Kaos dhe viktima në Venezuelë në përpjekjen për të futur ndihmat humanitare në vend. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thekson, se ka ardhur koha “për të ndihmuar popullin e dëshpëruar venezuelan”.
Synimi për të futur në vend ndihmat humanitare ka shkaktuar kaos dhe viktima në Venezuelë. Dy vetë humbën jetën, 300 të tjerë u plagosën. Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba gome në disa qytete kufitare. Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo shkroi në twitter se “ka ardhur koha për të vepruar” dhe “për të ndihmuar “popullin e dëshpëruar venezuelan”. Ai bëri të ditur “masa” të Uashingtonit për mbështetjen e demokracisë në Venezuela.
Pas njoftimit për humbjen e jetës së dy civilëve, edhe këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton shkroi në twitter se autorët do të dalin para drejtësisë. „Ushtria është për të mbrojtur civilët e jo për të qëlluar mbi ta.” Të premten qeveria amerikane paralajmëroi, presidentin Maduro, nga përdorimi i dhunës. „Bota po shikon”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë të publikuar të premten.
Ndihmat e para nga Brazili hynë në vend
Sipas presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido hyri ndërkohë në Venezuelë furnizimi i parë me ndihma humanitare nga jashtë të shtunën. „Ky është sukses i madh, Venezuela”, shkroi Guaido, në twitter dhe i njohur ndërkohë si president nga më shumë se 50 shtete. Shumica e ndihmave humanitare qëndrojnë në kufi me Kolumbinë, në qytetin Cucuta. Aty ndodhen edhe rreth 600 tonë ushqime dhe ilaçe nga SHBA. Mijëra vullnetarë dhe përkrahës të presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido kanë shkuar të marrin ndihmat humanitare. Presidenti Maduro ndërkohë ndërpreu të gjitha lidhjet me Kolumbinë. Për shkak se presidenti Maduro ka mbyllur kufirin me Kolumbinë dhe Brazilin, vëzhguesit i tremben një gjakderdhjeje të madhe, nëse ushtarët do të përpiqen të ndalin njerëzit me dhunë.
Në Urena, zonë kufitare me Kolumbinë të shtunën,ka pasur trazira. Ushtria venezuelane ka përdorur ndërkohë gazin lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë një demonstratë në kufi.. „Ne duam të punojmë” dëgjoheshin thirrjet e masës së mbledhur përballë gardës kombëtare. Dy civilë ndërruan jetë, sipas një deputeti venezuelan, kur në San Francisco de Yuruani donin të sillnin ndihmat brenda kufirit, dhe aty u qëlluan nga ushtarët. Dëshmitarët njoftojnë, se kanë parë tanke nga ana venezuelane që kanë shkatërruar barrierat e vëna, me të cilat bllokohet ura Simon Bolivar, që lidh Venezuelën me Kolumbinë.