“Postriba”, si u shtyp me gjak më ‘46-ën kryengritja e parë antikomuniste, fjalët e fundit para pushkatimit! U ekzekutuan 28 veta

Kryengritja antikomuniste e Postribës në rrethin e Shkodrës është një nga kryengritjet e para dhe të pakta ndaj regjimit komunist.

 

Kryengritja e Postribës është njohur si lëvizja e parë antikomuniste në Shqipërinë, e cila sapo ishte vendosur nën regjimin e komunistëve. Ajo zgjati shumë pak dhe u shtyp shpejt nga forcat komuniste të shumta në numër në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat, por më shumë viktima krijoi më pas me persekutimin e qindra personave. Me në krye Shaban Haxhinë, pjesëmarrës në luftën e Koplikut 1920 dhe në rezistencën kundër pushtimit italian në Shkodër, 1939. Më 9 shtator kryengritësit sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, me qëllim lirimin e të burgosurve politikë. Revolta u shtyp me gjak nga ushtria, por jo vetëm kaq. Filluan raprezalje ndaj popullsisë së Postribës, djegia e shtëpive të fshatit, gjyqe ushtarake, pushkatime, burgime dhe internime pa masë u kryen nga diktatura komuniste. Ditën e parë, në një fushë afër qytetit u ekzekutuan njëzet e tetë veta, u pushkatuan pa faj e pa gjyq shumë fshatarë, u dogjën shumë shtëpi. Ky akt guximtar u bë shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës nga elementët “armiq të popullit”

ORGANIZMI

Kryengritja e Postribës kishte premisat strategjike për t’u shtrirë si kryengritje e përgjithshme. Pra, ishte një kryengritje e mirëstudiuar, e cila kishte si qëllim rrëzimin e diktaturës. Një grup rreth 200 vetash të drejtuar nga Jub Kazazi dhe Osman Haxhia sulmuan kazermat ushtarake dhe ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Pas shtypjes së kryengritjes, nisën edhe proceset ndëshkimore gjyqësore të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. Ditën e parë, në një fushë afër qytetit u ekzekutuan njëzet e tetë veta, u pushkatuan pa faj e pa gjyq shumë fshatarë, u dogjën shumë shtëpi. Ky akt guximtar u bë shkak “të pastrohej” i gjithë qyteti i Shkodrës nga elementët “armiq të popullit”. Organizimi i rezistencës antikomuniste nisi në zonën e Shkodrës, me shpresën se do të kthehej në një kryengritje të madhe popullore.

Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende ishte i dobët. Në Postribë lëvizja u nxit kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës. Nën drejtimin e Osman Haxhisë u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve. Mes tyre, edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.

REPREZALJET

Që nga ajo periudhë nisën raprezaljet më çnjerëzore. Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, për kryengritjen e Postribës njihen disa procese të shkëputura nga njëra-tjetra. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. Për 9 të pandehurit: Dulo Kali, Mons. Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta u dha dënimi me vdekje. Për të pandehurit: Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani u dha burgim i përjetshëm. Për të pandehurit: Syrja Anamali e Nuh Duli u dha dënimi me 20 vjet heqje lirie. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa u dha dënimi me 15 vjet heqje lirie.

HISTORIA

Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër tek Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjetën e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Kryengritja e Postribës e shtatorit të vitit 1946 nuk ia arriti qëllimit dhe u shtyp me dhunë nga diktatura e sapovendosur në Shqipëri. Megjithatë, ajo mbetet një simbol i qëndresës kundër komunizmit. Për këtë, Postriba është nderuar me urdhrin e lartë “Nderi Kombit”.

Pretenca e prokurorit të çështjes, Namik Qemalit

Gjyqi i parë i parë i kryengritjes së Postribës më datë 31.1.1948 në Shkodër

Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. Por cila ishte pretenca e prokurorit të çështjes Namik Qemali dhe më pas vendimi i gjykatës dhe fjalët e fundit të të dënuarve me pushkatim që thanë para se të ekzekutoheshin.

Aprovohet ndëshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra.

