Besnik ALIAJ
Partia Demokratike doli javën e kaluar në protestë masive, pas thuajse 4 vitesh opozitë të moderuar. Në këto 4 vite opozita organizoi përveç kësaj mjaft takime spontante e protesta të vogla lokale, si dhe dy protesta masive të mëparshme, si reagim ndaj politikave shtrënguese dhe centralizuese të mazhorancës. Përtej këtyre aksioneve masive në terren, ajo nuk rreshti së denoncuari me fakte dhe qytetari, përmes konferencave të shtypit, problematikat në rritje të kësaj mazhorance.
Basha si kryetar i ri i partisë është përpjekur të ndërtojë ndërkohë një frymë sa më europeiste dhe një linjë të re politike në PD, duke u përqendruar tek takimet e drejtpërdrejta me njerëzit e thjeshtë dhe ekspertët e fushave të ndryshme të përjashtuar nga qeverisja.
Ai ka bashkëbiseduar me bizneset e vogla, familjare e të mesme të falimentuara; me bujqërit e lënë në harresë, me qytetarët e përmbytur dhe pakompensuar, me familjet e dhunuara dhe burgosura për pamundësi ekonomike, etj. Ndërkohë ai ka punuar për ringritjen e strukturave të partisë dhe FRPD-së pas humbjes së 2013, riorganizimin e departamenteve të partisë dhe hartimin e një programi zhvillimi social ekonomik alternativ që atakonte pikërisht problemet e njerëzve në terren.
Nuk është lënë pas dore as ndërtimi i aleancave të reja pragmatike dhe morale me partitë e vogla, intelektualët, grupimet civile dhe aktivistët socialë. Nuk kanë munguar as kritikat dhe diversionet ndaj tij si jashtë edhe brenda partisë. Mjaft e kanë konsideruar madje si shumë “soft” për situatën në Shqipëri dhe rivalët politikë që ka përballë. Por Basha ka vijuar me “stilin” e tij! Ndërkohë që grupi parlamentar i opozitës, falë përvojës së ish-liderit Berisha, zhvillonte një betejë të ashpër e pa kompromis kundër nismave ligjore të mazhorancës në Parlament, nisma të cilat kanë dhunuar shpesh kolona të qenësishme të shtetit, Kushtetutës dhe të së drejtës, Basha zhvilloi paralelisht edhe një raport intensiv diplomacie politike ndërkombëtare, duke arritur me shumë sukses dhe efektivitet të bindte faktorin ndërkombëtar për shqetësimet reale të PD-së në Parlament si reflektim i shqetësimeve që vinin nga kontaktet e drejtpërdrejta të shoqërisë.
Të paktën në dy raste: Ligji për dekriminalizimin e shtetit dhe politikës, si dhe paketa ligjore për reformën në drejtësi kaluan në Parlament vetëm pas filtrimit nga opozita dhe në fund të dyja këto beteja ligjore dhe morale u fituan nga PD dhe personalisht nga Basha që mbajti edhe kosto personale në përballjen me to! Por tani pas katër vitesh, prej një jave opozita i është rikthyer protestës masive, e cila ja ka arritur që ditën e parë të jetë mjaft qytetare, duke na kujtuar disa nga modelet më të mira të demokracisë perëndimore.
Natyrisht protesta ka akoma mundësi të përsoset më tej me kreativitet dhe vendosmëri. Por këtë radhë të gjithë po shohin se diçka po ndodh realisht dhe insistimi personal i Bashës për të kaluar në një fazë të re opozitarizmi duket po jep përsëri efekt mjaft pozitiv, po ashtu si në rastin e dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi! Kjo konstatohet ndër të tjera edhe pse sot në protestën e opozitës nuk ka grevë banale urie apo sakrifica të jetës njerëzore për interes të ngushtë politik të karrierës së dikujt! Njerëzit janë në një protestë që më shumë se sa vrasje e “frikës”, po përjetohet si një festë e demokracisë dhe e fjalës së lirë.
Kjo sepse në këto forume qytetare si rrallë herë këto katër vjet po shihen të marrin pjesë jo vetëm anëtarët e partive opozitare, por edhe njerëz pa parti e nga të gjitha kategoritë sociale.
Në takime po artikulohen qartë teza dhe problematika jo të përgjithshme, por çështje të prekshme që vijnë direkt nga pakënaqësia e madhe në rritje dhe konsumimi i tmerrshëm i mazhorancës në fuqi. Edhe pse disa prej tyre kanë ende skepticizëm të lartë ndaj PD-së dhe Bashës, shumë grupime të tjera dhe faktorë kritikë të shoqërisë sot duket se po përafrojnë çdo ditë e më shumë qëndrimet me opozitën për një kauzë më të madhe që në mënyrë të përmbledhur bazohen tek këto shtylla: mbrojtja e zgjedhjeve të lira dhe restaurimi i lirisë dhe shtetit të së drejtës; rithemelimi i republikës dhe shtetit social; lufta kundër rrezikut të kontrollit të vendit nga mafia; parandalimi urgjent i konfliktualitetit politik dhe arritja e një pakti të ri social drejt një progresi të shpejtë ekonomik, në kushtet e një destabiliteti në rritje në botë dhe Europë, etj.
