Roland Lame, 47-vjeçari shqiptar i kërkuar për trafik të lëndëve narkotike është arrestuar nga autoritetet italiane. Pas dy javësh në arrati, Lame, i cili konsiderohet si kreu i rrjetit italo-shqiptar të trafikut të drogës, shkatërruar në një aksion të policisë italiane më 30 maj, është paraqitur në spitalin civil të Barletës i plagosur me armë zjarri në fundshpinë. Nuk dihen ende rrethanat në të cilat ka mbetur i plagosur 47–vjeçari, megjithatë sipas mediave italiane, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Më 30 maj, policia italiane shkatërroi një rrjet italo-shqiptar të trafikut të lëndëve narkotike dhe të armëve. Operacioni i koduar me emrin “Illiria”, u drejtua nga Prokuroria e Barit në bashkëpunim me Guardia di Finanzan dhe antimafian.
Grupi kriminal akuzohet për trafik droge dhe armëve nga Shqipëria kryesisht nëpërmjet detit dhe me destinacion Italinë. Nën cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 1.2 tonë marijuanë, 20 kg substanca holluese të drogës, nga 1 kg kokainë e heroinë, 4.5 kg tritol, 1 kallashnikov, një sasi e konsiderueshme plumbash dhe disa detonatorë eksplozivi.
Në krye të rrjetit të drogës ishte 47-vjeçari shqiptar me pasaportë italiane, Roland Lame, i cili u kishte shpëtuar prangave në një operacion të mëparshëm të antidrogës. Ishte pikërisht Lame, së bashkë me djalin e tij Fabio Lame, 25 vjeç, ai i cili mbante kontaktet me trafikantët në Shqipëri dhe organizonte ardhjen e marijuanës në Pulja.
Në pranga ranë gjithashtu edhe korrierët, 5 italianë dhe 1 shqiptar, të cilët po udhëtonin drej Brindisit, ku do të merrnin sasinë e madhe të drogës. Hetimet rreth këtij grupi kriminal janë të lidhura me një tjetër operacion të vitit 2013 ku u sekuestruan 100 kg marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë.
Maskoheshin si policë për të kryer vjedhjet në Itali
Policia italiane ka shkatërruar një bandë italo-shqiptare që ka kryer 82 grabitje shtëpish në rajonin e Lombardisë dhe Emilja Romanjës. Grabitësit maskoheshin si policë për të kryer grabitjet dhe më lehtë. Biseda, distintivë dhe makina me llamba policie. Të gjitha false, natyrisht. Policia italiane ka shkatërruar bandën italo-shqiptare në Pavia që merrej me grabitjen e shtëpive në të cilat jetonin kryesisht të moshuar. Sipas mediave italiane banda ka kryer 82 vjedhje në rajonin e Lombardisë dhe Emilja Romanjës. Banda italo-shqiptare po mbikëqyrej nga policia që nga tetori i kaluar kur kanë filluar hetimet e Prokurorisë së Pavias. Mësohet se në operacionin “Fake Police” përfunduan në pranga 7 persona ndër to dhe 2 shqiptarë, të cilët janë identifikuar si Artur Cena, 32 vjeç dhe Albert Margjoni, 27 vjeç.
Sipas të dhënave të policisë pjesëtarët e bandës të fshehur nën petkun e policisë arrinin që të siguronin deri në 50 mijë euro në ditë nga aktiviteti i vjedhjeve. “Korriere dela Sera” shkruan se hajdutët kanë improvizuar edhe një arrestim të një bashkëpunëtori të tyre. Duke parë distinktivët dhe sirenat në makina, të zotët e shtëpisë ia hapnin lirshëm derën hajdutëve.
Gazeta italiane shkruan se banda mbikëqyrte përpara shtëpitë në të cilat do të kryenin vjedhjet dhe shpeshherë vepronin kur pronarët nuk ishin aty. Ndërkohë, në rastet kur hajdutët të veshur si policë janë zbuluar nuk kanë ngurruar që të kërcënojnë të zotët e shtëpive. Pjesëtarët e bandës akuzohen për vjedhje dhe përdorje të imazhit të policisë në kundërshtim me ligjin.