Republikanët deklaruan dje se Ministria e Brendshme u përpoq dje t’i hidhte hi syve popullit shqiptar lidhur me situatën e paprecedentë që është krijuar në Shqipëri për kultivimin e kanabisit. Por, sipas PR-së, nuk ka asnjë lloj raporti të porositur që t’i hedhë hi syve shqiptarëve tashmë dhe t’i bëjë të besojnë që e zeza që shohin nuk qenka e zezë, por qenka e bardhë.
Në fakt të gjithë në Shqipëri e dinë tashmë se vendi është mbushur me kanabis, tha PR, dhe se ky shpërthim i kultivimit të tij nuk bëhet dot pa mbështetje nga lart.
“Të gjithë tashmë në Shqipëri e dinë se, kultivuesit kanë bekimin e strukturave të rendit. Të gjithë tashmë në Shqipëri e dinë se edhe parcelat që korren nga policët e ndershëm, nuk digjen, por merren nga kultivuesit për t’u tharë. Të gjithë në Shqipëri e dinë se kjo para e madhe droge u përdor dhe do të përdoret nga ky pushtet për blerje votash, siç edhe tashmë ka ndodhur. Partia Republikane është e bindur se kjo gjendje skandaloze e kultivimit të kanabisit, përfaqëson një rrezik ekstrem për demokracinë tonë të brishtë. Me këtë situatë kultivimi kanabisi, ky pushtet i ka të sigurta që i blen edhe votat e zgjedhjeve të 2017-ës”, paralajmëroi PR-ja.
Sipas saj, mazhoranca po i shtyn qëllimisht shqiptarët të ikin të nëpërkëmbur nga ky vend që po zhytet që tani në neodiktaturë. “Partia Republikane u bën thirrje shqiptarëve që të mos intimidohen nga droga dhe drogmenët nga vendi, por të bashkohen rreth opozitës së djathtë për të shporrur sa më shpejt dhe përfundimisht këtë kastë bllokmenësh kultivues të drogës”, theksojnë republikanët në deklaratën e tyre për mediat pas publikimit të raportit të Guardia di Finanzas për situatën e kultivimit të bimëve narkotike në vendin tonë.
“Partia Republikane është e bindur se kjo gjendje skandaloze e kultivimit të kanabisit, përfaqëson një rrezik ekstrem për demokracinë tonë të brishtë. Me këtë situatë kultivimi kanabisi, ky pushtet i ka të sigurta që i blen edhe votat e zgjedhjeve të 2017-ës. Edi Rama dhe oligarkët e tij, po i shtyjnë qëllimisht shqiptarët të ikin të nëpërkëmbur nga ky vend, që po zhytet që tani në neodiktaturë. Partia Republikane u bën thirrje shqiptarëve që të mos intimidohen nga droga dhe drogmenët nga vendi, por të bashkohen rreth opozitës së djathtë për të shporrur sa më shpejt dhe përfundimisht këtë kastë bllokmenësh kultivues të drogës” thuhet ndër të tjera në reagimin për mediat.