Shtetet e Bashkuara premtuan se nuk do të heqin dorë nga lufta për të zhdukur grupin terrorist Shteti Islamik, ndërkohë që u bënë thirrje aleatëve të marrin më shumë përgjegjësi për luftëtarët e huaj dhe për rindërtimin e Irakut dhe Sirisë.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e bëri premtimin të enjten në hapje të një takimi të koalicionit “Të mposhtim ISIS-in”, duke hedhur poshtë kritikat se që kur SHBA nisën tërheqjen e forcave nga verilindja e Sirisë, ka munguar një rol udhëheqës amerikan.
“Ju të gjithë e dini se ne duhet të vazhdojmë ta sjellim luftën tek ISIS-i. Këtë bëjmë ne,” u tha zoti Pompeo ministrave nga më shumë se 35 vende dhe organizata.
“Ne eliminuam udhëheqësin e ISIS-it Abu Bakr al-Bagdadi dhe pasardhësin e tij të mundshëm”, shtoi Pompeo, duke iu referuar bastisjeve muajin e kaluar që eliminuan dy zyrtarët kryesorë të grupit terrorist. “Pyetni secilin prej tyre nëse ka ndonjë mungesë të rolit udhëheqës amerikan,” tha ai.
Toni i tij sfidues erdhi ndërkohë që në takim merrnin pjesë vetëm 31 vende anëtare të koalicionit “Të Mposhtim ISIS-in” dhe ndërkohë që zyrtarët amerikanë të inteligjencës e të mbrojtjes paralajmëruan se kërcënimi nga ISIS-i po rritet.
Forcat e mbështetura nga SHBA në Siri çliruan territorin e fundit të mbajtur nga ISIS-i marsin e kaluar, duke i dhënë fund kalifatit të vetë-shpallur të grupit terrorist. Zyrtarët kanë pohuar, megjithatë, se celulat e ISIS-it në Irak dhe Siri janë duke u përfshirë në një kryengritje të rrezikshme si në Irak ashtu edhe në Siri, duke theksuar se grupi terrorist ka filluar të rivendosë kontrollin në disa zona.
“Kryengritja është e gjallë dhe fillon me siguri në veri-perëndim të Irakut,” paralajmëroi Russell Travers, tha javën e kaluar drejtori në detyrë i Qendrës Kombëtare amerikane të Kundërterrorizmit.
“Tashmë nuk ka zona të ndaluara për lëvizje natën,” tha ai, duke shtuar se “Ne shohim flamuj të ISIS-it dhe zona të vogla ku zbatohet Sheriati.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në komentet e tij në ministerialin e së enjtes u bëri jehonë këtyre shqetësimeve.
“Lufta nuk ka mbaruar. ISIS-i është ende një kërcënim,” tha ai. “Situata në veri të Sirisë mbetet e brishtë dhe e vështirë.” Por Sekretari Pompeo u përpoq të zbuste shqetësime të tilla.
“Ne po e vëzhgojmë me syrin e një skifteri këtë hapësirë dikur të pushtuar nga ky kalifat mashtrues,” u tha ai anëtarëve të koalicionit. “Ne kemi ripozicionuar disa nga trupat tona në verilindje të Sirisë dhe në rajonin më të gjerë, për të garantuar se ISIS-i kurrë nuk do të ringjallet përsëri”.
Të dielën, oficeri më i lartë ushtarak amerikan, Gjeneral Mark Milley, tha në rrjetin televiziv ABC se pavarësisht një tërheqjeje të forcave amerikane nga verilindja e Sirisë, Pentagoni planifikoi të linte aty rreth 500 deri në 600 trupa për të ndihmuar në ruajtjen e fushave të naftës pranë Deir Al Zor-it, në Sirinë lindore.
Zyrtarët e Pentagonit në mënyrë të përsëritur janë përpjekur ta karakterizojnë këtë hap si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të parandaluar që ISIS-i të rimarrë vrull dhe të përfitojë nga nafta, aktualisht nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA.
Por ndërsa priti Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se shqetësimi kryesor ishte vetë nafta. “Ne po e mbajmë naftën,” tha ai. “Ne i lamë trupat atje vetëm për naftën.”
Konfuzioni për naftën dhe për një seri ndryshimesh të menjëhershme në politikën e deklaruar të SHBA-së në Siri, ka hedhur hije mbi shqetësimet e tjera për ISIS-in, duke përfshirë fatin e 10,000-15,000 luftëtarëve në burgjet e administruara nga SDF.
Kjo përfshin rreth 2,000 luftëtarë të huaj të ISIS-it, shumë prej të cilëve vijnë nga vendet e koalicionit. Zoti Pompeo përsëriti të enjten thirrjen që vendet e origjinës t’i tërheqin ata.
“Anëtarët e koalicionit duhet të marrin mijëra luftëtarë të huaj terroristë në paraburgim dhe t’i mbajnë ata përgjegjës për mizoritë që kanë kryer,” tha ai.
Zyrtarët amerikanë të antiterrorizmit i kanë quajtur këta luftëtarë të huaj një nga kërcënimet më të mëdha afatmesme, me shqetësimin se nëse ata nuk riatdhesohen dhe nuk nxirren para drejtësisë, ka të ngjarë të gjejnë rrugën dhe t’i bashkohen përsëri radhëve të ISIS-it në Siri dhe Irak.
Zoti Pompeo gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve të koalicionit të ndihmojnë për zbutjen e mungesave të fondeve në përpjekjet e stabilizimit në Irak dhe Sirinë verilindore.
Por se sa aleatët e koalicionit do t’i mbajnë parasysh thirrje të tilla pas samitit të së enjtes, kjo mbetet në pikëpyetje.
“Aleatët tanë me të drejtë po pyesin se cila është strategjia jonë, cila është qasja jonë operacionale ndaj ISIS-it, duke parë se administrata në thelb ka ndryshuar pozicionin e saj dita ditës sipas tekave të Presidentit Trump,” i tha Zërit të Amerikës Mark Simakovsky, studiues në Këshillin Atlantik dhe ish zyrtar amerikan i mbrojtjes. “Mendoj se ka një konfuzion të vërtetë,” tha ai.