Prapavija e promemories për aktorin e shquar Bekim Fehmiu

Dr.Enver BYTYÇI

Edi Rama erdhi në pushtet me një formulë interesante për marrëdhëniet me fqinjët: “Zero probleme me fqinjët”, ishte formula e fushatës elektorale të tij e pranverës 2013, një formulë e cila u përshëndet nga një numër i madh qytetarësh shqiptarë e më së shumti nga komuniteti ndërkombëtar. Një promemorie e shpallur dje në ditën e 80-vjetorit të aktorit të madh, Bekim Fehmiu, nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe homologut të tij shqiptar Edi Rama, na jep të kuptojmë se Shqipëria sot pas tri vitesh qeverisje të rilindjes ka zero problem vetëm me Serbinë dhe deri diku me Malin e Zi. Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë dhe duhet të mbetet një politikë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, veçmas sa i përket marrëdhënieve me fqinjët e në rajon. Nëse ka diçka për të cilën shqiptarët janë më të interesuarit, është pikërisht stabiliteti, paqja dhe siguria rajonale. Por a është e tillë politika e jashtme e qeverisë Rama? A ka promovuar ajo marrëdhënie aq të ngushta sa me Serbinë edhe me vendet e tjera të rajonit? Dhe cilat janë sfidat dhe rreziqet e këtij afrimi kaq të ngushtë midis Vuçiçit dhe Edi Ramës? Nëse ndjekim kronologjinë e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Beogradin në këto tri vite, gjithnjë krahasuar me qëndrimet dhe sjelljen e qeverisë shqiptare ndaj kryeqyteteve të tjera ballkanike, atëherë gjithkush do të shohë se afrimi me Beogradin është shndërruar në një lëvizje në shërbim të pushtetit të të dy protagonistëve kryesorë. Promemoria kushtuar ditëlindjes së 80-të të aktorit të shquar, Bekim Fehmiu, është shkruar shumë bukur, me mesazhin e paqes dhe i kushtohet ardhmërisë së shqiptarëve dhe serbëve. Ai nuk ka të sharë. Duket se në të shprehen qartë dhe në mënyrë konçize vlerat universale dhe mesazhet e paqes e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Serbisë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Madje, gjithçka duket rozë dhe jep përshtypjen e një përmbysjeje në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Por nga promemoria si dhe nga e gjithë dinamika e marrëdhënieve midis dy kryeministrave ballkanikë të dy vendeve në armiqësi për më shumë se një shekull ne mund të konstatojmë se ata e kanë ndërtuar këtë urë bashkëpunimi, duke anashkaluar problematikat që kalon Kosova në dialogun e saj me Serbinë. Promemoria nuk thotë asnjë fjalë sa i përket Kosovës, sikur Bekim Fehmiu të ishte një personalitet i lindur dhe rritur në Tiranë dhe jo në Prizren. Por edhe në takimet e shumta midis Vuçiç dhe Edi Ramës nuk duket se marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit të kenë ndonjë kushtëzim me zgjidhjen e problemeve të rëndësishme midis Serbisë dhe Kosovës. Përveçse deklaratës së zotit Rama në vizitën e tij të parë në Beograd, kur bëri thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e qeverisë së Vuçiç, nuk ka asnjë rast tjetër, kur kryeministri shqiptar të ketë folur seriozisht për problemet e mëdha e të shumta që kalon Kosova si rezultat i diversionit të Serbisë, sidomos në veri të Mitrovicës. Formalisht Bekim Fehmiu nuk është personazhi, i cili do të shërbente për vendosjen e urave të paqes midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ai i përket Kosovës dhe si i tillë, Vuçiç do të duhej që deklaratën e përbashkët ta shpallte me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa. Por pse nuk ndodhi kjo? Sepse kryeministri i Serbisë ka nevojë për ndihmën e Edi Ramës në qëndrimet e tij destruktive ndaj Kosovës. Një promemorie e përbashkët me Isa Mustafën në frymën e dëshmuar në atë me Edi Ramën nuk i intereson kryeministrit të Serbisë. Nga ana tjetër kreut të ekzekutivit të Beogradit i duhet që të shpalosë në BE imazhin e tij pozitiv, me qëllim arritjen e objektivit për integrime europiane. Ne vemë re se, Kroacia është vënë në mbrojtje të së drejtës së Kosovës përballë obstruksionit serb shumë herë më tepër se Shqipëria! E di se dikush do të thotë: “Jo, Edi Rama bëri në Beograd atë që nuk e ka bërë asnjë kryeministër e lider politik i shqiptarëve”. Po, kjo është e vërtetë. Por, siç kam shkruar më parë, në atë kohë kur ndodhi vizita e zotit Rama në Beograd, ajo