Pranga Tahirit, deklaron në intervistë përgjimet pa ligj

Ministri i Krimit, Tahiri deklaroi dje gjatë një interviste në “Top Story” se qeveria është e vendosur që të përgjojë qytetarët edhe pse ligji i përgjimeve u hodh poshtë nga Parlamenti. Tahiri e bëri deklaratën në përgjigje të pyetjes së gazetarit se si mund të bëhet ky përgjim në një kohë që Parlamenti e hodhi poshtë një ligj të tillë. “E di që Parlamenti e ka hedhur poshtë, por ne do të gjejmë mënyrën për ta bërë një gjë të tillë”, u shpreh Tahiri, duke deklaruar në mënyrë të qartë se përgjimet bëhen edhe pa ligj. Deklarata e ministrit të Krimit vjen në një moment kur e gjithë Shqipëria është mbërthyer nga skandali i përgjimeve masive të bandës në pushtet, duke nisur nga kreu i shtetit dhe kryetari i opozitës dhe tek të gjithë krerët e institucioneve të tjera. Përmes deklaratës së mbrëmshme Tahiri e bëri të qartë se qeveria nuk pyet për ligj kur vjen puna tek përgjimet.

Prokuroria në ambasadën italiane për pajisjen e përgjimeve

Prokurorja Anisa Qilimi, e cila po heton dosjen mbi ekzistencën apo jo të pajisjes së përgjimit nga Policia e Shtetit, i ka shkruar ambasadës italiane. Prokurorja Qilimi, duke iu referuar të dhënave të policisë, ka kërkuar nga ambasada italiane në Shqipëri të njoftojë organin e akuzës se me çfarë programesh dhe çfarë pajisjesh asiston Policinë e Shtetit në trajnime Interforca italiane. Kjo shkresë, mësohet se është dërguar të premten, pasi Policia e Shtetit gjatë kontaktit me oficerët e Prokurorisë, i ka njoftuar se një pajisje të tillë nuk e disponojnë ata, por Interforca italiane që asiston në trajnime. Sipas akuzës, dyshimet janë se kjo pajisje përgjimi ka hyrë në Shqipëri pa u regjistruar në Doganën shqiptare dhe se me të policia kryen përgjime të paligjshme.

Refuzimi i Tahirit

Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pajisjes përgjuese të paautorizuar që është instaluar në zyrat e Policisë së Shtetit. Por oficerët e Policisë Gjyqësore nuk kanë mundur dot të ekzekutojnë urdhrin e sekuestros.
Ata mësohet se kanë kërkuar takim me titullarin, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Por nga stafi i tij, hetuesit janë njoftuar se kreu i policisë dhe zëvendësi i tij ndodhen në një aktivitet në Akademinë e Sigurisë, ku përveç pjesës së aktivitetit ishte parashikuar edhe një drekë për të pranishmit, shkruan “Balkanweb”.
Sipas medias, oficerëve të Prokurorisë iu është dashur të presin për rreth 5 orë për të marrë kontakt me kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Ata e kanë njohur kryepolicin me urdhrin e sekuestros së pajisjes përgjuese, që sipas SHISH ndodhet në zyrat e policisë, por Çako ka deklaruar se kjo pajisje nuk është nën administrimin e policisë shqiptare, raporton “BW”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka pranuar se ekziston një pajisje e tillë, por që administrohet nga partnerët italianë të misionit Interforza, të cilët e përdorin atë për trajnimin e policisë shqiptare.
Pas këtij shpjegimi të kreut të policisë, hetuesit e Prokurorisë kanë mbajtur një procesverbal me thëniet e z. Çako, duke pasqyruar faktin se policia shqiptare nuk ka në administrim një pajisje të tillë përgjuese.
Sipas informacionit të SHISH dërguar presidentit të Republikës dhe prokurorit të Përgjithshëm, bëhet fjalë për një pajisje shumë të sofistikuar të instaluar në Policinë e Shtetit. Ajo shërben për realizimin e përgjimeve, por nuk është e autorizuar nga Prokuroria e Përgjithshme.