Në këto kushte çështja është: What is next? Përgjigjja nuk është e lehtë, por tashmë e ravijëzuar qartë! Opozitës së bashkuar në tërësi dhe PD-së në veçanti, i lypset që të përshtasë sa më parë një plan taktik operacional solid për daljen sa më parë nga kriza e krijuar nga qeverisja e papërgjegjshme dhe lunatizmi politik në vend duke mos e humbur për asnjë çast boshtin e saj referues, që duket se po ravijëzohet në këto çështje kryesore: Mbajtjen gjallë të protestës deri në plotësim pa kushte të kërkesës bazë për krijimin e qeverisë teknike që merr përsipër organizimin e zgjedhjeve të lira dhe mbylljen e procesit të dekriminalizimit/vettingut të politikës, administratës dhe drejtësisë. Çdo kthim mbrapa në këtë pikë do të ishte vetëvrasje politike! Është e papranueshme që pas çerek shekulli nuk organizojmë dot zgjedhje, vaj halli të tjerat.
Ky duhet të jetë momenti final që Shqipëria të ndahet përfundimisht nga zvarritja e “tranzicionit” të pafund paskomunist. Tashmë kemi hyrë në fazën e rrezikshme të një populizmit autoritar që mund të na çojë përfundimisht drejt një sistemi putinist, nëse nuk veprohet SOT!.
Paralelisht me aksionin sa më sipër, opozita duhet të ketë gati planin B, që nis me ballafaqimin e draft-programit të ri ekonomik, me shoqërinë dhe grupimet e interesit me një bazë sa më të gjerë përfaqësimi dhe mbi bazën e problemeve që janë evidentuar nga vetë qytetarët e përjashtuar nga përfitimet e qeverisjes. Ajo që duhet pasur mirë parasysh është shmangia me çdo mundësi e kostos e premtimeve populiste, në mënyrë që të rifitohet përsëri besimi i popullsisë ndaj realpolitikës, gjë që në këto momente është në pikën më të ulët të mundshme në historinë e shtetit shqiptar, për shkak të dështimit sistematik të elitave politike! Hartimi sa më parë i një liste sa më të pasur e më të diversifikuar me “përfaqësues të rinj”, të papërlyer, të pakonsumuar, që do të jetë baseni intelektual e profesional, nga ku do të dalë nesër ekipi që do të bëjë ligje cilësore në Parlament dhe do të qeverisë me dashuri për vendin dhe respekt për ligjet, shtetin e qytetarët!
Këta personazhe duhet të jenë personalitete të provuar e me histori suksesi personal në administrimin publik dhe privat ose në iniciativa qytetare e politike me impakt e funksion të qartë publik. Por kjo nuk do të thotë të përjashtosh nga angazhimi ata që kanë kontribuar deri më sot në politikë.
Demokracia madje ka vend dhe kuptim kur funksionon për të gjithë. Por kjo do të thotë që të gjithë ata që kanë patur në një formë ose tjetër angazhim prej vitesh në parti dhe/ose qeverisje deri më sot (përfshi shkruesin e këtyre radhëve) duhet t’u lënë urgjentisht vendin figurave të reja, sidomos ata për të cilët ka respekt opinioni publik. Shqipëria sot kërkon dëshpërimisht ndryshim urgjent të elitave politike dhe çtensionim të jetës publike dhe ajo forcë politike që do të adoptohet sa më shpejt me këtë mentalitet do të mbijetojë duke qenë në pararojë të suksesit si për veten, por sidomos për vendin.
Këtu duhet të nënvizojmë se kuptimi i shprehjes “figura të reja” nuk është baraz me “moshën e re fiziologjike”. Në të kundërt rëndësi ka cilësia, përvoja e jetës, edukimi dhe morali që këta personazhe publike kanë si bagazh të trashëguar personal, që është një pikënisje e mirë për karrierë të suksesshme politike, larg dritëshkurtësisë së servilizmit ndaj “shefit” dhe korrupsionit. Vendi dhe rrjedhimisht opozita ka nevojë kritike për njerëz idealistë dhe të ditur!
Të tjerët duhet të lënë mënjanë irracionalitetin, egoizmin dhe qejfmbetjet. Të gjithë duhet të bashkohemi sa nuk jemi vonë që të mbështesim sot lidershipin aktual që duhet të na udhëheqë drejt fitores dhe nesër duhet edhe të japë llogari në rast dështimi. Kjo është logjika e thjeshtë e njerëzve të thjeshtë që duhet kuptuar e pranuar nga të gjithë në opozitë! Të vijojë përpjekjet për një dialog intensiv me ndërkombëtarët për të shpjeguar më mirë dhe me fakte atë që ndodh realisht në Shqipëri pas fasadave!
Mbi të gjitha për të shpjeguar se bëhet fjalë jo thjesht për PD, por për popullin dhe opozitën kundër pushtetit të oligarkisë. Opozita dhe PD i ka të gjitha shanset të hapura për vetëreformim si garanci për sukses elektoral dhe qeverisës nesër! Qenia në opozitë i jep më shumë shanse se partitë në pushtet! Duhet vetëm mendje e hapur dhe bashkim! Koha është tani!