Deputeti demokrat, Genc Pollo deklaron se ndërkombëtarët janë shprehur se zgjedhjet janë në rrezik. “Ajo që ngrenë përfaqësuesit ndërkombëtarë është shumë pozitive që na ndihmojnë, duke thënë se zgjedhjet janë në rrezik. Edi Rama pretendon se e ka komunitetin ndërkombëtar me vete, por kurrë nuk pretendon se zgjedhjet mund t’i rrezikojë. Ai thotë që zgjedhjet janë normale, madje do të jenë më të mirat në 25 vitet e fundit me klishenë e tij të zakonshme. Komuniteti ndërkombëtar thotë zgjedhjet janë në rrezik. Nëse PD kthehet në Kuvend dhe voton pro një ligji kundër 5 ligjeve të tjera e kështu me radhë garantohen zgjedhjet kështu?! Bojkoti nuk është veprim në vetvete, çështja është si dilet në një zgjidhje politike, thjesht do kthehemi në Kuvend do votojmë, pro ose kundra ligjeve sipas rastit dhe do presim 18 qershorin, apo do kemi një zgjidhje dhe situatë tjetër politike?! Kjo shtrohet çështja, bojkoti në vetvetë është diçka anësore në thelb, dhe kjo kryesorja që kemi nevojë për një zgjidhje politike dhe një qeveri që të ngjalli besimin e publikut se të paktën zgjedhjet të bëhen mirë, kuptohet ka 2-3 detyra që ajo duhet ta bëjë, dhe një qeveri që e ka krijuar këtë problem në radhë të parë mbushjen e ofiqeve shtetërore me njerëz me të shkuar dhe të tashme kriminale dhe që e kanabizoi vendin pa masë nuk mund të jetë ajo vetë në pushtet zgjidhja e problemit”, thekson Pollo në një intervistë për “Ora News”. Ai tha se LSI duhet të luajë një rol konstruktiv në vendimin që ajo do të marrë për koalicionin, duke i qëndruar edhe disa deklaratave të saj. “Unë do t’i lija LSI dhe PS t’i shprehin vendimet me gojën e tyre. Pashë Ilir Metën të thoshte se Ligji i Arsimit të Lartë ishte një dështim. Para 2.5 viteve i kemi reshtuar arsyet se pse ky ligj do sillte dështime dhe do merrte në qafë maturantët, LSI e votoi, tani po e kritikon, por më mirë vonë se kurrë. Le ta lemë LSI ta zgjedhë fatin e saj, do të ishte e dëshirueshme që ajo të luante rol konstruktiv në përputhje me disa deklarata. Se çfarë vendimi merr dhe çfarë interesi ndjek, atë e dinë zotërinjtë që janë aty brenda. Kauza është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe PD do ta bëjë me të gjithë ata që duan të ndihmojnë këtë vend”, shprehet Pollo. Ai tha se, ky vendim sdo ketë asnjë ndikim tek qendrimi i PD. “Në qendrimin e PD nuk besoj, se çfarë bëjnë ata, jo vetëm LSI, sa seriozë janë do ta provojnë me vendimin që do marrin, por edhe brenda PS, ku nuk janë fort të lirë të shprehen, ka një ndrydhje në këtë situatë, të cilën ka degraduar PS, por kuptohen shprehen më me vështirësi sesa kolegët e tyre qeveritarë të PS. Në fund të fundit janë në atë parti dhe do ta pranojnë. Nëse LSI shprehet pak më lirshëm, aty shprehen, por më me murmurima”. Gjithashtu, Pollo iu përgjigj edhe kryeministrit Rama duke thënë se PD e ka votuar rezolutën e PPE. “Kam qenë në sallë, kam ngritur kartonin dhe kam votuar pro. Nuk ishin të katër anëtarët e delegacionit me të drejtë vote. Fatkeqësisht, media me disa përjashtime të respektuara veçoj këtu transmetimet e “Ora News” nga çadra e lirisë, media është e kapur si asnjëherë tjerër nga Edi Rama që nga koha e TVSH së vitit 1991. Qeveria teknike është një mjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveria teknike, ideja e një qeverie teknike modalitetet e të cilës mund të diskutohen dhe negociohen me palët në pushtet është ajo që shihet si e nevojshme”, shprehet deputeti demokrat.