“IMCI Catcher”, aparati i përgjimit masiv

“IMCI Catcher” është pajisja që po përdoret për trajnimin e oficerëve të Policisë së Shtetit, por që Prokuroria dyshon se mund të përdoret për përgjime të paligjshme.
Telefonat celularë nuk e verifikojnë sinjalin që vjen nga një operator telefonik. Mjafton që sinjali të jetë i fortë dhe celulari lidhet automatikisht me operatorin telefonik. Ky fakt është shfrytëzuar nga shpikësit e pajisjes së përgjimit “IMSI-Catcher” që disponohet nga policia shqiptare dhe është në Tiranë. Ajo vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio.
Në shumë vende të botës përgjimi nga një pajisje e tillë ka shkaktuar debate për shkak të shkeljes së privatësisë dhe është pasur me hartimin e ligjeve të rrepta. Jo të gjithë telefonat pranë pajisjes bëhen pjesë e përgjimit. Vetëm ato që përzgjidhen nga personat që e kontrollojnë pajisjen mund të përgjohen. Mjafton që telefoni të jetë në gjendje pritjeje dhe që pajisja të jetë e lidhur me operatorin e duhur të telefonisë.
Më pas telefonatat audio dhe mesazhet janë të lehta për t’u përgjuar, por tek to nuk mund të ndërhyhet. Në shumë raste një celular nuk jep shenja se po përgjohet. Por disa prej tyre tregojnë një simbol në ekran. Kjo varet edhe nga operatori përkatës i telefonisë celulare.
Aplikacioni në Android (AIMSICD) IMSI-Catcher Detector është i vlefshëm në Google play, por jo gjithmonë efektiv. Vetë operatorët telefonikë, gjithashtu janë duke zhvilluar teknologjinë për të zbuluar përdorimin e një pajisjeje të tillë përgjimi.

Nishani: Siguria kombëtare, e kërcënuar

Presidenti Bujar Nishani ka reaguar ashpër dje ndaj çështjes së futjes në mënyrë ilegale të pajisjes së përgjimit dhe përdorimit të kësaj pajisjeje nga Policia e Shtetit, duke e cilësuar këtë si një akt që ka kërcënuar sigurinë kombëtare.  Nishani i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë gjithë procesin. “Nga kjo sallë bëj thirrje dhe i kërkoj Prokurorisë së Shtetit që të mbrojë dinjitetin e shtetit dhe qytetarëve të tij, të mbrojë dimensionin e sigurisë sonë kombëtare. I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë procesin e sjelljes në Shqipëri të kësaj pajisjeje ilegale që kërcënon secilin. Të hetojë kush ka qenë ai autoritet doganor që ka lejuar të hyjë ajo pajisje në Shqipëri. I kërkoj Prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë ata elementë dhe autoritete që kanë përdorur këtë pajisje të paligjshme. Pajisja ka kërcënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Ka kërcënuar integritetin e të gjitha institucioneve dhe të çdo qytetari të thjeshtë. Një pajisje e tillë as nuk mund të vijë në Shqipëri pa lejen e Prokurorisë së Shtetit. I bëj thirrje të gjithë atyre institucioneve që pengojnë hetimet, të mos bëhen pengesë e zbatimit të ligjit”, u shpreh kreu i shtetit. Nishani deklaroi se ky skandal përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. “Pajisje përgjimi ilegale, një instrument antikushtetues, nuk e besoja në fakt kur e pashë në media, por tashmë është konfirmuar nga institucione shtetërore. Pra, ky mekanizëm funksionon dhe kjo është shkelje e së drejtës së sakrificës për të cilën u sakrifikuan të parët tuaj. Dinjiteti i qytetarit, i çdo njeriu të thjeshtë, burri, fëmije, djali dhe vajze është vlera më e madhe që duhet ta mbrojmë fort si shoqëri, dinjiteti i individit është lidhur me dinjitetin e kombit. Kjo ishte filozofia e atyre që u përballën me diktaturën”.

Exit mobile version