Luçiano BOÇI
Stina e pranimeve në Universitete ka filluar dhe “tregu i gabit”, në mungesë të tregut të dijes, është në ethe të plota.
Vazhdon e njëjta rastësi, i njëjti kaos dhe të njëjtat dallavere. Nuk e merr vesh i pari të dytin.
Askund nuk vjen era universitarizëm.
Të gjithë turren të marrin degën-send, me paratë e mundshme në dorë. Kush ka më shumë para e merr qetë-qetë tek privati. Kush ka më pak, pret në rradhë me durim publikisht tek publiku, me sytë nga qielli e ministria.
M.gj.s e dinë që çdo gjë është si mall i përdorur e pa vlerë reale, nxënësit turren me nxitin ta marrin. Sepse s’ka tjetër. S’ka rrugëdalje. As punë. As të ardhme. Asgjë.
Gabi është një lloj shpëtimi i përkohshëm.
Maturantët presin hapjen e “thesit” të gabit, brenda të cilit është i lidhur fati i tyre.
Ministria lajmëroi që dhe këtë vit ka dy “thasë-faza” të mëdhej e shtatë “thasë-raunde” të vegjël.
Në ato “thasë” ka plot “degë-rroba” të përdorura, ka “degë-televizorë” të prishur e “degë-magnetofon” që s’punojnë. Ka “degë-pallto” vetëm për dimër e “degë-bluza” vetëm për verë, sikurse dhe “degë-rrokotela”.
Duken të ndryshme kështu, por i bashkon fakti që në fund fatura-diplomë e këtyre degëve, nuk i jep dot një vend pune as “për të çarë kokën” studentëve të ardhshëm.
Në këtë soj-sorrollop sendesh-degë, më fatlumët mund të kapin ndonjë “degë-firmato”, të dalë boje e mode, por që ha bukë në treg, ose të degdis me dëshirë përtej kufijve dhe që kërkohen më shumë.
Këto janë 10-çat realë që janë munduar vite rresht, por dhe ca fallco, të fabrikuar me nxitim, në sistemin e kalbur parauniversitar.
“Thesi” i parë është hapur dhe fatet e para kanë ndihur ato që janë më afër derës me hekura të ndryshkura dhe të shtrembëruara të tregut.
Të tjerët presin…
Ethet vazhdojnë, sepse ende nuk është hapur “thesi-fazë” i dytë.
Më e qeta dhe më e lumtura në këtë rrëmujë absurde, aspak të hareshme, është Ruajtsja e Tregut të Gabit.
Herë pas here del në televizor dhe duke çbuzëqeshur, deklaron me një krenari rrënqethëse:
“Mos u mërzisni “zemra”, ka degë-rrokotela plot për të gjithë. Do merrni e do teprojnë ca. Ne ju duam e po punojmë fooort për ju!”
Do teprojnë sigurisht degë që nuk i do askush se nuk të shpien gjëkundi.
Por do teprojnë edhe nxënës që nuk nuk i pranon kush, sepse i kanë xhepat e shpuar.
Kështu do përfundojë sezoni i Tregut stinor të Gabit.
E në fund Kryepronari i Tregut të Gabit, do ja fusë një fjalim “gallatë” në parlament.
Patjetër do lavdërojë me patetizëm Rojen e tregut që ja “hodhi” dhe kësaj rradhe jo vetëm nxënësve e familjeve të tyre, por dhe prof doktorëve që bëjnë si rektorë të pavarur.