Bllokimi i Portit të Selanikut dhe Pireut në Greqi nuk ka dhënë ende ndonjë efekt në rritjen e vëllimit të përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit. Burimet zyrtare nga Autoriteti Portual i Durrësit thanë se ritmi i përpunimit nuk ka ndryshuar dhe se nuk është në pritje ndonjë sasi më e madhe e mallrave nga Maqedonia.
Sipas të dhënave nga Autoriteti Portual i Durrësit, në periudhën janar-maj të këtij viti u përpunuan rreth 1.3 ton mallra të ndryshme. Në katër terminalet e Portit u përpunuan 216 anije tregtare dhe 409 tragete, ndërsa u ankoruan 5 kroçera dhe 37 jahte. Gjatë 5-mujorit, importet nga Porti i Durrësit u rritën me 26%, duke arritur shifrën prej 965,618 ton mallra, ose 202.228 ton më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ndërsa eksportet pësuan rënie me 28% ose me 246 mijë ton më pak se sa periudha 5-mujore e vitit 2015.Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti në portin më të madh të vendit janë përpunuar afro 316 mijë ton mallra gjithsej, ose 6 për qind më shumë se sa në maj të vitit 2015.
Në këto pesë muaj në terminalin e DCT janë përpunuar 42.726 konteinerë TEU, ose 2.298 njësi më shumë se vitin e kaluar. Në pesë muajt e parë të këtij viti tragetet kanë kryer 409 lundrime, ose 44 më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke transportuar afro 317 mijë ton mallra gjithsej.
Tragetet e linjave Durrës–Bari, Durrës–Ankona dhe Durrës–Trieste e kthim transportuan gjithsej 215.869 udhëtarë, ose 32.913 udhëtarë më shumë se në 5-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Shqipëria ka një potencial të madh për të përmirësuar konkurrencën e saj në eksporte. Ajo ka afërsinë në të dy tregjet evropiane dhe në zhvillim, qasje në Mesdhe, një popullsi të re në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, si dhe burimet natyrore.
Megjithatë, konkurenca e Shqipërisë në drejtim të eksporteve ka pasur progres të pamjaftueshëm, me rritje të dobët të produktivitetit dhe përqendrim të vazhdueshëm në sektorë me vlerë të bazuar tek puna intensive.
FMN thotë se, autoritetet duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të nxitur investimet në produkte me vlerë të shtuar, duke zbatuar reforma të mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit, boshllëqet e infrastrukturës dhe përmirësimin e aftësive të punës. FMN shpjegoi se ka përdorur dy tregues për të vlerësuar konkurrueshmërinë e eksporteve të tilla si raporti, “Doing Business” i Bankës Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror (Raporti Global i Konkurrueshmërisë). Treguesit e të bërit biznes të BB-së mbulojnë fusha të ndryshme, duke filluar nga regjimi ligjor për zbatimin e kontratave, të proceseve rregullatore për regjistrimin e bizneseve, pagimin e taksave, marrjen e kredisë, si dhe tregtinë përtej kufijve.