Praktikat korruptive, Beqaj bllokon informacionin për tenderat e koncesionet

Deputetja demokrate, Albana Vokshi denoncoi dje bllokun informativ që ka urdhëruar Ilir Beqaj për të mos dhënë informacion ndaj asnjë kërkese të opozitës në lidhje me tendera e koncesione korruptive. “Kryeministri Rama dhe ministri Beqaj, pasi ndanë 340 milionë euro me klientët e tyre në shëndetësi, kanë urdhëruar vartësit të bllokojnë çdo lloj informacioni. Këtu kam disa kërkesa për informacion të dërguara javët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, QSUT, Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse afati prej 2 javësh, sipas Ligjit ‘Për statusin e deputetit’ ka kaluar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur. Me anë të kësaj shkrese, i jam drejtuar ministrit dhe QSUT, në cilësinë e deputetes dhe kryetares së komisionit parlamentar, ku kam kërkuar informacionin për aparaturat e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Por Beqaj dhe Drejtoria e QSUT mban në sirtar kërkesën bashkë me informacionin.
– Pse ministria nuk shpjegon për arsyet e mosvënies në punë të akseleratorit linear, inauguruar pak muaj më parë?
– Pse edhe pas vënies në funksionim para pak ditësh, vetëm 2 pacientë kanë kryer terapinë, ndërkohë që numri i pacientëve duhet të ishte mbi 50 në ditë?
– Pse ministria refuzon të dërgojë dokumentacionin e plotë të pajisjeve të kobaltit? Pse nuk shpjegon, se përse njëra prej pajisjeve sot është prishur dhe tjetra nuk funksionon ashtu siç duhet?
Kjo shkresë është dërguar më datë 19 prill, ku kam kërkuar informacion në lidhje me mungesat e të gjitha barnave dhe kurave për të sëmurët me HIV/AIDS, si dhe pasojat që mund të kenë të prekurit nga kjo sëmundje”, tha Vokshi. Në të dyja rastet, tha Vokshi, drejtuesit e QSUT-së bllokojnë informacionin. Ajo theksoi se nga frika apo bashkëfajësia, administratorja e QSUT shkel çdo afat kushtetues për të dhënë informacionin e kërkuar nga Parlamenti. “Por bllokada e informacionit vazhdon për të gjitha praktikat korruptive të firmosura nga ministri i tenderave dhe koncesioneve. Në disa shkresa radhazi, i kam kërkuar ministrit Beqaj praktikat e koncesionimit të 3 shërbimeve: sterilizimi, hemodializa dhe kontrolli periodik i shëndetit. Ministri ka refuzuar, në shkelje të ligjit, të dërgojë të dhënat e kërkuara. Beqaj fshihet, se skandali është i madh, vjedhja është e madhe. Me anë të kësaj shkrese më datë 13 prill, i kam kërkuar informacion të detajuar drejtueses së Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Kam kërkuar të gjitha praktikat që janë kryer dhe pagesat për koncesionarin e check up. Por edhe ky institucion, ka refuzuar të japë informacionin, duke shkelur ligjin”, tha deputetja demokrate. Ajo theksoi se urdhri politik dhe korruptiv për të mbrojtur korrupsionin dhe Vilmën, sjell shkelje e paligjshmëri të reja. “Ndërkohë që aferat qindra milionëshe në shëndetësi vazhdojnë, spitalet janë në krizë totale, mungojnë ilaçet dhe pajisjet bazike. Partia Demokratike i bën thirrje edhe një herë drejtuesve të këtyre institucioneve të sjellin informacionin e kërkuar, siç parashikon ligji. Dita do të vijë kur Beqaj e njerëzit e tij me të cilët ka kapur shëndetësinë do të përgjigjen para ligjit për të gjitha këto krime që kanë bërë e po bëjnë ndaj qytetarëve. Partia Demokratike është e vendosur dhe do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për të zbardhur vjedhjet dhe abuzimet në shëndetësi”, tha Vokshi.

Exit mobile version