Pordenone tremb Interin

Ashtu si pritej Interi kaloi pengesën Pordenone dhe arriti çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku do të përballet me njërën mes dyshes Milan dhe Verona. Ajo e “San Siro”-s ishte një ndeshje me më shumë dritë se sa hije për kryesuesen e Serie A, të cilës iu deshën goditjet e penalltive për të arritur kualifikimin, pas 120 minutave lojë në rezultatin 0-0.
Trajneri zikaltër Luciano Spaletti komentoi ndeshjen: “Rezervat nuk ishin në lartësinë e titullarëve? Pyetja është korrekte për mënyrën se si u zhvilluan gjërat sot, por nuk është kështu. Kush luajti më pak hasi më shumë vështirësi, sepse Pordenone ka kualitet të mirë në mesin e fushës. Ne nuk ia dolëm të merrnim në dorë frenat e lojës në pjesën e parë, u ndjemë të sfiduar dhe në vend që të luanim si skuadër krijuam konfuzion. Ndeshjet më pas komplikohen në nivelin psikologjik kur gjërat ecin në këtë mënyrë dhe kundërshtarët motivohen. Unë e di mirë, e kam përjetuar këtë lloj situate personalisht, e di se çfarë ndodh në raste të tilla”, tha Spaleti.
Ish-trajneri i Romës, në vigjilje të ndeshjes, kishte paralajmëruar lojtarët e tij: “Çfarë ndodhi? Ndodhi që trajneri nuk e kreu në mënyrën e duhur detyrën e tij. Ndeshjet fitohen duke luajtur dhe ne ishim nën nivelin tonë. Në pjesën e dytë bëmë më mirë, edhe në shtesë. Por ata ashtu si dhe pritej ‘parkuan autobusin’ përpara portës. Pordenone u mbrojt shumë mirë, dhe ndonjëherë u gjendëm në vështirësi, edhe ata goditën një shtyllë. Më mirë kështu, kisha humbur besimin tek shtyllat, dhe ato u rikthyen”.
Spaletti foli edhe për gjuajtjen e penalltive pas shtesës: “Eder kishte një problem muskulor, Cancelo preferoi të mos gjuante. Kur ka ndeshje të tilla, ku diferencat janë të mëdha, faktori karakter bën dallimin”, u shpreh drejtuesi i stolit zikaltër.
Askush nuk e priste këtë stërmundim të Interit: “Pordenone ndoshta e meritonte, por pastaj tek penalltitë gjithçka bëhet më e rëndë në ndeshje të tilla, ishte një kualifikim shumë i lodhshëm. Komplimente lojtarëve të mi sepse e merituan”.
Interit i janë dashur penalltitë për të mundur Pordenone-n, skuadër e Serisë C, dhe për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ndeshja e luajtur në “San Siro” ka qenë e luftuar, me zikaltrit që kanë dominuar dhe kanë krijuar shumë raste, por goli nuk ka dashur të vijë. Shorti i penalltive i ka buzëqeshur zikaltërve, të cilët në çerekfinale do të presin fituesen e çiftit Milan-Verona, ndeshje që do të luhet nesër në mbrëmje.
Trajneri Spaletti kishte vendosur të lërë pushim pjesën më të madhe të titullarëve të skuadrës dhe diferenca ka qenë e dukshme në fushën e lojës. Milanezëve u ka munguar kthjelltësia para portës. Pordenone, gjithsesi, ka bërë një paraqitje të mirë dhe ka shkuar shumë afër golit në minutën 31-të, duke goditur shtyllën me Magnaghi-n.

Artikulli paraprakJames Rodriguez prish planet e Barcelonës
Artikulli tjetër“Icardi si Batistuta? Krahasim qesharak”