Polonia drejt daljes nga BE?

Polonia mund të përfundojë me largim nga Bashkimi Evropian, për shkak të planeve nga nacionalistët në pushtet, për miratimin e disa ligjeve që prekin sistemin e drejtësisë, tha Gjykata Supreme e Polonisë.

Gjykata tha se planet mund të jenë në kundërshtim me ligjin evropian dhe do të përkeqësojnë tensionet ekzistuese midis Brukselit dhe partisë qeverisëse të Polonisë, Ligji dhe Drejtësia.

“Kontradiktat midis ligjit polak dhe ligjit të BE-së, sipas të gjitha gjasave do të çojnë në një ndërhyrje nga institucionet e BE-së për shkelje të traktateve të BE-së, dhe në perspektivën më të gjatë do të çojë në nevojën për t’u larguar nga Bashkimi Evropian”, tha Gjykata Supreme e Polonisë në një deklaratë.

BE-ja e ka akuzuar partinë në pushtet për politizimin e gjyqësorit që nga koha kur ajo erdhi në pushtet, në vitin 2015. Qeveria në Poloni thotë se reformat e saj janë të nevojshme për ta bërë sistemin gjyqësor më efikas.

Lëvizjet nga Hungaria dhe Polonia për të përfshirë gjykatat dhe mediat nën kontrollin e shtetit, kanë bërë që Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, të fillojë hetimet e ligjeve, të cilat në teori mund të çojnë në pezullimin e të drejtave të tyre të votimit në BE.

Polonia u bashkua me BE-në më 2004 dhe mbështetja e publikut për anëtarësim mbetet e fuqishme, megjithë mosmarrëveshjet midis Brukselit dhe partisë në pushtet. Deri më tani vetëm Britania e Madhe ka zgjedhur të largohet nga blloku, pas një referendumi në vitin 2016.

Exit mobile version