Prapaskenat e Bonuçit: Në verë kisha nisur anglishten

Me golin e tij, Leonardo Bonuçi i shmangu humbjen Juventusit, por në të njëjtën kohë korrigjoi edhe gabimin personal në rastin e avantazhit të Duvan Zapatës, prandaj në fund edhe ai mund të jetë i kënaqur me kaq. “Më shumë sesa fizik, mendoj se kundër Udinezes mungoi përqendrimi mendor nga ana jonë, sepse nuk ditëm të xhirojmë me qetësi topin, nuk ishim të qartë në rikuperime dhe e gjithë kjo duhet të na shërbejë si mësim, sepse kundërshtarët nuk tremben vetëm me fanellë, kur zbret në fushë. Por, pavarësisht kësaj, mund të themi se kemi fituar një pikë kundrejt skuadrës së dytë në renditje dhe kjo është jo pak e rëndësishme”, u shpreh 29-vjeçari.
“Një divorc i mundshëm nga Juventusi? Unë di të them se jam po i njëjti që të gjithë njihnin edhe përpara asaj që ndodhi me Palermon. Vazhdoj të punoj dhe të luftoj për Juven dhe kur duhet, di edhe të shënoj gol, ndonëse marr përsipër përgjegjësitë për golin e shënuar nga Udineze. Nuk kam asnjë problem me askënd. E kam thënë edhe pak ditë më parë, se unë ndihem një ‘pasuri’ e këtij klubi, sepse jo më kot pranova të rinovoj deri në vitin 2021, pas ftesës së drejtuesve.
Ndihem i rëndësishëm për këtë klub, prandaj nuk shoh se ku qëndron problemi, që unë të vazhdoj të luaj për Juventusin. Nëse do të kisha dashur që të largohesha, mund ta kisha bërë vitin e kaluar, sepse realisht kisha shumë oferta të rëndësishme në verë. Madje, nëse doni ta dini, kisha nisur ta mësoja edhe anglishten”, përfundon duke qeshur numri 19 bardhezi.

Exit mobile version