Preferojnë të emigrojnë më shumë personat me paga mbi 1000 euro

Një nga risitë e anketës ka qenë zbulimi se, personat që duan të largohen janë më së shumti ata me paga të larta. Pavarësisht se dëshira për migrim vërehet tek të gjitha grupet shoqërore, ajo nuk është më një karakteristikë vetëm e grupeve të varfra të shoqërisë shqiptare. Vrojtimi i ndau të anketuarit në 10 grupe të mëdha, duke u bazuar në të ardhurat mujore ose vjetore të familjes së tyre . Grupi që është në fund të shkallës së të ardhurave ka më pak se 70 euro të ardhura familjare mujore, kurse ai që është në krye të saj ka 1.416 euro. Rezultatet ishin të ndryshme nga anketa e vitit 2007. Të dhënat e anketës tregonin se migrimi potencial ishte më i lartë te familjet që e karakterizonin gjendjen financiare si “fare e pamjaftueshme”, e “pamjaftueshme”.
Anketimi i vitit 2018 gjeti se rreth 55% personave që kishin pagë ndërmjet 1000-1400 eurove, donin të iknin. Gjithashtu, në këto përmasa, planifikojnë të ikin edhe personat me paga 470 deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër, shihet se më pak se 50% e personave me paga nën 370 euro planifikojnë të ikin. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk e parandalon migrimin. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se, kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të migrojnë.
Të dhënat e anketës tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë. Të gjitha këto karakteristika të reja të migrimit potencial pasqyrohen edhe në shpërndarjen gjeografike të tyre. Kështu, anketa e vitit 2007 tregonte se të rinjtë e pakualifikuar dhe me nivel të ulët arsimor, kryesisht nga zona e varfra (Kukësi) dhe kufitare (Korça, Gjirokastra) të vendit ishin më të prirë të migronin. Kjo tendencë nuk vërehet në anketën e vitit 2018. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).

Ekonomia dhe arsimi, shkaqet e emigrimit
Profesor Gëdeshi thotë se, ekzistojnë shkaqe të ndryshme të migrimit potencial, ku mund të përmendim faktorët ekonomikë, arsimorë, familjarë e shëndetësorë. Në rast se krahasojmë faktorët aktualë shtytës të migrimit potencial me ata të anketës së vitit 2007, shihet se faktorët ekonomikë, megjithëse vazhdojnë të jenë mbizotërues, janë zbutur në Shqipëri. Krahas tyre janë ulur edhe faktorët familjarë. Por, nga ana tjetër, vërehet një rritje e numrit të njerëzve që theksojnë faktorët arsimorë, mungesën e së ardhmes në Shqipëri dhe, në një masë më të vogël, përkujdesjen shëndetësore që kanë për perspektivën e tyre në vendlindje.
Sidoqoftë, faktorët ekonomikë, ku bëjnë pjesë përmirësimi i standardeve të jetesës, papunësia, pagat e ulëta dhe kushtet e punës, skemat e sigurimeve sociale dhe borxhet, vazhdojnë të mbeten shtytësit kryesorë të emigrimit shqiptar. Sipas anketës, këta faktorë përfaqësojnë 57% të shkaqeve të migrimit, ose më shumë se gjysmën e të gjithë faktorëve.
Kjo tregon se migrimi shqiptar edhe në dekadën e tretë të tij, vazhdon të udhëhiqet nga faktorë ekonomikë. Krahas faktorëve ekonomikë, një grup më i vogël personash (19.4%) citojnë faktorë që lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri. Këtu bëjnë pjesë pohimet e emigrantëve potencialë se ‘në Shqipëri nuk ka të ardhme’, ‘nuk më pëlqen të jetoj në Shqipëri’, ‘dëshiroj të migroj jashtë shtetit’ dhe ‘aventura’.
Një grup tjetër faktorësh është edhe arsimimi (17.4%). Një pjesë e emigrantëve potencialë theksojnë se ‘dëshirojnë të arsimohen’ në vendin pritës (5.4%) ose të ‘financojnë arsimimin e fëmijëve’ të tyre (12%). Faktorët familjarë ku bëjnë pjesë ‘për t’u martuar/sapomartuar’, ‘bashkimi me bashkëshortin ose prindërit’ dhe për t’u ‘larguar nga problemet familjare’ përfaqësojnë 4.6% të përgjigjeve. Krahas tyre, disa të anketuar theksojnë edhe faktorë shëndetësorë (1.5%). Për të thelluar analizën, migrantët potencialë u pyetën që nga tërësia e faktorëve të përzgjedhur të përcaktonin edhe faktorin kryesor shtytës për të migruar nga Shqipëria. Sipas përgjigjeve të emigrantëve potencialë, faktori kryesor për 36.5% të tyre është për të përmirësuar standardet e jetesës. /Monitor

Exit mobile version