PRETENCA E PROKURORIT

Procesverbal – 25 maj 1947: “I pandehuri Gjergj Volaj tha: Sikurse e kam deponuar edhe në proces, ashtu edhe para gjyqit, në prill të vitit 1945 Mons. Thaçi më kishte thanë se në Komitetin e Demokristianes bëjnë pjesë edhe shekullarë (civila) si Cin Serreqi, Ndrek Kaçulini dhe Guljelm Suma dhe në gusht kemi ba nji mbledhje me të gjithë anëtarët që kanë kenë dakord”. Cin Serreqi thotë se: Nuk asht e vërtetë. Dëshmitarët e tjerë vazhdojnë, si Dom Nikoll Deda etj.., një mori faqesh të dëshmishë, përballjesh e kundërshtish të pafund që përfundojnë dikur me:

Procesverbal i Prokurorisë: Shkodër me 25.XI 1947 – Prokurori ushtarak Namik Qemali. Vepra e këtyre dy terroristëve Mons. Volaj e Pader Gurashit nuk mund të merret e ndarë nga e gjithë fushata antipopullore që ka përcaktue Kleri katolik si para luftës duke zënë fill që në kohët e lashta e deri pas luftës e mbas çlirimit. Monsinjor Volaj e Padre Gurashi, D. Ndoc Sahatçija, D. Nikoll Deda, Mons. Thaçi, P. Dajani e P.Fausti, P.Gjon Shllaku etj., kanë qenë elitë e të ashtuquajturës Demokristiane dhe njikohësisht drejtues të Klerit. Kështu që planet që do t’hartonte kjo epiqendër fashiste ishin vije dhe moto për të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj organizate terroriste të krijueme në gjirin e klerit katolik. Këta binin në kontakt direkt me Misionin anglo-amerikan. Në mbledhjen e parë për t’ia arrijtë këtij qëllimi kanë marrë pjesë kuadrot udhëheqëse terroriste të Demokristianes dhe delegacioni i Klerit ka qenë përfaqësuar nga Mons.Volaj , Dom Ndoc Deda etj.. Për Ballin e Legalitetin kanë qenë Cin Serreqi, Guljelm Suma, Pjetër Shan Deda, Caf Dragusha e Ragip Gjyrezi. Për intelektualët: Paulin Pali, Myzafer Pipa e Ragip Meta ndërsa të deleguar nga Tirana për Komitetin Qendror të Organizatës terroriste, Riza Dani. Këtu është diskutuar shkrirja e të gjitha grupeve deri atëherë ekzistuese në një të vetme. Gjithashtu janë marrë masa që në te, të marrin pjesë edhe vajzat, për këtë ka punuar Donat Kurti e Sami Repishti ku janë futur Neta Cepi, Neta Baba e shumë vajza tjera shkodrane “të cilat ishin të urdhëruara që për hir të këtij qëllimi të vinin në çmim edhe cvirgjërimin e tyre femëror dhe të pranonin të skandalizoheshin”.

Shokë gjyqtarë: Nuk është zor të kuptohet se deri ku arrin poshtërsia e njerëzve të kësaj organizate me principe të shëmtuara dhe të dobëta. Kjo është edukata e këtyre kërmave të qelbëta. Me këtë frymë kurvërimi i përgatiste të rinjtë dhe të rejat Pater Donat Kurti. Ata deshën ta transformonin vendin tonë në një bordello Musolinjane. Për 9 të pandehurit – Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta – dënimin – Me vdekje; Për të pandehurit – Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani me burgim të përjetshëm. Për të pandehurit; Syrja Anamali e Nuh Duli me 20 vjet privim lirije. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa me 15 vjet privim lirie.

