Pompeo paralajmëron: “Diplomaci muskoloze” si ajo që nënshtroi Korenë e Veriut

Koreja e Veriut, Evropa dhe Lindja e Mesme janë pikat gjeostrategjike që Sekretari i ri i Shtetit, Mike Pompeo shikon si rajonet në fokusin qendror të politikës së jashtme amerikane.
Shefi i ri i diplomacisë amerikane mbajti dje një fjalim para institucionit që drejton, në Ditën e Punëve të Jashtme të Departamentit të Shtetit, ku vlerësoi atë që e cilësoi si “diplomaci muskuloze” që ndjek Presidenti Trump.
Sekretari Pompeo tha se politika e jashtme amerikane duhet të jetë më “praktike, por duke ruajtur parimet”. Një diplomaci e fortë, tha ai, e ktheu Korenë e Veriut në tryezën e bisedimeve, gjë që do të eliminojë kërcënimin bërthamor nga ky vend.
Zoti Pompeo foli për nevojën për diplomaci më të fortë në Lindjen e Mesme për të mos lejuar që “Irani të destabilizojë më tej Sirinë dhe Jemenin”.
Mike Pompeo, në detyrën e re si shef i diplomacisë amerikane ndeshet me një numër sfidash ndër të cilat përgatitjet për takimin mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit, si dhe marrëdhëniet me Rusinë që aktualisht ndodhen në një pikë të dobët.
Pentagoni shton forcat ushtarake në Atlantik
Pentagoni ka nisur një komandë të re detare, me qëllim që të forcojë praninë e SHBA-së dhe NATO-s në veri të Oqeanit Atlantik, pas rritjes së prezencës ruse në këtë zonë.

“Rikthimi i konkurrencës së fuqisë së madhe dhe rritja e prezencës së Rusisë kërkon që NATO të rifokusohet në Atlantik, që të sigurojë përkushtimin në kontinent dhe të demonstrojë aftësitë e parandalimit”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Jonny Michael.
Komanda e re e NATO-s “do të jetë çelës i sigurisë transatlantike”, ka thënë ai. Plani për rritjen e prezencës në Atlantik është miratuar gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në shkurt, si pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë në vijat detare dhe linjat e komunikimit në mes të Evropës dhe Amerikës Veriore.
Vendimi i Pentagonit reflekton rritjen e shqetësimit në Evropë dhe brenda NATO-s, pas rritjes së prezencës ushtarake dhe patrullimeve të Rusisë në rajonin e Atlantikut.
Rusia ka shtuar patrullimet në Detin Baltik, Atalntikun Verior dhe në Arktik, kanë thënë zyrtarët e NATO-s edhe pse flota detare e Rusisë është më e vogël sesa ka qenë në kohën e Luftës së Ftohtë.
Pavarësisht të dhënave që tregojnë se ekonomia e dobësuar ka detyruar Moskën që të ulë shpenzimet për ushtri për 20 për qind vitin e kaluar, Gjenerali i ushtrisë çeke, Petr Pavel, që është kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë ka thënë se NATO duhet të vazhdojë të ndërtojë mbrojtjen e saj.
“Kapacitetet ushtarake ruse, si ato konvensionale dhe ato bërthamore janë të mëdha”, ka thënë ai.
“Ne, thjesht nuk mund t’i lejojmë që të rrisin kapacitetet e mbrojtjes, në të gjitha shërbimet dhe domenet. Prandaj, ne duhet të reagojmë”, ka thënë ai.

Exit mobile version