Rreth 270 tonë midhje kanë ngordhur këtë vit në liqenin e Butrintit si pasojë e temperaturave të larta. Sipas specialistëve, temperaturat në liqenin e Butrintit kanë shkuar në 40-42 gradë celsius. Temperaturat kanë prekur midhjen deri në thellësinë 40 centimetra. Ky është i disati vit që midhja e Butrintit rrezikon të zhduket.
Enton Spaho, përgjegjës i sektorit të akuakulturës në Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit në Tiranë në një prononcim për mediat tha se: “Jemi informuar për një rritje masive të temperaturave në liqenin e Butrintit dhe është ngritur një grup pune për verifikimin e situatës duke konstatuar se ka ngordhje të vargjeve rreth 40 centimetër”.
Sipas Spahos, një problem i madh ngelet hapja e kanalit të Vivarit që mund të jetë një ndihmesë e madhe për rritjen e baticave dhe zbaticave.
Investitori i midhjeve, Hysen Mane thotë se “në liqenin e Butrintit janë rritur temperaturat deri në 40 gradë nën 1 metër ujë, midhja reziston deri në 27-28 gradë, ka filluar ngordhja masive e midhjes”.
Sipas tij “ka filluar të ngordhë edhe midhja e farës që është më rezistente nga midhja e prodhuar, jemi përballë një katastrofe të jashtëzakonshme dhe kjo vjen vetëm si një shkak për moshapjen e kanalit të Vivarit”.
Temperaturat e larta po shkaktojnë një stres termik mbi midhjen që kultivohet aty duke shkaktuar dhe dëmtime të saj. Në rajonin e Sarandës janë 35 subjekte private të licencuar që merren me kultivimin e midhjes.