Premtimi i Icardit: Përgjithmonë te Interi

Mauro Icardi i premton dashuri të përjetshme Interit. Sulmuesi argjentinas është i lumtur te skuadra zikaltër dhe si kapiten dëshiron të luajë me Interin edhe në Uefa Champions League. 24-vjeçari i ka të qarta idetë dëshiron të çojë Interin aty ku e meriton. Icardi beson ende te kualifikimi në Champions për sezonin e ardhshëm edhe pse diferenca mes skuadrës së Piolit dhe Napolit për momentin në renditje është 8 pikë. Maurito, i cili është autori i 20 golave në këtë sezon të Serisë A nuk i humbet shpresat. “Dua të luaj në Champions me këtë skuadër dhe kur të jemi aty shpresoj të jemi gati për të përballuar me sukses çdo sfidë. Objektivi im është të luaj në nivelet më të larta me Interin”, deklaron Icardi në një intervistë.
Më pas, sulmuesi argjentinas u ndal te pronarët e rinj të klubit, kinezët e Suning Group. “Ata synojnë ta rikthejnë skuadrën në atë pikë që ishte përpara disa vitesh për të fituar sërish shumë trofe, janë ambiciozë dhe besoj se do tia arrijnë. Kjo na jep besim edhe ne futbollistëve, besoj se çdo vit do të afrojnë në skuadër të tjerë lojtarë cilësorë për t’u rritur gjithnjë e më shumë, thekson 24-vjeçari. Në fund edhe premtimi i Mauritos për tifozët zikaltër: “Jam tifoz i Interit dhe dua të qëndroj këtu gjithmonë, e shoh veten shumë mirë me këtë fanellë, jam kapiteni i kësaj skuadre të madhe dhe dëshira ime është të kem një karrierë të gjatë te Interi.

Artikulli paraprakSchweinsteiger nis aventurën me Chicago Fire
Artikulli tjetërMilani në udhëkryq