Politizimi ekstrem i policisë së shtetit, vret dy herë!

Nga Namir Lapardhaja 

Problemi i policisë në Shqipëri është politizimi i tejskajshëm, prej ku profesionalizmi hidhet tej dhe gjithçka vihet në funksion të politikës dhe të propagandës.

Shihni rastin e pak ditëve më parë në Pogradec, ku policia u vu në shërbim të fshehjes së një krimi, për shkak të lidhjes së autorit me pushtetar lokal.

Shihni sot në Tiranë, ku kryepolici i Tiranës del e thotë se autori i plagosjes është efektiv policie, por ishte jashtë shërbimit dhe, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, mund të vetëvritet.

Nga e dinte Vocaj gjendjen e rënduar psikologjike të autorit?!

Sigurisht është një mënyrë për ta hequr vëmendjen nga funksioni i policit të autorit dhe një mënyrë për ta orientuar debatin diku tjetër.

Kohët e fundit shpeshherë punonjës të policisë së shtetit janë bërë pjesë e ngjarjeve kriminale, për shkak të politizimit të tejskajshëm të policisë, ashtu si të gjithçkaje në këtë vend.

Janë marrë në punë si militantë partie, pa kurrfarë kriteri dhe pa kurrfarë testi.

Një pjesë e tyre janë konsumues dhe përdorues të lëndëve narkotike, ndërsa një pjesë e madhe e drejtuesve të tyre të lidhur me botën e nëndheshme të krimit.

Kjo është fatkeqësia e një vendi ku polici në vend që të të mbrojë, të vret.

Edhe kur s’të vret si sot me armën e shtetit, të ‘vret’ duke manipuluar provat dhe faktet, si në rastin e Pogradecit.

Exit mobile version