Prej 11 vjetësh shpërfilli mësuesin në tokë, Rama sot promovon mësuesin në “ajër”

Nga Mirela Karabina

Kryeministri në një takim me mësues prezantoi një krijesë të re, “mësuese Aidën” krijuar nga njeriu përmes Inteligjencës Artificiale, pra i tregoi “të ngjashmit” artificialë mësuesve.

Dhe, mesa duket, “harroi” që mësuesve në shkolla nuk i ka siguruar një kompjuter që të hedhin notat në regjistrin digjital i cili ka zevendësuar atë manual tradicional, dhe jo më për të hulumtuar përmes internetit në mësimdhënie!

Por, rezultatet e ulta të cilësisë së të nxënit në “PISA 2022” është ajo që zhvesh lakuriq këtë qeverisje dhe propagandën e saj mbi arsimin. Reformat e dështuara dhe arnimet në arsim kanë godiur rëndë mësuesin dhe arsimin.

Dhe këtë nuk ka propagandë në tokë që e fsheh dot! Ndoshta ajo virtuale po!

Shkaku i parë i rezultateve të “PISA 2022” është pikërisht mësuesi i dobët që kjo qeveri, dhe jo vetëm, nuk e kanë pasur asnjëherë prioritet. Shpërfillja dhe lënia në rrjedhë të lirë të programeve të mësuesisë që mbyllen çdo vit, prej 30 vitesh shkojnë nxënësit më të dobët për mësues dhe mungesa e trajnimeve efikase të tyre dëshmojnë më së miri këtë.

Pandemia jo vetëm nxori zbuluar korrupsionin dhe vjedhjen që kjo qeveri bëri me me klasat digjitale, 3.5 milion euro të zhdukura, por kur Covid 19 goditit botën, sistemi arsimor shqiptar në mungesë të infrastrukturës digjitale, u dorëzua.

Dy vite mësim çalë-çalë në pandemi në mungesë të infrastrukturës digjitale kanë shkaktuar boshllëqe të theksuara në formimin e nxënësve. Dhe nga qeveria apo ministria përkatëse as nuk patëm, e as nuk kanë strategji për të dalë nga kjo gjendje e rëndë.

E sot, kryeministri që më 2013-ën kur erdhi në pushtet me tam- tamet e vitit zero, premtoi bujshëm rritjen e buxhetit për arsimin në nivelin 5% të PBB. Dhe jo vetëm që nuk e rriti dot, por e ka çuar në nivelin 2.2%.
E ndërsa financimi në arsim është në nivelet më të ulta në këto 33 vite, Rama flet për inteligjencën artificiale e mësues digjitalë.

Jo vetëm tallje por dhe shpërfillije totale, asgjë më tepër se një propagandë që “mbulon” korrupsiopn e paaftësinë qeverisëse dhe rëndon mbi shoqërinë shqiptare.

Pasi, para se të vlerësojëm mësuesit në “ajër” duhet të mbështesë dhe vlerësojë ato në tokë.

Dhe kjo arrihet me rritje të buxhetit të arsimit deri në nivelin 5% të PBB, formim universitar cilësor të mësuesve, zhvillim profesional të tyre dhe vlerësim me pagë dinjitoze.

Ҫdo gjë tjetër është propagandë në kurriz të mësuesve dhe gjithë shoqërisë.

Artikulli paraprakSa e djathtë është apo mund të jetë PD-ja dhe disa arsye mbi krizën e rëndë
Artikulli tjetërDrejtori i ri dyfishon çmimin për patentë, prej 16 janarit futen në fuqi tarifat e reja…