Prapaskena Alegri

E vështirë për Juventusin që të harrojë Champions-in e humbur. Masimiliano Alegri zbulon prapaskenën pas humbjes me Realin e Madridit dhe pranon që ka dashur të largohet nga drejtimi i skuadrës. Dëshpërimi dhe zhgënjimi ishte shumë i madh dhe numri një i “Zonjës” tregon ato momente tensioni. “Të gjithë mendonin se unë do të largohesha nga Juventusi në rast se do të fitoja Ligën e Kampionëve, por në fakt do të bëja të kundërtën. Mendova të ikja edhe pasi humbëm. Fola me drejtuesit për të parë se çfarë mund të bënim në të ardhmen dhe mendojmë që mund të zhvillojmë sërish një sezon të madh”, tha fillimisht Alegri.
Kanë kaluar dy javë nga finalja, por Liga e Kampionëve mbetet argumenti kryesor i fjalës së Masimiliano Alegrit në intervistën e dhënë për “Sky Sport”. “Ky do të jetë një vit shumë i vështirë për ne, sepse pas tri vitesh ku kemi fituar kampionatin, Kupën e Italisë dhe kemi luajtur 2 finale Champions-i, rrezikojmë të bëjmë ndonjë të pabërë. Pastaj, kuptova që të gjitha shanset janë që të vazhdojmë rrugëtimin që kemi nisur. Sigurisht që duhet të përmirësohemi në lojë”, nënvizoi trajneri bardhezi.
Gjatë fjalës së tij, ai analizon humbjen ndaj Realit. “Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe ne e provuam portën kundërshtare më shumë herë. Në të dytën ata na dominuan totalisht dhe ishin më të saktë. Mendoj se e merituan fitoren e asaj finaleje, ndërsa ne duhet të ringrihemi pa e bërë dramë, pa kaluar në depresion apo në zhgënjim për humbjen.
Duhet të mbajmë mend gjërat e mira në këtë vit që lamë pas, si fitorja e titullit dhe fitorja e Kupës së Italisë. Ishte thjesht një 45-minutësh i luajtur keq në finale, por s’mund të na prishë të gjithë sezonin. Nuk duhet të harrojmë që fituam kampionatin në një vit kur Roma dhe Napoli grumbulluan më shumë pikë në historinë e tyre”, vazhdoi numri një i Juventusit.
49-vjeçari vlerësoi maksimalisht merkaton që po bën Milani dhe tha që sezoni i ardhshëm nuk do të jetë i lehtë. “Objektivi primar i Juventusit është titulli kampion, pastaj Kupa dhe Champions-i. Nuk do të jetë e lehtë të triumfojmë në Itali, sepse Milani është duke bërë një punë shumë të mirë në merkato. Ndërkohë Interi do të jetë shumë i fortë me Spaletin. Megjithatë, ne kemi gjithçka në rregull për të triumfuar sërish”, theksoi Alegri.
Trajneri bardhezi e konsideroi shumë të vështirë, por jo të pamundur trofeun vitin e ardhshëm. “Do të jenë skuadra si Liverpuli, Çelsi, Siti, Junajtid dhe ato që ishin këtë vit. Nuk është e lehtë, por ne jemi Juventusi”, shtoi ai. Trajneri i Juventusit foli edhe për emra të përveçëm duke analizuar lëvizjet që po bëjnë bardhezinjtë në merkato.

Exit mobile version