Me kualifikimin që mori ndaj Polonisë pas goditjes së penalltive, Portugalia hyri në histori si skuadra e parë që arrin në fazën gjysmëfinale të një kampionati europian, pa fituar asnjë ndeshje përgjatë 90 minutave. Me një lojë cinike dhe shumë efikase në sulm, përfaqësuesja luzitane e sheh veten mes 4 ekipeve më të mira të Euro 2016-të. Portugalia e nisi aventurën e saj në grupin F me një barazim 1-1 ndaj Islandës. Ndeshjen e dytë ndaj Austrisë Cristiano Ronaldo me shokë edhe pse dominuan me lojë e mbyllën në barazim pa gola, ndërsa një sfidë me të vërtetë rokamboleske ishte ajo ndaj Hungarisë me Portugalinë që pa veten 3 herë në disavantazh, por që në fund arriti të merrte një barazim të vuajtur me shifrat 3-3. Rezultat ky që e ngjiti kombëtaren portugeze në kuotën e 3 pikëve me luzitanët që avancuan më tej si një prej 4 skuadrave më të mira të renditura në vendin e 3-të.
Por barazimet nuk mbaruan me përfundimin e fazës së grupeve për Portugalinë. Skuadra e Fernando Santos nuk shkoi më shumë se rezultati 0-0 në 90 minutat e kohës së rregullt në ruandin e 1/8-ve ndaj Kroacisë, duke fituar vetëm falë një goli në kohën shtesë të Ricardo Quaresmas. Për të ardhur te dueli çerekfinal ndaj Polonisë. Goli i shpejtë i Robert Lewandowskit u arrit nga finalizimi i Renato Sanches, ndërsa në fund fati i buzeqeshi Portugalisë që nuk gaboi asnjë 11-metërsh, duke fituar 5-3 nga pika e bardhë. Sukses ky që e futi përfaqësuesen luzitane në librat e historisë, sepse Portugalia u bë skuadra e parë që kualifikohet mes 4 më të mirave të një Europiani pa fituar asnjë ndeshje dhe me 5 barazime. Më herët diçka të tillë e ka realizuar Paraguaj që 2011-ën mbërriti deri në finalen e Copa America me 5 barazime, por në fund u mund 3-0 në El Monumental nga Uruguai. Në vitin 1972, Mali mbërriti deri në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës, pa fituar gjithashtu asnjë ndeshje edhe pse ai kompeticion në atë periudhë përbëhej nga vetëm 8 skuadra.
Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo ka thënë se, dëshiron të fitojë Kampionatin Evropian, pasi nuk ka fituar kurrë asgjë me Kombëtare. Ai po ashtu foli edhe për kundërshtarin e mundshëm në gjysmëfinale, për Belgjikën dhe Uellsin që luajnë sonte.
“Është një ëndërr për të fituar Kampionatin Evropian, pasi nuk kam fituar asnjë titull me Kombëtaren ashtu sikurse me klube. Paraqitja ime nuk ka rëndësi, ajo që llogaritet është skuadra, e cila ka bërë punë fantastike”, tha Ronaldo pas ndeshjes me Poloninë. “Belgjika është skuadër shumë e fortë, ndërsa Uellsi është befasi e këtij kampionati”, tha në fund Ronaldo.