Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të martën se është i shqetësuar për rastet e fundit të provave me raketa me rreze të shkurtër veprimi nga Koreja e Veriut. Komentet e tij dallojnë nga toni i Presidentit Trump, i cili kohët e fundit është përpjekur të mos u kushtojë rëndësi këtyre provave.
Koreja e Veriut ndërmori gjashtë prova me raketa me rreze të shkurtër muajin e kaluar. Udhëheqësi Kim Jong Un tha se provat u kryen në përgjigje të manovrave të përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut që Pheniani i konsideron si kërcënim ekzistencial ndaj tij.
Raketat e hedhura për herë të fundit të premten përshkuan një distancë prej 230km dhe ranë në ujërat territoriale të Koresë së Veriut, por nëse do të ishin hedhur në një drejtim tjetër mund të kishin rënë në Korenë e Jugut duke vënë në rrezik civilët apo trupat amerikane të stacionuara atje.
Zoti Kim ka thënë se bisedimet me SHBA për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut mund të vazhdojnë sapo të përfundojnë manovrat e përbashkëta SHBA-Kore e Jugut.
Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësi, jo lidhur me provat e Koresë së Veriut me raketa, por lidhur me koston e manovrave ushtarake me aleatët jugkoreanë.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, Presidenti Trump tha: “Nuk kam problem me provat me raketa. Janë raketa me rreze të shkurtër veprimi”.
Udhëheqësi amerikan ushqen shpresën se do të arrijë ta bindë Korenë e Veriut për çarmatosje bërthamore brenda mandatit të tij të parë si president, që përfundon në janar 2021.
Por Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pohoi në një intervistë me rrjetin CBS se gjërat “nuk kanë ecur aq shpejt sa shpresonim” në bisedimet për programin bërthamor të Koresë së Veriut.