Portali kroat “Dnevnik.hr” shkruan se, mosmarrëveshjet rreth definimit të kufirit me Malin e Zi mund ta çojnë Kosovën në “kaos total”.
Deri tek ky kaos mund të vijë pasi opozita kosovare vlerëson se marrëveshja për demarkacion është “tradhti”.
Në “Dnevnik” theksojnë se për shkak të këtyre kërcënimeve në 4-5 vjetët e ardhshme mund të vijë deri te lufta e re në Ballkan.
Siç thekson portali, në bjeshkën e pabanuar të Rugovës, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund t’i hasësh vetëm disa tufa delesh, megjithatë mosmarrëveshjet rreth definimit të kufijve ndërmjet dy vendeve mund ta shtyjnë Kosovën në kaos.
Ky portal transmeton edhe raportimet e “France Press”-it se, në kohën e ish-Jugosllavisë, e cila rrëshqiti në luftëra, ai kufi ish-i brendshëm dhe asnjëherë nuk ishte përcaktuar saktësisht. Sipas këtij teksti, marrëveshja për kufirin është thelbësor në përpjekjet e Prishtinës që të lëvizë pa viza në BE dhe për perspektivën e ardhshme integruese.
Gjithashtu vlerësohet se është pritur se ratifikimi i marrëveshjes për kufirin do të kalojë lehtësisht marrë parasysh lidhjet miqësore ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës pas njohjes së Kosovës nga Mali i Zi megjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit. “Dnevnik.hr” kujton deklaratën e “liderit” të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili ka thënë se nëse marrëveshja me Malin e Zi kalon kështu siç është, atëherë brenda pak vitesh (4 ose 5) mund të ketë luftë.
Po ashtu në këtë artikull është përfshirë edhe deklarata e Kryeministrit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili ka thënë se Mali i Zi nuk synon t’ia marrë Kosovës asnjë metër katror, duke e ftuar Prishtinën që ta ratifikojë marrëveshjen.
Në anën tjetër, përmendet edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka paralajmëruar se nëse nuk ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi, kjo mund të jetë fatale për Kosovën.
Në tekst flet edhe Agron Bajrami, i cili thotë se Kosova është në prag të kaosit. “Stuhia po ngrihet që disa vite. Po duket e pandalshme”, ka paralajmëruar Bajrami.