Vendimi i gjykatës

Proces verbal i gjykatës…; Prokuroria Ushtarake e Qarkut Shkodër… me aktakuzën e saj N. 469 dt. 11.XI.1947, i solli për gjykim gjykatës… Procesverbal: N’emër të popullit – Këshilli i Gjykatës Ushtarake Shkodër me Kryetar Kap. I, Misto Blaci dhe anëtarë – Pertef Alizoti e Anastas Koroveshi… Në audiencën publike meë dt. 27.XI.1947 ora 16, ditë e enjte në sallën e kinema ‘Rozafatit’ Shkodër. Mbi çështjet penale të regjistruara me Nr. 459 deri 480 të Radhorit Themeltar për vitin 1947 kundra: Taf Osmani , Nuh Cufi, Tom Ejlli, Abaz Mahmetaj, Hajdar Hajdari, Jakup Alija, Abaz Smajli, Osman Haxhija, Myrto Dani, Shaban Alija, Xhelal Hardolli, Bilbil Hajni, Sulo Selmani, Dulo Kali, Hafiz Musa Derguti, Pater Rrok Gurashi, Mons. Gjergj Volaj, Cin Serreqi, Syrja Anamali, Sami Rrepishti, Ragip Meta, Isa Meta. Rezulton se…Mons. Gjergj Volaj, i biri i Lazrit dhe i Tones, vj. 43, shqiptar, i vobektë, arsim të lartë, filozofi, teologji, Ipeshkëv, lindur në Shirokë e banues Nënshat, i arrestuar me datën 20.5.1947 i përfaqësuar nga avokat Qemal Shehu akuzuar si iniciator i organizatës Demokristiane që në vjetin 1942 me iniciativën e Klerit katolik reaksionar, që kishte udhëzime nga Vatikani e Papa për të bërë ç‘të ishte e mundur që kjo parti të mobilizonte gjithë Klerin kundër Lëvizjes N.Cl., të grumbullonte dhe organizonte rininë e të gjitha rrethet fetare si Dom Bosko etj… Me iniciativen e Komitetit Qendror të Demokristianes u krijua Komiteti Qarkor me kryetar Mons Thaçin dhe me anëtarë, Mons.Vinçenc Prendushin, Mons.Bernardin Shllakun, Mons.Frano Gjinin, Mons.Gjergj Volajn, Pater Mati Prendushin, P. Gjovani Fausti, Pjeter Shan Deda, Kel Shan Deda, Ndrek Kaçulini, Zef Haxhija, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Simon Daragjati etj.. Pikë kryesore ishte dështimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 duke pas përfaqësitë e tyre edhe në Kuvendin e Shqipërisë si Riza Dani, Zef Haxhija, Kolë Prela etj… Se ka qenë armik i popullit qysh në vitin 1930 duke u bërë agjent i fashizmit dhe informator në interes të Italisë imperialiste për okupacionin e Shqipërisë prej saj… Se okupacionin fashist për të cilin kishte punuar prej kohësh e ka pritur me gëzim të math… Se gjatë luftës N.Cl. ka punuar në favor të fashizmit dhe tradhtarëve… Se qysh në vitin 1926 ka qenë një ndër figurat me aktive të Klerit… Se ka qenë iniciator i krijimit dhe organizimit të Partisë Demokristiane të ashtuquajtur Social-Demokrate, një nga anëtarët më aktiv të Klerit… Se ka ushtruar aktivitet në grumbullimin e forcave reaksionare dhe ka qenë i lidhur ngushtë me kriminelët e arratisur… Se si fryt i punë së tij u bë i mundur realizimi i përpjekjeve të Llesh Marashit si dhe Lëvizja e 9 shtatorit… Se është munduar të pengojë reformat e Pushtetit Popullor etj… Dhe natyrisht në bazë të gjithë këtyre akuzave:

Vendosi: Dënimin e 8 (tetë) prej tyre me vdekje…

Njoftim: 321/1947 – Gjykatës Ushtarake Shkodër. Gjegje shkresës suej n. 778 dt,. 10.12.1947 – Aprovohet ndëshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra… Na njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit – Kryetari Gjykatës Lartë: Major Niko Ceta.

Njoftim: Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë Gjegje shkresës suej N. 264/ 3 ex 47 dt. 30.1.1948… Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje u ekzekutuan me datën 3.4.1948, ditën e martë, ora 5.20 paradite dhe fjala e tyre e fundit ka qenë:

1. Cin Serreqi tha: -Të fala familjes dhe të m’i rrisin fëmijtë.

2-Bilbil Hajni tha: -Ju lutem të m’i jepni të fala babës, motrës dhe gruas. Gruaja të vejë te motra në Tiranë. Revolucioni kështu i ka këto punë. Të rrojë Shqipërija!

3-Gjergj Volaj tha: Të m’i thoni shtëpisë se 58 (pesëdhjetetetë) meshët që kam lane pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!

4- Dulo Kali tha: – Rroftë Shqipërija. Dy vajzat të mi martojnë dhe fëmijtë të m‘i çojnë në shkollë e mos të bahen si unë budallë.

5- Xhelal Hardolli tha: I thoni familjes që fëmijtë të m’i dërgojnë në shkollë dhe t’i edukojnë mirë që të jenë të aftë për atdheun. Rroftë Shqipërija!

Kryetar i Gjykatës Ushtarake Shkodër – Kap.I Misto Bllaci.

Exit mobile version