Vinçenco Montela ka vendosur të besojë bindshëm te të rinjtë për ta rikthyer në elitë Milanin dhe pa dyshim që simboli i skuadrës më të re të Serisë A është Xhanluixhi Donaruma. Portieri 17-vjeçar, i cili shihet nga të gjithë si pasardhësi më i denjë i Xhanluixhi Bufonit edhe në kombëtare, vazhdon të konfirmohet dhe sivjet.
Pas debutimit dhe shpërthimit në gjysmën e sezonit të kaluar, falë edhe kurajës së Sinisa Mihajloviçit për t’ia dhuruar portën atij, adoleshenti i veshur me doreza po vazhdon të tërheqë projektorët nga vetja me pritje spektakolare, por mbi të gjitha vendimtare, falë të cilave i ka dhuruar “Djallit” mjaft pikë në renditje. Edhe të dielën, kundër Peskarës, “Xhixho” ishte edhe një herë tjetër fantastik, sepse nëse nuk do të kishte qenë për të, Memushaj, por edhe Kaprari vështirë se do t’i kishin lejuar Milanit që të festonte tri pikët në fund të takimit.
Nëse deri vjet ai shihej si i riu që po shijonte një ëndërr, sivjet po punon që të bëjë heroin e portës kuqezi, duke qenë se “fluturimet” e tij në mbrojtje të kuadratit startuan që në ndeshjen e parë të sezonit. Kundër Torinos ishte Donaruma që i priti Belotit penalltinë në sekondat e fundit dhe i lejoi Milanit që të fitonte 3-2. Edhe në “San Siro”, ndaj Sasuolos, me ekipin e tij në avantazh 4-3, Xhixho shpëtoi portën dhe tri pikët me një reagim fenomenal ndaj Politanos.
Por instinkti prej jashtëtokësori ishte edhe ai i ofruar në fund, ndaj Juves, ku i mohoi barazimin Khedirës, por edhe me Lacion, Sampdorian dhe Fiorentinën, duart e tij shpëtuan rezultatin, duke llogaritur minimalisht 8 pikë më shumë të sjella në renditje për “Djallin”.
Përveç magjive që ofron gjatë lojës, Xhanluixhi Donaruma mund të krenohet edhe me një fakt tjetër, atë të të qenit rekordmeni i ligave të mëdha të kontinentit. Kjo, sepse 17-vjeçari në 11 ndeshje të luajtura e ka mbajtur portën e tij të paprekur në pesë raste (lë prapa edhe Bufonin), njësoj si portierët e mëdhenj të Europës, si Manuel Nojer (Bajern Mynih), Tibo Kurtua (Çelsi) dhe Jan Oblak (Atletiko Madrid), përveçse Kardinale i Nicës dhe Areola i PSG-së.