Politologu Ilir Kalamaj: Berisha nxori Argitën si pasardhëse, tkurrje dramatike e mbështetjes

Politologu Ilir Kalemaj, flet për një tkurrje të madhe të delegatëve në Kuvendin Kombëtar të pjesës së Rithemelimit në Partinë Demokratike, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021 ku ishin 4920 delegatë.

Në studion e lajmeve të MCN TV, Kalemaj tha se i vetmi lajm i prodhuar në Kuvendin e së shtunës ishte dalja publike e Argita Malltezit, dhe projektimi i saj si pasardhëse e Sali Berishës.

Në Kuvendin e sotëm kishte një tkurrje dramatike të delegatëve, referuar shifrave del se në sallë numri i përgjithshëm del nën 1 mijë vetë.

Ky numër nuk lë shumë vend për optimizëm, krahas dhe faktit që jo vetëm grupi parlamentar i drejtuar nga Gazment Bardhi refuzoi të merrte pjesë, por edhe disa nga deputetët më të spikatur të PD, si Gjekmarkaj apo Salianji munguan.

Duket se mbështetja politike e Sali Berishës nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër ka ardhur disi e zbehtë, ndoshta presin se cila do të jetë e ardhmja e Rithemelimit.

Palët janë në një bashkëpunim të vështirë për faktin që Gazment Bardhi dhe deputetët që i mbështesin, ata që bojkotuan mbledhjen e sotme, refuzojnë të njohin Berishën kryetar të PD.

Këtu nuk kemi nuanca të vogla, por ajo që është ashiqare, nuk mund të fshihet fakti që gati dyfishi i grupit, janë kundër njohjes së Berishës si kryetar i PD.

Dhe këtu nuk po flasim për grupin e Bashës, ata dhjetë që ka Basha me vete, që nuk njohin as Berishën dhe as Bardhin. Kjo është drama e Partisë Demokratike, paaftësia për tu bashkuar.

Berisha u vetëbesua në bazë të statusit të krijuar prej vetë tij, që nëse humbet zgjedhjet lokale votëbesohesh, nëse humbet zgjedhjet parlamentare, hapet gara për kryetar.

Nëse ti nuk e ke në plan të mundësh Ramën dhe të rregullosh problemet e familjes, koston politike e mban opozita.

Lajmi i vetëm që u prodhua sot është shfaqja e Argita Malltezit si pasardhëse politike, dalja e dytë publike e saj, për të cilën është përfolur që ka qenë faktori kryesor që solli Lulzim Bashën.

Kjo e sotmja i vë vulën deri diku që zonja Berisha do të jetë dhe pasardhësja politike e Sali Berishës.

Exit mobile version