Prapaskenat e kalimit te Grozni

Bernard Berisha te Terek Grozni është një ndër transferimet më të bujshme të kësaj merkatoje dimri. Nëse do të kishte një çmim për “menaxherin e vitit” në futbollin shqiptar, ai padyshim do të shkonte për Shkumbin Qormemetin, strategun e transferimeve të bujshme si ai Olyainkës, Balajt e Roshit. Menaxheri zbulon prapaskenat e kalimit te Terek Grozni.
“Interesimi i Terekut ishte konkret që në merkaton e verës, pasi ai shpërtheu në kampionatin rus. Në tratativa ishin edhe Lokomotiva dhe Rubin Kazani, por falë marrëdhënieve vëllazërore mes drejtuesve të Terekut dhe Anzhit u bë e mundur që kjo kontratë mes këtyre dy skuadrave të mbyllej me sukses”, shprehet Qormemeti.
Falë Qormemtit Berisha ka siguruar një transferim që e kënaq financiarisht, por për të ky nuk është fundi i ambicieve, përkundrazi një tjetër hap në fillimin e një rruge që çon shumë larg, në majat e futbollit europian.
“Mund të them se jam shumë i kënaqur me kontratën që kam nënshkruar, por ky është vetëm fillimi, një motiv për t’u përmirësuar edhe më shumë. Po më shpërblehet puna dhe sakrifica që kam bërë për disa vite. Të them të drejtën nuk e konsideroj kontratën më të rëndësishme të karrierës sime. Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe në të ardhmen do të jem pjesë e një skuadre më të madhe. Por për ta arritur këtë objetiv më duhet të punoj akoma më shumë”, u shpreh Berisha.
Barcelona ka MSN, Reali ka BBC e famshme, por edhe Tereku tani ka BBR, Balaj-Berisha-Roshi, një treshe shqipesh që i bën mirë si skuadrës ruse, ashtu edhe futbollistëve shqiptarë që krijojnë hegjemoninë e tyre në vijën e parë të skuadrës çeçene.
“Te Tereku, Berisha do t’i bashkëngjitet dyshes Balaj-Roshi dhe mendoj se kombinimi i lojtarëve shqiptarë do të jetë shumë i rëndësishëm për objektivat e klubit, që synon të marrë pjesë në kupat e Europës sezonin e ardhshëm”, tha Qormemeti.
“Balaj dhe Roshi janë miqtë e mi dhe besoj se me ta do ta kem shumë më të lehtë përshtatjen. Unë kisha shumë oferta të tjera, por dëshira ime ishte të isha në një ekip me Roshin dhe Balajn. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, tha Berisha.
Për të dy viti që lamë pas ka qenë tejet i sukseshëm, për Qormemetin me transferime të bujshme, ndërsa për Berishën fitorja më e madhe është aderimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare të futbollit.
“Në ditët e fundit të 2016-ës mbyllëm me sukses transferimin e Azdren Llullakut te Astana në Kazakistan, ndërsa e nisëm vitin me një tjetër lëvizje të suksesshme me Berishën. Si në çdo fushë të jetës edhe marrëveshjet në futboll arrihen falë punës dhe kontakteve që janë krijuar ndër vite”.
“Kosova nuk është më e izoluar si më parë dhe për këtë ndihem mjaft i lumtur. Jemi munduar që të paraqitemi sa më mirë, por të mos harrojmë se jemi në një grup shumë të fortë. Besoj se më 2017-ën do të vijë fitorja e parë e Kosovës në këto eliminatore”, thotë Berisha.
Kalimi nga Anzhi te Terek Grozni për Bernard Berishën nuk është fundi, por vetëm fillimi i një rruge nëpër të cilën sulmuesi kosovar synon të shkojë larg. “Mund të them se jam shumë i kënaqur me kontratën që kam nënshkruar, por ky është vetëm fillimi, një motiv për t’u përmirësuar edhe më shumë. Po më shpërblehet puna dhe sakrifica që kam bërë për disa vite. Të them të drejtën, nuk e konsideroj kontratën më të rëndësishme të karrierës sime. Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe në të ardhmen do të jem pjesë e një skuadre më të madhe. Por për ta arritur këtë objektiv, më duhet të punoj akoma më shumë”, u shpreh 25-vjeçari.

Artikulli paraprakEurostat: Shqipëria, nivele të ulëta të mbrojtjes sociale
Artikulli tjetërTragetet transportuan 840 pasagjerë