Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat kundër administrimit të drejtësisë, njoftoi më 7 janar Gjykata Speciale në Hagë.
Deklarimin, Thaçi e ka bërë në formë të shkruar të hënën, më 6 janar.
“Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua lidhur me fajësinë në formë të shkruar më 6 janar 2025. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykatë Speciale, raportojne mediat ne Kosovë.
Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Zyra e Prokurorisë Speciale e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – ndersa ai ndodhet në një proces gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.
Më 6 dhjetor 2024, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.
Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.