Populli nuk e do, pse Rama e mban Berishën në krye të opozitës?

Nga Spartak Ngjela

Vjen një kohë kur secili e di se nuk bën dot gjë, ku gjithkush e ndien dhe një pakicë e kupton që jeta ka hyrë dhe po ecën në një vijë absurde, dhe shoqëria hesht.

Në këtë gjendje jemi edhe ne shqiptarët sot.

Por mos mendoni se është faji ynë!

Historia na ka goditur, sepse konfliktet tona të brendshme nuk na kanë lënë që ta krijonim veten realisht.

Një shoqëri që nuk e ka rikrijuar veten realisht, sundohet jo nga idetë, por nga absurditeti.

Po absurditeti çfarë është si koncept?

Absurdeliteti është një ide që nuk mund të aplikohet, është shpesh një idiotësi e shprehur në fjalë që shpesh ka hutuar shoqëritë.

Na duhet të theksojmë se…

Mendimi i drejtë dhe i suksesshëm nuk është gjithmonë një gjë e lehtë, dhe vështirësinë e sjell ngaherë absurditeti.

Kjo është arsyeja që filozofët modernë të Shekullit të Njëzet thanë që jeta është absurde.

Kjo nuk rezultoi e vërtetë, se jeta është ekzistencë, kurse mendimi mund të jetë absurd, dhe ti ecën sipas atij mendimi, i cili të çon drejt absurditetit dhe dështimit.

Po koha jonë në Shqipëri, pse është absurde?

Sepse sot shqiptarët nuk po drejtohen nga idetë, por nga pasioni politik

Po pasioni politik, çfarë është?

Pasioni politik është ose pasioni i individit për pushtet, ose pasioni i individëve për të mbështetur një pushtet të caktuar politik, sepse te ky pushtet ata shohin ose një interes personal, ose një interes të përgjithshëm që ata e besojnë.

Gjithsesi, që të shpëtosh nga absurditeti nuk është gjë e lehtë.

Pse, a nuk ishte komunizmi një doktrinë absurde që e besuan të gjithë? Sigurisht që e atillë ishte, sepse si doktrinë komunizmi ishte i parealizueshëm: ishte i bukur, por absurd.

Pse ishte absurde doktrina komuniste?

Sepse ajo, në emër të barazisë njerëzore, e lejonte paranë si mjet shkëmbimi, por jo si mjet pasurimi. Atëhere, në kohën e parasë, ajo doktrinë mendoi të godiste forcën e parasë, por, në fakt, goditi zhvillimin dhe vetë organizimin shoqëror.

Domethënë, pikërisht për këtë, kuptohet se ajo ishte një doktrinë absurde.

Shumë qartë jemi deri këtu. Por, ku qëndron absurditeti i kohës së sotme në Shqipëri?

Absurditeti i kohës së sotme në Shqipëri qëndron te fakti që ne si shoqëri ende nuk e shohim politikën si një doktrinë që do të sjellë zjvillim, por e shohim politikisht si interes individual. Dhe këtu merr fund gjithçka, sepse, pikërisht për këtë kemi rënë në moszhvillim dhe paqartësi për të kuptuar pyetjen: Ne, sot në Shqipëri, po drejtohemi drejt apo gabim nga politikat drejtuese ose sunduese në Shqipëri?

Dhe ja, pikërisht këtu ndalon gjithçka, dhe prandaj na duhet të themi se ne jemi një shoqëri e paaftë, që kemi rënë në një qerthull absurd.

Por si mund të dalim nga ky lloj qerthulli absurd?

Nuk di çfarë të them, por për një gjë jam i sigurt: absurditeti nuk rrëzohet dhe nuk largohet me absurditet nga një shoqëri që sundohet prej tij , por vetëm me ide realiste që krijojnë zhvillim.

Por, a do të na vijë ne shqiptarëve kjo kohë?

Shenjat janë se do të na vijë, por kushti është ky:

Aleanca e madhe që shqiptarët kanë tani me Perëndimin, mund të na i sjellë edhe ne largimin e absurditetit nga politika shqiptare. Por nuk duhet të harrojmë se, kur një shoqëri drejtohet nga polotika absurde të individëve të cilët jashtë vetes së tyre nuk njohin asnjë forcë tjetër, goditja e absurditeti në drejtimin politik është shumë e vështirë.

Po pse është e vështirë, a mund ta shpjegojmë këtë?

Është e vështirë sepse në një kohë demokratike, ne shqiptarët me zgjedhje të lira, po kalojmë, nga absurditeti S në absurditetin D.

Nuk e shihni ju tanimë që Saliu godet kundërshtarët për ato që ai ka bërë vetë? Dhe, a nuk e shihni që Rama e mban Saliun, sepse këtë nuk e do populli?

Pse, a nuk jemi këtu në një absurditet të kulluar që nuk ka lidhje me zhvillimin shoqëror?

Pse, a nuk jemi këtu thjesht e plotësisht në absurdutetin tetëdhjetëvjeçar që ka sunduar shqiptarët dhe ka drejtuar Shqipërinë?

Artikulli paraprakSiria një fushëbetejë botërore. Pse u ndez përsëri?
Artikulli tjetërRrjetet sociale? Ta shpëtojmë njeriun nga makina që po e gllabëron të gjallë