që ndodhi në konferencën e shtypit atëherë ishte një skenar, për të cilin ishin marrë vesh të dy kryeministrat. Njëri do të fitonte kapital politik te shqiptarët e Kosovës, të cilët nuk besojnë te Edi Rama dhe tjetri me ragimin e tij “të ashpër” do të fitonte kapital politik te nacionalistët serbë. Kjo formulë e ndihmës për njëri-tjetrin në funksion të ruajtjes dhe forcimit të pozitave në pushtet funksionoi si për Edi Ramën edhe për Aleksandër Vuçiç. Më pas do të duhej harruar kjo shfaqje e orkestruar në Beograd. Duhej që gjithçka midis dy liderëve që pretendojnë protagonizmin ballkanik të shkonte në logjikën e zgjidhjes së konfliktit gjermano-francez, konflikt, i cili nuk kishte territore të ndonjërit vend në mes, siç kemi ne territorin dhe shtetin e Kosovës. Edhe modeli gjermano-francez është zgjedhur me një hile të madhe në favor të Serbisë. Serbia gjithmonë ka qenë e gatshme të ndërtojë marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Madje edhe në kohën e komunizmit, edhe në kohën e qeverisjes të së djathtës në Shqipëri. Por në pjesën e parë të viteve 1990, përfaqësimi diplomatik i Serbisë në Tiranë ishte në nivelin e të ngarkuarit me punë a.d, sepse qeveria shqiptare e asaj kohe nuk pajtohej me situatën e dhunës e të terrorit serb në Kosovë. Kosova ishte shkaku i marrëdhënieve të kufizuara të Tiranës me Beogradin, ndonëse në Beograd gjithnjë thuhej se politika e jashtme e qeverisë serbe synonte marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Qëllimi ishte t’u thoshte botës së qytetëruar se, “Ne serbët nuk kemi asgjë me shqiptarët. Thjesht ne nuk pajtohemi me terroristët dhe ekstremistët shqiptarë të Kosovës”! Marrëdhënia e mirë me Shqipërinë do të shitej si imazh i një Serbie të interesuar për paqe, stabilitet e siguri në rajon, ndërkohë që dhuna policore e në forma të tjera e Serbisë në Kosovë ishte shumë e egër. Nëse studiojmë qëndrimet e sotme të Beogradit ndaj Kosovës bindemi se, politika e qeverisë së Vuçiç është e njëjtë me atë të Milosheviçit, veçse e përshtatur për rrethanat e zhvillimeve të kohës së sotme. Veriu i Mitrovicës, siç e përmendi përsëri këto ditë Edita Tahiri, është nën sundimin e strukturave paralele të Beogradit. Planet e zhvillimit urban në veri hartohen në Beograd, madje pa pyetur aspak për qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Pakica serbe, me urdhër nga Beogradi, ka bllokuar krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës. Politikisht përfaqësuesit politikë të serbëve në qeverinë e Kosovës janë kundër integrimeve të Kosovës dhe ruajnë një sjellje të njëjtë me ekstremistin Dodiç në republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës. Ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar. Institucionet dhe qeveria e Kosovës nuk kontrollojnë dot asnjë pjesë të territorit të Veriut, sepse atje funksionojnë ligjet e Beogradit. Ndërkohë të zgjedhurit legjitimë të kësaj pjese të vendit paguhen nga Prishtina e njëkohësisht nga Beogradi. Vuçiç ka planifikuar në buxhetin e qeverisë së tij miliona euro për veriun e Mitrovicës, me qëllim dezintegrimin e këtij territori dhe evitimin e integrimit të tij në shtetin e Kosovës. Serbia nuk pranon që Kosova të ketë kodin e saj telefonik, pengon dhe vepron në mënyrë aktive për mosintegrimin e saj në institucione ndërkombëtare, siç ndodhi me UNESCO-n. Nëse do të donim të shkruanim një listë të destruksionit serb në Kosovë, kjo listë do të ishte shumë, shumë e gjatë. Ndërkohë, të pagjeturit, viktimat e dhunës e të përdhunës, dëmet e mëdha që ushtria e policia serbe ka shkaktuar kundër shqiptarëve në Kosovë janë një histori e pandjesuar. Vuçiç jo vetëm nuk ka kërkuar ndjesë për këto krime, autor i të cilave është dhe ai, por vijon politikat e mosangazhimit për të ndriçuar të vërtetën e tyre. Ndërkohë në të gjitha takimet, bashkëfjalimet, bashkintervistat, bashkëkonferencat e shtypit midis Ramës dhe Vuçiç askush nuk ka dëgjuar dhe nuk ka parë që këto çështje të bëhen temë e diskutimit për zgjidhje. Promemoria kushtuar aktorit shqiptar, Bekim Fehmiu, i botuar ditën e djeshme në media, ishte shou i radhës së të dy kryeministrave në fjalë. Ata donin që me këtë deklaratë të shisnin produktin e tyre në dobi të pushtetit. Por për Vuçiç shërbimi