Grupimi më i fuqishëm politik në BE, Partitë Popullore Europiane paralajmëruan dje nga Tirana fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit, nisjen e një Republike të re në Shqipëri me Kryeministër Lulzim Bashën. Në emër të Popullorëve Europianë, zv.presidenti i PPE, ish-presidenti i Sllovenisë, Alojz Peterle i bëri thirrje shqiptarëve dje të bashkohen të gjithë me Partinë Demokratike dhe të dielën më 25 qershor të gjithë së bashku të nisin ndërtimin e Republikës së re. Peterle përcolli krenarinë e Popullorëve Europianë për PD dhe liderin e saj Basha, ndërsa tha se PD ashtu si simotrat e saj të PPE ndajnë të njëjtat vlera europiane.
“Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Jam këtu, sepse ne besojmë tek e ardhmja demokratike dhe europiane për Shqipërinë. Jam i nderuar sot, të jem këtu mes jush, sepse Presidenti i grupimit më të fuqishëm politik në Europë, Presidenti i Partive Popullore Europiane, Josef Daul më kërkoi t’iu mbështesja ju për fitoren e PD, ai kërkon që të dielën ne të fitojmë së bashku. Ne në Partitë Popullore Europiane jemi krenarë që Partia Demokratike e udhëhequr nga Basha është anëtare e familjes politike më të madhe në Europë dhe ne jemi bashkë sepse ne ndajmë të njëjtat vlera dhe ambicie për Shqipërinë”, u shpreh Peterle.
Zv.presidenti i PPE tha se, PD është e vetmja forcë politike që vjen përballë shqiptarëve me strategji të qartë për ringritjen e ekonomisë së vendit. “Ju keni shumë miq të mirë pranë Partive Popullore Europiane, por edhe në shumë vende të tjera, dhe kam kënaqësinë që ju jeni këtu sot përballë shqiptarëve me një vizion të qartë dhe me një strategji të mirorganizuar për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, për zhvillimin e të ardhmes suaj. Dhe ta dini që ata janë tejet të angazhuar, më të sigurtë, për një të nesërme më të sigurtë, për një ekonomi më të fortë për Shqipërinë”, tha zv.presidenti i PPE.
“Ne jemi krenarë që ndajmë tek Partitë Popullore Europiane bashkë me PD vlerat e demokracisë, drejtësisë, shtetit social e ligjit të fortë dhe të jeni krenarë që ne do të vijojmë këtë rrugë për vlera të përbashkëta drejt Europës. Është nën drejtimin e kreut të PD, Basha, që shoh kaq shumë të rinj sot që duan të jetojnë në Shqipëri, të rinj që duan të krijojnë vende pune në Shqipëri, të rinj që duan të drejtojnë vendin e tyre. Dua t’iu përgëzoj, nuk kam parë ndonjëherë kaq shumë të rinj në një miting politik. Urime për rininë tuaj! Unë nuhas fitore të dielën, unë shoh energjinë tuaj. Do të doja t’iu flisja me disa fjalë në fund: Ju uroj fitore të dielën. Koha për Republikën e re është tani! Koha për Kryeministrin Basha”, shprehet Peterle.
PPE është grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe aktualisht përfaqësuesit e saj janë në krye të tri institucioneve kryesore të BE, në Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.
Orët e fundit, kërcënime dhe para në këmbim të votës
Kryetari i PD, Basha paralajmëroi dje cenimin e zgjedhjeve në orët e fundit të mbajtjes së tyre, ku siç bëri të ditur ai njerëzit e lidhur me pushtetin kanë nisur blerjen masive të votave dhe kërcënimet ndaj qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre. “Ndaj këto orë të fundit që janë kritike, sepse në historinë e zgjedhjeve shqiptare janë orët e zullumit, kur njerëzit e lidhur me pushtetin kërcënojnë apo shpërndajnë para, ta kenë fare mirë parasysh se s’do të ketë asnjë tolerancë, as nga unë, as nga PD, as nga opozita, as nga qyetarët dhe se ligji do të zbatohet. Kështu që t’i bëjnë hesapet mirë, mos kthehen në shërbëtorë pa tru të atyre politikanëve të korruptuar që e kanë humbur shpresën për të fituar zgjedhjet me votë të lirë dhe që i përdorin për të mbledhur vota për interesat e tyre. Mos ta bëjnë këtë se realisht ligji do të zbatohet dhe ata do të përfundojnë para drejtësisë, do të përfundojnë në burg, nuk do të ketë asnjë cedim, asnjë mëshirë”, tha Basha. Basha foli edhe për marrëveshjen PD-PS në lidhje me garancinë e zgjedhjeve. “Në letër po, ndonëse ne kërkuam gjatë protestës largimin e Edi Ramës, në fund bëmë një marrëveshje në interes të Shqipërisë, në interes të shqiptarëve, e cila i dha opozitës 7 ministra teknikë, në shtatë pozicione kyçe, shtatë gardianë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. I dha vendit ndryshimet në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë minimalisht një deri në shtatë vite burg për këdo që cenon votën. Që merr kartat e identitetit, që ofron para në shkëmbim të votës, që ofron vende pune në shkëmbim të votës, që ushtron presion ndaj votuesve, ndaj administratës, ndaj Policisë së Shtetit apo përmes Policisë së Shtetit. Pra, kemi sot sanksionet më të ashpra penale. Natyrisht, ky është zbatimi dhe kjo është beteja që zbatohet këto javë me ministrat teknikë, të cilët janë në krye të detyrës. Dhjetëra zyrtarë janë shkarkuar, qindra të tjerë janë nën vëzhgim dhe kjo është thirrja që unë dua t’i bëj sot çdo shqiptari. Si asnjëherë tjetër, falë qëndresës së tyre, falë bashkimit të tyre si asnjëherë bota i ka sytë tek Shqipëria, të cilat vijnë si rezultat i përpjekjes së tyre, ndaj mos kenë asnjë frikë t’i drejtohen masivisht kutive të votimit dhe të votojnë shpirtin e tyre, vullnetin e tyre, mendjen e tyre që shpresoj dhe besoj se do i çojë te halli më i madh që ka sot Shqipëria, prioriteti numër një i qytetarëve që është ekonomia. Gjithashtu dua të theksoj faktin se Shtetet e Bashkuara dhe BE ditë pas dite kanë përsëritur se nuk do të tolerojnë, asnjë prekje, asnjë cenim të standardit zgjjedhor. Mbrëmjen e djeshme PPE, që është partia më e madhe politike në BE, partia e kancelares Merkel, që ka presidentin e Komisionit Evropian, presidentin e PE dhe presidentin e BE dhe ku PD është anëtare, theksoi së bashku me përkrahjen që më dha mua dhe PD-së dhe me potencimin e të vërtetës që jemi e vetmja parti me një plan për të ardhmen për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, me një plan ekonomik. Natyrisht me mbështetje evropiane, theksoi se nuk do të tolerojë cenimin e standardeve zgjedhore”.