Ish Kryetari I Komisionit të Mediave, Pollo ka dënuar sot sulmin ndaj publicistit dhe kritikut të qeverisë, Lubonjë duke e konsideruar atë si një sinjal për ti mbyllur gojën.
“Fatos Lubonja me jetën e tij të vështirë është simbol për shumëçka. Por vitet e fundit ai është ndër pak kryezërat jopartiakë e të besueshëm që denoncojnë parreshtur kapjen e shtetit dhe ofiqarët banditë.
Prandaj sulmi i përsëritur kundër tij, duke i shkatërruar sërish veturën, është vetëm një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën. Agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për keto agresione.
Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin. Por gjithkush mund të mbrojë Fatos Lubonjën duke thënë zëlartë si ai të vërtetat e kohës”, shkruan Pollo.
Makina e Lubonjës u sulmua sot për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore.