nga historia e familjes së tij Sharansky nxjerr konkluzione lidhur me realitetin. “Mund t’i shprehësh opinionet tuaja me zë të lartë, në publik, pa pasur frikë se mos ndëshkohesh formalisht apo në ndonjë mënyrë tjetër? Nëse po, jeton në një shoqëri të lirë; nëse jo, jeton në një shoqëri të frikës. Në Perëndim sot presioni për t’u konformuar nuk vjen nga lartë, liderët tanë politikë nuk janë diktatorë stalinistë. Vjen nga fanatikët rreth nesh, shpesh nëpërmjet Twitter-Shaming, për t’i shtyrë njerëzit që të heshtin apo në një konformizëm fals politikisht korrekt”.
Kemi nevojë për një Twitter Test që sfidon totalitarizmin kulturor. “Në shoqërine demokratike ku jeton, mund t’i shprehësh opinionet tuaja me zë të lartë, në publik dhe në privat, ne rrjetet sociale dhe në mitingje, pa pasur frikë se mos të turpërojnë, shkishërojnë apo fshijnë? Përfundimisht, nëse jeton me një “mendim të dyfishtë” nuk varet nga autoritetet apo nga korporatat që menaxhojnë platformat: varet nga ty. Secili prej nesh vendos individualisht nëse dëshiron të nënshtrohet apo të këpusë zinxhirët që na pengojnë të shprehemi”.

Ndërsa Sharansky bënte burg si hebre, Vladimir Bukovskij, që midis çmendinës dhe burgut kaloi më shumë vite të rinisë si i dënuar sesa si njeri i lirë, pësonte një prej dënimeve më të ashpra për krimet politike të dhëna ndonjëherë pas vdekjes së Stalinit (12 vjet) dhe jo vetëm pse kishte organizuar lexime poezie. Ashtu si Sharansky, edhe ai do t’i “shitej” Perëndimit nga Bashkimi Sovjetik në shkëmbim të liderit komunist kilian Luis Corvalán dhe, po ashtu si Sharansky, as Bukovskij nuk i pëlqente që ishte bërë gjithnjë e më pak e lirë ajo që dikur, duke e admiruar, quhej “bota e lirë”. “Bashkimi Sovjetik ishte një shtet i qeverisur nga ideologjia”, do të thotë Bukovskij nga ekzili i tij në Cambridge. “Sot vërej me shumë vëmendje sesi politikisht korrektja përhapet dhe bëhet një ideologji shtypëse”.
(nga Il Foglio)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version