Në letër të gjitha duken shumë mirë: ekonomia e Portugalisë po rritet sërish. Në tremujorin e kaluar madje ekonomia e Portugalisë u rrit më shumë se e çdo vendi tjetër anëtar të Eurozonës – me 0,8 për qind në krahasim me tri muajt e shkuar. Një vlerë më të lartë rritjeje pati vetëm Sllovenia. Për këtë, qeveria socialiste e Portugalisë është e gëzuar. Lëvdata vijnë edhe nga Komisioni i BE.
Në verë, në Portugali u krijuan shumë vende pune të reja – megjithatë ato ishin kryesisht vende pune të përkohshme në sektorin e turizmit. Francisco Alfonso, një nga punëtorët sezonalë punoi gjithë verën si kamerier në qytetin Peniche. Ai thotë se shumë si ai merren në punë vetëm në verë, për tri muaj.
“Shumica e restoranteve atëherë nuk paguajnë as kontribute për sigurimet shoqërore. Por kur duam të punojmë, duhet ta pranojmë këtë – nuk kemi alternativë”.
Tani që ka kaluar vera, Francisco kërkon sërish punë, po në ndonjë fabrikë. Po pikërisht në këtë fushë, në industri, Portugalia edhe më tej nuk ka shumë çfarë të ofrojë. Aurora Teixeira, profesore e ekonomisë në Universitetin e Portos paralajmëron: vendi nuk duhet të bazohet në turizëm – sipërmarrjet duhet të prodhojnë dhe eksportojnë më tepër mallra.
“Politika financiare nuk funksionon – dhe kjo prej shumë vitesh. Familjet dhe shtetet futen gjithnjë e më thellë në borxhe. Dhe bankat i kanë përdorur për të blerë borxhe, megjithëse kjo ka qenë e ndaluar”.
Prandaj bankat kanë në librat e tyre plot elementë toksikë, duke bërë që të mos i përgjigjen detyrës së tyre të mirëfilltë: huadhënies për sipërmarrjet.
Prandaj janë para së gjithash sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që e kanë të vështirë të marrin kredi. Gjithsesi, bankat portugeze sot kontrollohen më rreptë se në periudhën e krizës. Dhe shumë ekspertë thonë se ndërkohë janë të përgatitura më mirë për vështirësi eventuale.
Por problematik mbetet borxhi i lartë shtetëror i Portugalisë. Ai ka arritur në 130 për qind të produktit kombëtar bruto. Për krahasim: në Gjermani ky borxh është në kuotën 70 për qind. Interesat bankare, që Portugalia duhet të paguajë për paratë që merr hua po rriten gjithnjë e më shumë. Qeveria socialiste e ka të qartë që kjo duhet të ndryshojë, në mënyrë që vendi të ketë mundësi të investojë sërish.
Profesorja e ekonomisë Aurora Teixeira mendon se për këtë Portugalia duhet t’i paguajë të gjitha borxhet, edhe po të kërkojë kjo shumë kohë. Sipas saj, kjo do të kërkojë masa të tjera shtrënguese për popullatën – por qeveria nuk guxon që ta përcjellë te njerëzit këtë lajm.