Shembja e sistemit kapilar të korrupsionit që ishte ngritur në Autoritetin Rrugor Shqiptar me arrestimin e ish drejtorit Evis Berberi dhe ortakëve të tij, duket se ka dhënë frytet e para pozitive në terren. Dy tenderat e mëdhenj për zgjerimin e supestradës Tiranë Durrës kanë prodhuar rezultate surprizë me ulje të konsiderueshme ndaj fondit limit.
Të dy tenderat u shpallën me një fond limit prej 16 milionë eurosh secili. Por në të dy prej tyre, ofertat fituese kanë qenë deri në 25 për qind më të ulëta.
Në lotin e dytë, oferta e shpallur fituese ishte plot 4 milionë euro më poshte se fondi. Curri shpk e Faik Currit dhe Bami shpk e Besnik Bamit kanë ofruar në joint venture të zgjerojnë segmentin e lotit përkatës me 12 milionë euro, ndërkohë që në të njëjtat shkallë ulje ka rezultuar edhe oferta fituese e lotit të parë. Në këtë lot, fituese është shpallur oferta e përbashkët e G.P.G së Paqësor Buzit dhe Elmazaj Konstruksion e Shkëlqim Elmazajt.
Në fakt, para hapjes së ofertave përfliteshin si favoritë të dy tenderave të majmë të tjerë emra, veçanërisht Salillari dhe Geci. Por ofertat e këtyre dy kompanive kanë qenë më të larta, pranë fondit limit. Në këtë situatë drejtori i ri i ARRSH, Gentian Gjyli nuk ka hezituar të firmosë për dy ofertat më të leverdishme, pavarësisht kulisave parapake që kishin paracaktuar të tjerë fitues.
Kapitali ka mësuar se tashmë njoftimi i fituesve është publikuar në sistemin e brendshëm të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Shumë shpejt ai pritet të shpallet edhe publikisht. Por rezultatet e tenderave për dy lotet, Tiranë Durrës faktojnë se qytetarët shqiptarë janë vjedhur në përmasa masive me prokurimet në rrugë gjatë së shkuarës, ku tenderat e kontratave të majme fitoheshin në kokë të fondit limit.
U deshën prangat e SPAK, që zyrtarët tashmë të mos firmosin më për të shpallur fitues ata që paracaktohen, pavarësisht ofertave të tjera më të ulëta. Vetëm në dy lotet e para për zgjerimi e superstradës Tiranë Durrës, konkurrenca u kurseu taksapaguesve gati 8 milionë euro./ Kapitali.al