shkonte përtej pushtetit. Bashkëpunimi i ngushtë midis dy krerëve të ekzekutivit të të dy vendeve shkon përtej interesave të Vuçiç, ai ka si synim arritjen e objektivave të qarta të shtetit të Serbisë. Ky objektiv është denigrimi i institucioneve të Kosovës, mënjanimi i tyre, mosangazhimi për dialog me Prishtinën dhe zëvendësimin e këtij dialogu me Tiranën e Edi Ramës, shkurt zhvleftësimi i arritjeve për konsolidimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës dhe rikthimin e një dialogu midis serbëve dhe shqiptarëve në qendrat përkatëse, Tiranë dhe Beograd. Dobësimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe mundësia e një marrëdhënie të tillë të re me Tiranën është orientimi i politikës serbe. Në një farë mënyrë kjo po arrihet. Rama shihet si partner i besueshëm për arritjen e këtij synimi. Ai fillimisht duhej bërë i besueshëm në sytë e shqiptarëve të Kosovës, pastaj të merrte përsipër që të fliste në emrin e tyre. Ky angazhim i zotit Rama duket qartë dhe në promemorien për Bekim Fehmiun. Unë e di se ka njerëz që nuk duan të besojnë në këto përfundime, për të cilat shkruaj në këtë analizë. Por fatkeqësisht, në çdo veprim dhe në çdo fjali të të dy kryeministrave lexoj pikërisht dëshirën e tyre për të anashkaluar Kosovën dhe institucionet e saj dhe për të krijuar një institucion tjetër të zgjidhjes së konfliktit. Kështu, Rama do të bëhej protagonist në krye të delegacionit shqiptar e Vuçiç në krye të delegacionit të Serbisë në bisedimet dypalëshe. Edi Rama e ka shtruar rrugën për këtë dialog të ri shqiptaro-serb, sepse ka forcuar marrëdhëniet me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, të cilin me siguri do ta ketë pjesë të këtij delegacioni. Por të gjitha gjasat janë që të gjejë edhe mbështetjen e ndonjë prej liderëve të korruptuar të PDK-së. Nëse shohim lëvizjet e kryeministrit shqiptar në marrëdhëniet me forcat politike në Kosovë, atëherë shohim se mbështetja e tij shkon qind për qind në adresë të Vetëvendosjes. Ai lufton që Albin Kurti, ose Shpend Ahmeti të jetë kryeministri i ri i Kosovës në zgjedhjet e radhës parlamentare dhe ka përgatitur planin e ankorimit të tij në bisedime me Serbinë. Duke qenë se Albini është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Rama synon që me ndihmën e tij ta ndaj Kosovën me Serbinë, sepse një dialog shqiptaro-serb i Tiranës me Beogradin presupozon automatikisht diskutimin për ndarjen e veriut të Mitrovicës dhe vendosjen e një vije të re demarkacioni. Rama dhe Albini do të thonë: “Ne bashkojmë dy vendet në këmbim të territorit të veriut të Kosovës”. Për të dy bashkimi vlen më shumë sesa humbja e territoreve. Ndërkohë Serbia do të ishte e kënaqur me zgjerimin e territoreve të saj dhe nuk do të mërzitej aspak nëse shqiptarët bashkohen ose jo. Madje ajo nxiton për projektin në fjalë, sepse realizimi i këtij projekti krijon mundësinë e shpërbërjes së Maqedonisë dhe në kushtet e sotme Beogradi do të përfitonte territore edhe nga Maqedonia. E di se kjo formulë shkon në kundërshtim me fobinë e Ramës për këtë projekt. Ai dhe shumë socialistë nuk do të donin për arsye të ruajtjes së pushtetit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por është e mundur që joshja e Vuçiç ta bindë Edi Ramën në këtë mision antishqiptar. Promemorja për Bekim Fehmiun është një sinjal tjetër i këtyre angazhimeve të përbashkëta midis kryeministrit shqptar, Edi Rama dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në Europë ka aktorë ndërkombëtarë, të cilët e mbështesin një inciativë të tillë, me arsyetimin se: “Nëse palët vijnë vetë në një qëndrim të përbashkët, atëherë zgjidhja është e pranueshme”. Çdo interpretim tjetër unë e shoh si përpjekje për devijimin e së vërtetës. Prandaj dhe vij në përfundimin se problemet zero të Ramës me fqinjin Serbi, janë në të vërtetë një pikënisje për një konflikt të ri midis shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkohë që qeveria shqiptare ka shumë probleme të pazgjidhura me Greqinë dhe kërcënon Maqedoninë. Madje udhëheqësi ynë ballkanik po krijon probleme pa nevojë me njërin nga kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Artikulli paraprakFundi i qeverisë Rama
Artikulli tjetërNë arat e Saje qorrit dhe Edvin Shullazit në Treblovë të Vlorës