Në një postim në profilin e saj, deputetja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Orjola Pampuri, shprehet se për 34 vite me radhë politika e ka shantazhuar dhe përdorur drejtësinë sipas orekseve të saj.
Sipas Pampurit, ka ardhur koha t’i thuhet mjaft më kërcënimit të SPAK.
“Kjo që po ndodh sot në Shqipëri është cënim i mirëfilltë i themeleve të demokracisë, cënim i shtetit të së drejtës, pengesë e mirëfilltë për të ecur përpara drejt BE.” – shprehet ajo.
Më poshtë postimi i plotë:
SPAK është institucioni që ka fituar besimin e 80% të shqiptarëve, tek i cili çdo qytetar, ka varur shpresën që ky vend një ditë do të bëhet, vetëm falë fundit të pandëshkueshmërisë, fundit të aligatorëve që mbajtën peng këtë popull për 34 vite, vetëm e vetëm për interes të pasurimit të tyre.
Mjaft më, me atë spektakël të shëmtuar me turma njerëzish duke cënuar vendimet e drejtësisë.
Kjo që po ndodh sot në Shqipëri është cënim i mirëfilltë i themeleve të demokracisë, cënim i shtetit të së drejtës, pengesë e mirëfilltë për të ecur përpara drejt BE.
Prej 34 vitesh politika mban peng drejtësinë në Shqipëri.
Mjaft më me këtë lojë të shëmtuar të autorëve të tranzicionit 34 vjeçar. Të mbështesim SPAK, t’i japim fund pandëshkueshmërisë, të gjithë të barabartë para ligjit e drejtësisë. Vetëm kështu do të jemi më të ndershëm tu dalim përballë shqiptarëve brenda vendit e atyre jashtë vendit që shkoni tu tregoni përralla, kur ata e dinë fare mirë që kjo klasë politike që bëri gjithçka të pasurohej në kurriz të tyre, i përzuri nga Shqipëria.